Koha e lirë dhe pushimi: vështrim sociologjik (I)

“Lumturia është e lidhur me kohën e lirë!”

Aristoteli, Etika e Nikomahut

(1) Fundi i viteve 1980. Profesori i psikologjisë i shkollës së mesme, i ndjeri R. Ballazhi, në një nga orët mësimore, kur disa nga nxënësit adoleshentë patë dalë pak taktit, kur atmosfera për mësimdhënie dhe nxënie s’ishte si duhej, na pat këshilluar me fjalë që kanë zënë vend përgjithmonë në kujtesën tonë: “Kur të punojmë, të punojmë pa pushuar, kurse kur të pushojmë, të pushojmë pa punuar.” (2) Në fëmijëri shkonim në pushim te gjyshja, nëna e nënës: në fshat. Dilnim në fushë, ruanim bagëtinë, laheshim në lum, loznim futboll në porta me dy gurë, ngrinim tajare në qiell, sillnim dardha të egra me strajca nga arat e largëta, uriteshim, hanim çfarë na jepej… Ky ishte pushimi ynë modest, i papërshkrueshëm. Dhe vinte shtatori, sërish në shkollë. Të rrallët e hiç nga ne shqiptarët dilnin në pushim të organizuar, ndërsa për një pjesë të mirë të kombeve sllave të ish-Jugosllavisë kjo ishte një rutinë. (3) Sot, viti 2021, njerëzit një pjesë të caktuar kohës e kalon duke surfuar – duke kërkuar bujtinë për udhëtime apo për pushim – në Booking.com, në faqen e kësaj kompanie holandeze, të themeluar më 1996, një nga më të mëdhatë e botës në sferën e e-commerce, me 17.000 punëtorë, në 198 zyra në 70 vende të botës, me web në 43 gjuhë, me ofertë për më tepër se 130.000 destinacione në 227 vende anekënd globit; që ofron mundësi për qëndrim në apartamente, hotele, hostele, resorte 5-yjëshe, shtëpi druri, deri te shtëpitë eskimeze (igloo); që nga 2007-a deri në 2019 ka shërbyer rreth 3 miliardë mysafirë. Sa ka evoluar jeta dhe koncepti i pushimit brenda 3-4 dekadave! Nga dy domate, kripë e bukë në qeskë e drejt në Vardar, te Booking.com.

Këtë radhë do ta trajtojmë çështjen e pushimit, sociologjinë e turizmit, rreth së cilës punimet e para janë bërë në vitin 1935, ku kontribut të çmuar ka dhënë gjermani Robert Glücksmann (1877–1942); do të vëmë nën llupë sociologjinë e kohës së lirë, një prej degëve më të reja të sociologjisë, që siç shprehet J. Fichter-i, merret me njërin prej institucioneve shoqërore themeltare: koha e lirë, pushimi dhe zbavitja. Në gjuhën greke kohës së lirë apo boshe i thonë σχολή (skholḗ), kurse në latinisht schola, shkollë, vend ku merret arsim dhe kalohet koha e lirë.  Në shekullin e XIV është përdorur fjala olarak “leisir” (ang. leisure) që do të thotë “rast për të bërë diçka”. Sociologjia e kohës së lirë, figurat kryesore të së cilës janë Thorstein Vebleni (1857-1929) dhe Max Kaplani (1911-1998), shqyrton mënyrën sesi njerëzit e kalojnë kohën e lirë, marrëdhëniet e krijuara gjatë kësaj kohe, veprimtaritë që zhvillohen jashtë kohës së punës. Shfrytëzimi i kohës së lirë, që përbën një të drejtë universale njerëzore, sanksionuar me ligje shtetërore, është një mënyrë e ripërfitimit të energjisë për veprimtaritë e ndryshme shoqërore. Deri sot kësaj disipline sociologjike i është kushtuar shumë pak kujdes. Sipas Parkerit dhe Giddensit shkaqet janë vështirësia e zbatimit të metodave shkencore në fushën e kohës së lirë, perceptimi i kohës së lirë si e parëndësishme apo si veprimtari dytësore, si antipod i zellshmërisë dhe punës (Tezcan, 1994: 11), madje nga botëkuptimet puritane edhe si burim i të gjitha të këqijave.

Një pyetje që një kohë të gjatë më sillet në kokë është kjo: Pse ne, brezi jonë, s’mundemi pa pushim? Dikur ky term kishte kuptimin e mbylljes së shkollave dhe të universiteteve. Askush thuajse askë s’e ka pyeste se kah po ia mban sivjet për pushim, ndërsa sot jemi bërë të varur nga kjo copë kohe e kaluar diku jashtë shtëpisë. Thuajse çmendemi nëse nuk braktisim vatrën për një javë a më tepër kur vjen koha e verës, madje edhe në dimër. Pse kjo psikologji dhe praktikë sociale, ky trend, kjo prirje e njeriut të shekullit XXI? Aq janë të lidhur njerëzit me shkuarjen në pushim saqë gjithë vitin kursejnë për të, madje huazojnë para nga bankat, miqtë apo familjarët që të realizojnë këtë agjendë të vënë para vetes. (vijon)

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button