MËSIMDHËNIA NË KUSHTE PANDEMIE

Jetesa njerëzore në kushte pandemie, duke pasur parasysh faktin se përfshiu gjithë botën, pa bërë dallime, me të cilat natyra e njerëzve ishte mësuar të përballej çdo ditë, arriti të hynte edhe në qoshet më të errëta, në të cilat, si zakonisht, harron të lëshohet edhe drita e paktë. Nëse nga kjo periudhë, secili njeri u bë dëshmitar i arritjeve të gjërave, që për një kohë tjetër shiheshin si të largëta dhe të pamundura për përvetësim, në të njëjtën kohë, arriti të dëshmonte se kjo jetesë solli edhe largimin e padëshiruar nga gjërat që për periudhat e caktuara të jetës së njerëzve janë më se të nevojshme, jo vetëm për të qenë të përjetuara në mënyrë grupore, por, edhe për një sukses më të madh, i nxitur gjithnjë edhe nga vetë prania e udhëheqësit mësimor.

Kur flitet për gjërat që në një mënyrë a në një tjetër u arritën, gjithnjë theksohen gjërat që njerëzit më parë nuk i kishin njohur ose nuk kishin arritur t’i bënin pjesë jete, dhe, në këtë rast përmenden talentet e reja, pasionet për lloje të ndryshme të arteve ose rinjohjet me gjërat e mbetura nën pluhur shekujsh, për të cilat nevojitej një kohë e këtillë që të zbuloheshin. Dhe, në një këndvështrim tjetër, këto merren anë pozitive, për të cilat, nuk munguan as edhe lëvdatat e mirënjohjet e ndryshme, edhe pse të marra në një periudhë të vështirë. Por, nga ana tjetër, ajo që pati një rrugë shumë të vështirë dhe me ngecje në secilin hap, ishte mësimdhënia dhe çështja arsimore e kudondodhur, ngase për të, periudha e pandemisë nuk solli asgjë të dobishme.

Sa herë që në rrethet e ndryshme njerëzore, qofshin ato familjare, shoqërore a të punës, flitet për mësimdhënien dhe natyrën e saj pozitive e të nevojshme që nga historia e krijimit të botës, gjithmonë kihet në mendje një raport/marrëdhënie e pandashme, e cila në vetvete përfshin mësuesin dhe nxënësin, pra, një udhëheqës dhe një qenie të brishtë, që më shumë se kurrë ka nevojë të ecë i kapur në një dorë të sigurt. Por, kjo e fundit, në këtë kohë u përjetua si diçka e largët dhe ftohtë, jo për faktin që nuk u përpoq të jetë e gatshme atëherë kur nxënësi kishte më së shumti nevojë, por, nga vetë largësia fizike, ardhur si pasojë e pandemisë.

Mësimdhënia në kushte pandemie, ishte njëra nga çështjet më të prekura e ndër më të diskutuarat në mbarë vendin, jo vetëm për problemet, të cilat pavarësisht natyrës së tyre, të njëjtën e shoqëronin për vite me radhë, por, edhe për mungesën e përgatitjes së mësimdhënësve për mësimin nga largësia. Kjo e fundit, nuk ishte e një natyre të vështirë vetëm për mësimdhënësit, të cilët, kishin kaluar vite të shumta me nxënës dhe tashmë ishin në fund të karrierës së tyre si mësimdhënës/se, por, edhe për të rinjtë/ të rejat, të cilët/të cilat me zell, përkushtim dhe dashuri ndaj punës, arrinin ta ushtronin këtë profesion. Në këtë çështje, ajo që la ndoshta zbrazëti më të mëdha, nuk kishte të bënte vetëm me mësimdhënësin/en, natyra e të cilit/e së cilës gjithmonë synon një realizim sa më të mirë të punës dhe përkrahjen më të madhe ndaj nxënësit, por, edhe me të ashtuquajturin nxënës/e, faktorin kryesor për realizimin e procesit edukativ-arsimor, sepse ishte pikërisht ky/kjo i/e fundit ai/ajo që mbeti mbrapa në mësime, që arriti të inkuadrohet me vështirësi/vonesë në orën mësimore të realizuara nga distanca (duke respektuar kryefjalën e përditshme “Rri në shtëpi”), të mos arrinte t’i merrte shënimet/mësimet e nevojshme për njohuri të reja, ose, edhe më keq, të mos i mësonte në prani fizike gjërat elementare me të cilat fillon edhe procesi i arsimimit/edukimit të secilit nxënës.

Andaj, nëse për gjithçka tjetër që u vendos të rregullohet dhe të krijohet një rrugë më e lehtë, njerëzit arritën t’i shihnin sadopak ndryshimet, edhe për çështjen arsimore u pa një përpjekje e tillë, por, se sa e njëjta do të jetë e suksesshme dhe sa nxënësit do të jenë ata që njohuritë e marra në këto kushte do të arrijnë t’i vënë në praktikë në vitet e ardhshme shkollore dhe në vazhdimësi të jetës së tyre, këtë do ta dëshmojë vetëm koha. Dhe, kjo e fundit, urojmë të mos jetë kurrë e një natyre të këtillë, jo vetëm se nxjerrë në pah gjërat për të cilat nuk ka një përgatitje paraprake, por, edhe për të mos e vështirësuar atë për të cilin njeriu ka më shumë nevojë, një shkollim të drejtë dhe pa pengesa.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button