Mungesa e strategjisë industriale

Në Maqedoninë e Veriut (MV) dikur kishte industri të rëndë dhe banorët e ish republikës jugosllave e siguronin kafshatën e bukës po nga fabrikat e ndërtuara pas Luftës së Dytë Botërore. Në fillim të viteve të 70-ta, qindra mijëra punëtorë që shkuan në Gjermaninë Perëndimore për shkak të pagës së lartë në fabrikat e ish republikave, u kthyen përsëri në vendlindje për të marrë pothuajse të njëjtën mëditje. 40 vite pas, gjendja nuk është e njëjta, mijëra të rinj janë larguar nga MV-ja dhe sipas raportimeve ndërkombëtare mbi 500 mijë qytetarë të MV-së e kanë lëshuar vendin për arsye të varfërisë dhe mungesës së perspektivës. Përkundër premtimeve qeveritare, industria e rëndë ka ngecur dhe vendi shumë pak paraqitet si shtet eksportues dhe që në fakt është indikatorë i mungesës së klasës punëtore apo të mesme në industrinë e rëndë ose shkurt mospasjes së një strategjie industriale nga shteti.

Në kapitullin 20 të Aquis-it “Ndërmarrjet dhe politika industriale” të BE-së thuhet: “Politika industriale e BE-së kërkon të promovojë strategji industriale duke rritur konkurrencën, duke përshpejtuar përshtatjen ndaj ndryshimeve strukturore, duke inkurajuar një mjedis të favorshëm për krijimin dhe rritjen e biznesit në të gjithë BE-në, si dhe investimet e brendshme dhe të huaja. Ai synon gjithashtu të përmirësojë mjedisin e përgjithshëm të biznesit në të cilin veprojnë ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. Ai përfshin privatizimin dhe ristrukturimin. Politika industriale e BE-së kryesisht përbëhet nga parimet e politikave industriale. Zbatimi i politikës industriale kërkon kapacitet adekuat administrativ në nivel kombëtar, rajonal dhe lokal”.

Gjatë këtij viti, qeveria dhe ministria e Jashtme e MV-së e promovuan konceptin e diplomacisë ekonomike e cila që atëherë ishte mirë e konceptuar në teori, por në praktikë shihej se pa një industri të zhvilluar dhe ligje të mira për investime nuk mund të kemi as industri të zhvilluar e as më pak industri të rëndë, ku po aty buron fuqia e një shteti. Industria e teknologjisë së informimit dhe komunikimit vlerësohet se është sektori me rritjen më të shpejtë të ekonomisë në MV, pasi luan një rol të rëndësishëm në sigurimin e vendeve të punës dhe uljen e varfërisë.

Lëmia e agro-biznesit gjithashtu konsiderohet si degë ekonomike e një shteti. MV-ja ka një rritje deri në 10 përqind, megjithatë mungesa e ideve dhe projekteve të vërteta në bujqësi dhe puna e dobët e Ministrisë së Bujqësisë për të nxitur fermerët në inovacione dhe motivuar po të njëjtit me mjete financiare, ka shumë pak gjasa të ketë ngritje në vitet e ardhshme dhe hapje të reja të vendeve të punës.

Industria e tekstilit në MV ka qenë mjaft e zhvilluar. Tani as që mund të flitet për ndërmarrje të tekstilit si “Teteksi” dhe “Jedinstvo” që dikur punësonin më mijëra banorë të Pollogut dhe rrethinës. Pas kolapsit të sistemit dhe privatizimit të dyshimtë të ndërmarrjeve, industria e tekstilit u zhduk në MV dhe të gjitha veshmbathjet sigurohen nga importi. Duhet të themi edhe këtë fakt se dikur në vitet e 70-80-ta të shek. XX, korporata të shumta nga SHBA, Gjermania dhe Anglia lidhnin marrëveshje me ndërmarrjen e Teteksit nga Tetova. Aty tash, vetëm kafshë kullosin në parkun e kombinatit të dikurshëm.

Për sektorin e automjeteve as që mund të bisedohet dhe të mendohet se MV-ja një ditë do të prodhojnë të paktën pjesë për makinat e huaja ashtu si e bëjnë shtetet tona fqinj si Serbia dhe ato të Evropës Qendrore. Kur jemi tek agro- ekonomia, tregtia e prodhimit të verës është mjaft e zhvilluar në MV, por viteve të fundit përkundër lavdërimeve të qeverisë dhe Ministrisë së Bujqësisë, prodhimi vendorë i verës shumë pak shitet jashtë apo eksportohet, kurse vreshtarët në disa rajone të vendit shumë pak mbështeten nga ministria dhe njësitë e MB-së. Gazi natyror gjithashtu bën pjesë në tregun industrial të një qeverie që të jetë i pavarur nga politikat energjetike të shteteve fqinjë. Së fundmi, qeveria e MV-së dhe e Greqisë kanë nënshkruar një marrëveshje strategjike më ndihmën e SHBA-së në fushën e gazit, shpërndarjen e saj dhe liberalizimin e vazhdueshëm të po së njëjtës.

Të gjitha këta fusha të industrisë së rëndë dhe të lehtë kanë rol strategjik në ngritjen dhe hyrjen e vendit në BE. Për më tepër, duhet pranuar se falimentimi i ndërmarrjeve të ish- sistemit dhe privatizimi i dyshimtë i procesit, nxori në rrugë shumë punëtorë që dikur ishin pjesë e industrisë së rëndë. Tani me rëndësi është që qeveria të hartojë politika afatgjate të zhvillimit të industrisë, por një gjë të tillë po e dëgjojmë vetëm në debatet televizive e jo në vepra. Pandemia si duket këtyre ëndrrave u ka dhënë fund se së shpejti do të mund të kemi një klimë qeveritare për projekte industriale të shekullit në MV.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button