U bë ora pesë, shtriga nuk erdh…

Duke ndjekur propozimet, ofertat dhe refuzimet e partive politike maqedonase për dalje nga kriza politike që ka mbërthyer vendin, çuditërisht edhe pas përmbylljeve të afateve për zgjedhjet lokale, konstatova se për të ndjek politikën për të rritur në Maqedoni duhet të kesh ndjekur ping-pong kur ke qenë i vogël.

Kjo pasi shpejtësia e propozimeve dhe prononcimeve rreth kësaj, në momente, ngjasonte me lojën ping-pong. Bile situata te ne mund të quhet edhe më e ndërlikuar, pasi shpesh, nuk ka rrjet ndarës të tavolinës, siç është rasti në lojën e ping-pongut ku ka edhe rrjet e edhe rregulla.

U mundova, për vete, të di se si ndihen ata që nuk janë edhe gjithaq qytetarë të thjeshtë si ne, ndjekësit e opinionit; krerët e subjekteve politike shqiptare. Mu në këtë rast, kur pamë se edhe ata, si vet ne qytetarët, ishin vetëm ndjekës të këtyre propozimeve, ofertave dhe refuzimeve.

Kujtimi për të mëdhenjtë tanë, liderët politikë dhe bashkëngjitja e tyre me qytetarët në të njëjtin proces të ndjekjes së politikës, më kujtoi një version të lojës kukamçefthi, të fëmijëve. Më saktë, pjesën e tekstit që thuhej në këtë version: u bë ora pesë, shtriga nuk erdh…?!
Sigurisht që ka dallime në atë se çka dhe cila do ishte “shtriga” e këngës së lojës nëse kjo përkthehej në aktualitetin tonë, por që edhe ata vetëm diçka pritnin të ndodhte dhe vetëm numëronin orët, është më se e qartë.

Sipas kandidimeve, numrit të tyre, përzgjedhjes dhe shtrirjes së kandidaturave për zgjedhjet lokale të tanishme është më se e qartë se kjo “shtrigë” ishte opozita maqedonase. E cila, ja, nuk u shfaq dhe për të cilën, u pa se subjektet politike shqiptare nuk e kishin paraparë se, me të vërtetë, do i bojkotojë këto zgjedhje.

Evidentimi i kësaj dobësie politike të tanishme, që u shfaq vetëm në kësi numërimi të orëve dhe pritjeje të thjeshtë, si në lojën për fëmijë, është shumë me rëndësi për atë që vjen, e ajo është qasja e tyre e plotë ndaj këtyre zgjedhjeve. Mbetet të shohim pra se si ata që nuk parapanë bojkotin e zgjedhjeve nga ana e opozitës maqedonase nëse kanë paraparë apo analizuar efektet e këtij bojkoti.

Kjo pasi, që prej tani, ka nisur një përdorim i realitetit të votës së shqiptarëve nga ana e partisë qeverisëse duke fry kah ajo se, me bojkotin do shtohen komunat që do udhëhiqen nga shqiptarët ose se, do ketë numër më të madh të këshilltarëve shqiptarë. Kjo gjë kryesisht bëhet duke u thirr në ndjenjën e albanofobisë, si një ndjenjë rekrutuese potenciale, për shtim të numrit të atyre që do dalin në votime. Pasi me bojkotin tani vihet në sprovë plotësimi i përqindjes së mjaftueshme për legalitetin e zgjedhjeve por edhe ajo se me këtë numër do dëshmohet “normaliteti” i shtetit në tërësi. Qëllim ky të cilin tani e synon qeverisja aktuale, e që subjektet shqiptare, ia mundësuan, edhe këtë herë, lirshëm dhe lirë fare, si në thënien tetovare: për pesë pare.

Pra, nuk se do e merr vërtet ndonjëherë Miloshoski Strugën, por ai më kësi apele dëshiron të shtojë numrin e atyre që do dalin në zgjedhje, e me këtë të vazhdojë kjo parti të ketë në dorë shtetin, ku bën pjesë edhe kjo komunë sikur edhe komunat tjera. Sikur komuna e Pllasnicës, të cilën herën e kaluar e pati fituar BDI, por objektin komunal u arriti ta blejë prindi i këtij të njëjtit Milloshovski?!

Nëse subjektet politike shqiptare nuk arrijnë që të jenë në “sulm” kur ka kësi apele dhe parulla, si “ta kthejmë Strugën” dhe “Karposhin, t’ia kthejmë Shkupit”, e të dëshmojnë se ky është argumenti më i mirë, se kjo partia DPMNE nuk e quan Maqedoni atë që nuk e udhëheqë vet, ata do i lënë qytetarët që, vet, të veprojnë si të dinë.

Por, kështu pa artikulim dhe kokë politike, qytetarët do mund të jenë vetëm në “mbrojtje”. Sulmi dhe iniciativa e vetme që do mund të marrin, duke qenë kështu pa një krye politike është; abstenimi. Gjë kjo që, në numër të madh, votuesit shqiptarë tani në shumë cikle zgjedhore në Maqedoni, veç më e bëjnë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk
Të drejtat e publikimit i kanë vetëm © Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button