Tetovë, shembja e tokës në rrugën për në Banjë rrezik për kalimtarët (VIDEO)

Shembja e tokës dhe rrënimi i gurëve thuaj se ka bllokuar rrugën e cila të shpie deri tek Banja e Tetovës si dhe në Teqe të Shipkovicës. Gurrë me përmasa të mëdha dhe rrënimi i vazhdueshëm i truallit ka bërë që banorët si dhe vizituesit e banjës të shprehen të shqetësuar për jetën e tyre.

“Unë jam banorë në Teqen e Shipkovicës dhe më duhet të kaloj çdo ditë këtë rrugë për të vajtur në punë, gjithmonë më kanoset rreziku nga rrëshqitja e gurëve. Ja siç shihni edhe vetë nuk janë të përmasave të vogla. Me të njëjtin rrezik ballafaqohen edhe nxënësit të cilët banojnë në këtë vend ato kalojnë çdo mëngjes këndej dhe ne jemi të merakosur shumë” thotë më tej Ibraimi banor i Teqes së Shipkovicës. 

Kjo rrugë është e frekuentuar edhe nga qytetarët të cilët ecin çdo mëngjes dhe mbrëmje për tek banja e Tetovës, si  dhe nga qytetarët të cilët e shfrytëzojnë ujin e banjës së Tetovës për veti shëruese.  

“Unë çdo ditë në mëngjes shkoj deri tek banja e Tetovës, për të bërë një shëtitje dhe pi ujë nga burimi. Por nga rrëshqitja e gurëve kam frikë që të mos lëndohem, sepse po të më qëllojë ndonjëri nga këto gurrë në kokë nuk besoj se dal gjallë”, thotë Fitore Xhemaili.

Nga komuna e Tetovës deklarojnë se janë marrë masa sapo janë informuar për këtë rast.

 “Sapo jemi informuar se ka shembje të gurëve në rrugën për në Banjë të Tetovës menjëherë kemi intervenuar dhe tani më rruga është në gjendje të kalueshme. Kemi në plan që të marrim masa edhe për mburoja që shpresojmë sa më shpejtë të realizohet”, deklarojnë nga zyra për informim në komunën e Tetovës.

Shembja e  gurëve shpesh mund të jetë edhe fatale për jetën e kalimtarëve, dje për pak të kishte pësuar një qytetar nga Dibra./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button