Kantautori shqiptar Vserlo: Mos e ulni kokën para padrejtësive apo pengesave (VIDEO)

Njihuni me Vserlon, kantautorin shqiptar. Ai jeton në Tiranë dhe është vetëm 19-vjeçar. Vserlo interpreton në një stil ndryshe dhe më dinamik. Për Portalb, na foli më shumë për karrierën e tij muzikore.

“Karriera ime në muzikë nisi kur unë e kuptova qëllimin që kisha në jetë dhe qartësova disa objektiva që doja t’i arrija. Bëhet fjalë për moshën 14-vjeçare kur unë nisa t’i shkruaj tekstet e mia te para dhe pasi kisha krijuar diçka që më bindi për ta kënduar, vendosa të debutoja me këngën time të parë në studio “You Hurt Me Like Nobody” ne vitin 2018, ne moshën 16-vjeçare. Kështu, pak nga pak, duke u futur më shumë në muzikë, e kuptova edhe rrymën nga e cila tërhiqem dhe arrita ta përshtasja atë ne stilin tim!” tha Vserlo.

Vserlon, përveç muzikës, e tërheq gjithçka që ka të bëjë me artin. Ai e quan veten një artist dimensional. Vserlo spikat edhe në pikturë, aktrim, këndim dhe shkrim.

“Unë gjithmonë kam menduar se njerëzit nuk janë monedha ari që t’i pëlqejnë gjithë botës dhe, fundja, duhet të pranojmë edhe që jo të gjithë kanë shije të mirë! Unë jam një person që i vlerësoj kritikat si opinione të njerëzve të caktuar, por, gjithashtu, mendoj që çdo kritikë ka nevojë për një kundërpërgjigje! Për sa i përket vlerësimit, mendoj se kam marrë vlerësimin e duhur nga njerëzit e duhur për njohjen që kam aktualisht nga publiku shqiptar dhe ai i huaj.” u shpreh ai.

Të gjitha projektet e realizuara deri më tani nga Vserlo janë projekte origjinale të ideuara, të shkruara dhe kompozuara nga vetë ai. Aktualisht ka 13 këngë të publikuara në të gjitha platformat digjitale të muzikës, te të cilat kryeson zhaneri Pop, Indie-Pop dhe R&B. Këngë të cilat janë pritur shumë mire nga publiku. Një ndër këngët më të pëlqyera vazhdon të jetë bashkëpunimi me Mabelin, kënga “Haters Gonna Love”. Kjo këngë u rendit si kënga më e dëgjuar në Release Radar në Britani në platformën Spotify.

“Përsa u përket planeve të mia në muzikë, do thoja që nuk kanë të mbaruar. Por, pa dashur të zbuloj shumë detaje, vetëm do të them që jam duke punuar fort për disa projekte shumë të rëndësishme në karrierën time! Jam duke punuar dhe me artistë të ndryshëm për realizimin e albumit tim të parë , që do të publikohet në fillimin e vitit 2022. Gjithashtu, disa projekte të tjera muzikore do t’i publikoj në muajt e mbetur të këtij viti.” tha Vserlo.

Mesazhi që Vserlo përcolli për të gjithë artistët e rinj është:

“Mos e ulni kokën para padrejtësive apo pengesave. Çfarë është për ty, do vij te ti, dhe s’do të të lërë kurrë në baltë. Mos u bëni servilat e askujt dhe mësoni të thoni JO dhe STOP! Në Shqipëri me artin po bëhet biznes dhe gjërat me vlerë po humbin e po zhduken! Sot kemi në dorë të bëjmë diçka me artin tonë dhe të tregojmë fuqinë e krijimtarisë dhe shpirtin e lirë e artistik që ne e kemi dhe jo të tregojmë fuqinë e “EMRIT” që mund ta kemi marrë nga favore të ndryshme!” përmbylli Vserlo.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button