Vaksinimi për fëmijët në vend është i dëshirueshëm, por jo i detyrueshëm

Agjencia evropiane e barnave në fund të muajit maj e miratoi vaksinën e parë për fëmijët në moshë nga 12 deri në 16 vjeç në BE. Vaksina është e prodhuesit „Pfizer” dhe, sipas EMA, është 100% efikase në parandalimin e Kovid-19. Efektet anësore më të zakonshme të vaksinës „Pfizer” tek fëmijët e moshës nga 12 deri në 15 vjeç përfshijnë dhimbje të krahut ku është aplikuar vaksina, lodhje, dhimbje koke, dhimbje të muskujve dhe nyjeve dhe ethe. Këto efekte janë ose të lehta ose të moderuara dhe kalojnë disa ditë pas pranimit të vaksinës. Vaksinimi i fëmijëve mbi 12 vjeç në vendin tonë do të fillojë në fund të kësaj jave dhe do të jetë mbi bazë vullnetare.

Shkruan: Mirosllava Burns

Strategjia shëndetësore për vaksinimin në vend do i përfshijë edhe fëmijët mbi 12 vjeç. Imunizimi i tyre nuk do të jetë i detyrueshëm, por vullnetar, siç është rasti edhe me të rriturit. Ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe, pak kohë më pare në pyetje nga gazetarët u përgjigj se ai do ta vaksinojë djalin e tij për të dhënë një shembull që vaksinimi është mënyra e vetme për të jetuar në kushte kur rrezikohemi nga varianti Delta i koronavirusit dhe mutacioneve të tjera të mundshme të tij. Qëllimi, tha ai, është arritja e imunitetit kolektiv.

Është mënyra e vetme për të arritur një përqindje adekuate të imunitetit kolektiv. Ka disa vende që vaksinimin e fëmijëve e kanë bërë të detyrueshëm, pra fëmijët nuk do të pranohen në shkolla nëse nuk janë vaksinuar. Kjo është politika e disa vendeve të Evropës Perëndimore. Në vendin tonë vaksina nuk do të jetë e detyrueshme. Sidoqoftë, ajo që rekomandohet me informacion dhe miratim është vaksina „Pfizer”, kështu që unë atë do ta bëj, tha Filipçe

„Vërtetmatësi“ kontaktoi me drejtorin e Institutit të imunologjisë dhe profesor në Fakultetin e mjekësisë, Dr. Aleksandar Petliçkovski, i cili tha se rekomandohet që fëmijët që kanë kaluar koronavirusin, të presin tre deri në gjashtë muaj para se ta pranojnë dozën e vaksinës „Pfizer” .

Vaksinimi i fëmijëve është një çështje që për muaj me radhë po diskutohet në të gjithë botën. Pse pikërisht „Pfizer”? Për shkak se kjo kompani bëri studime klinike në të cilat u vlerësua siguria e vaksinës për grupmoshën nga 12 deri 16 vjeç. Është e qartë se vaksina „Pfizer” është e sigurt dhe efikase. Agjencia evropiane e barnave EMA e rekomandon “Pfizer” për fëmijë në moshë nga 12 deri në 16 vjeç dhe kjo është arsyeja se pse e zgjodhëm atë edhe në vendin tonë. Fëmijët shoqërohen shumë me njëri-tjetrin dhe kështu e transmetojnë virusin. Dhe ata nuk janë të vaksinuar. Kjo është arsyeja pse përqindjet e të sapo infektuarve janë në mesin e të rinjve, sepse kjo grupmoshë nuk është vaksinuar në asnjë vend të botës. Ka kuptim, sepse numri më i madh i rasteve të reja me Kovd-19 janë regjistruar tek të rinjtë dhe kjo çështje duhet të mbyllet. Nëse fëmijët nuk vaksinohen, atëherë ata do të jenë burim i infeksioneve të reja, tha profesor Petliçkovski.

Profesori në Fakultetin e mjekësisë, Dr. Nikolla Panovski, nuk është i sigurt nëse fëmijët duhet të imunizohen. Ai nuk sheh nevojë për këtë, sidomos kur ende nuk janë vaksinuar personat me sëmundje kronike dhe të rriturit.

Për momentin nuk ka të dhëna për efekte të padëshiruara, përveç rasteve tek djemtë e rinj që vaksinohen me „Pfizer”. Ata zhvillojnë miokardit, mbi nivelin e pritur të prevalencës së miokarditit. Ky fenomen është i rrallë dhe kalon. Rekomandoj që së pari të vaksinohen të sëmurët kronikë dhe të moshuarit, ndërsa sa i përket fëmijëve nuk kam asnjë qëndrim, nuk e shoh të nevojshme, por nuk mund t’i detyrojmë të tjerët, sepse është një zgjedhje personale, tha Dr.Panovski.

Agjencia evropiane e barnave e miratoi vaksinën e parë për fëmijët e moshës nga 12 deri në 16 vjeç në BE më 28 maj të këtij viti. Vaksina është nga prodhuesi „Pfizer”, dhe njihet si „komirnati”. Siç publikoi EMA në faqen e saj në internet, efektet e kësaj vaksine janë studiuar tek 2.260 fëmijë të moshës nga 12 deri në 15 vjeç. Studimi u miratua nga Shoqata pediatrike e EMA dhe sipas tij përgjigja imunologjike tek kjo grupmoshë ishte kompatibile me atë tek grupmosha nga 16-25 vjeç, sipas matjeve të nivelit të antitrupave.

Efikasiteti i vaksinës u mat tek fëmijë që nuk kishin shenja të infeksionit të mëparshëm. Ata pranuan ose vaksinë „Pfizer” ose placebo (tretje fiziologjike) pa e ditur se cilën nga këto të dyja e kanë pranuar. Asnjë nga 1005 fëmijët që e pranuan vaksinën nuk u sëmurën nga Kovid-19. Nga ata që pranuan placebo (gjithsej 978 fëmijë), 16 u infektuan. Bazuar në këto të dhëna, EMA arriti në përfundimin se vaksina është 100% efikase në parandalimin e Kovid-19.

Efektet anësore më të zakonshme të vaksinës  „Pfizer” tek fëmijët e moshës nga 12 deri në 15 vjeç përfshijnë dhimbje të krahut ku është aplikuar vaksina, lodhje, dhimbje koke, dhimbje të muskujve dhe nyjeve dhe ethe. Këto efekte janë ose të lehta ose të moderuara dhe kalojnë disa ditë pas pranimit të vaksinës.

Komiteti për produkte mjekësore për përdorim tek njerëzit pranë EMA-s ka arritur në përfundimin se përfitimet e vaksinës „Pfizer” janë më të mëdha sesa rreziqet nga ajo. Prandaj, në faqen e tyre zyrtare në internet publikuan edhe se Komiteti i tyre i sigurisë ka regjistruar raste të rralla të miokarditit dhe perikarditit (pezmatim i membranës që mbështjell zemrën) që ndodhin pas vaksinimit, kryesisht tek njerëzit nën 30 vjeç.

Për momentin nuk ka asnjë indikacion që këto raste janë për shkak të vaksinës dhe EMA po e ndjek situatën nga afër. Kemi ardhur në përfundimin se përfitimet nga vaksinës për fëmijët e moshës 12 deri në 15 vjeç i tejkalojnë rreziqet, sidomos për fëmijët me gjendje shëndetësore që rrisin rrezikun e nga format e rënda të Kovid – 19, informojnë nga Agjencia evropiane e barnave.

Vaksina e Pfizer komirnati” funksionon në atë mënyrë që e pregatit trupin për t’u mbrojtur nga Kovid-19. Ajo përmban një molekulë të quajtur mARN, e cila ka udhëzime për krijimin e një proteine ​​spike. Kjo është një proteinë që gjendet në sipërfaqen e virusit Sars Cov 2, e që i shërben virusit për të depërtuar në qelizat e trupit.

Pas aplikimit të vaksinës, disa qeliza do të lexojnë udhëzimet në mARN dhe përkohësisht do e prodhojnë proteinën spike. Sistemi imunitar i njeriut e njeh këtë proteinë si një armik të jashtëm, prandaj gjeneron antitrupa dhe aktivizon qelizat T për ta sulmuar atë.

Më vonë, nëse një person bie në kontakt me virusin Sars Cov 2, atëherë sistemi i tij imunitar do ta njohë atë dhe do të jetë i gatshëm për të mbrojtur trupin. mARN nga vaksina nuk mbetet në trup, por eliminohet menjëherë pas vaksinimit.

Zyra Rajonale e UNICEF-it në vendin tonë në faqen e saj në internet shkruan se rreziku për fëmijët i shkaktuar nga Kovid-19 është i madh dhe shkon shumë përtej efekteve të menjëhershme fizike të sëmundjes, sepse mbulimi rutinor i reduktuar me kujdes shëndetësor dhe recesioni që po na vjen, rrezikojnë shëndetin dhe të ardhmen e një brezi të tërë të fëmijëve.

 

Nga 12 korriku i këtij viti, në vendin tonë në të gjitha pikat e vaksinimit qytetarët do të mund të vaksinohen pa caktuar paraprakisht një termin. Vaksinimi i fëmijëve mbi 12 vjeç do të fillojë këtë javë dhe do të bëhet vullnetarisht.

Burimi: https://vistinomer.mk/vakcinaci%d1%98ata-za-decata-vo-zem%d1%98ava-e-pozhelna-no-ne-e-zadolzhitelna/

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button