Me informacion jo të plotë problematizohet efikasiteti i vaksinave

Shkrimit të shpërndarë në Facebook i mungojnë informacionet shtesë në mënyrë që lexuesit të fitojnë një pasqyrë të plotë dhe të saktë të situatës në Izrael. Vendosja e përqindjeve pa shifra konkrete se sa nga të sapoinfektuarit kanë pranuar paraprakisht të dyja dozat e vaksinës nuk jep një pasqyrë të qartë, sidomos nëse kemi parasysh që 5.17 milion njerëz në Izrael (56 përqind e popullsisë) kanë pranuar të dy dozat e vaksinës. Kjo paraqitje e pasaktë dhe sipërfaqësore vetëm mund të ndikojë negativisht në procesin e imunizimit kundër Kovid-19, shkruan Vertetmates.

Një postimFacebook po përhap panik pa ofruar informacion të plotë. Gjegjësisht, në postim është vënë një shkrim me titull: Lajme të këqija nga Izraeli: 50 përqind e të sapoinfektuarve kanë qenë të vaksinuar me të dyja dozat e vaksinës – lloji Delta po bën kërdi në Lindjen e Mesme”, i cili në shikim të parë tingëllon mjaft frikshëm.

Pothuajse gjysma e të rriturve të infektuar me llojin Delta të Kovid-19 në Izrael kanë qenë të vaksinuar me dy doza të vaksinës Pfizer, gjë që e detyroi qeverinë të rikthejë mbajtjen e maskës në mjedise të mbyllura dhe masa të tjera. Zbulimet preliminare të autoriteteve shëndetësore izraelite sugjerojnë që rreth 90% e infeksioneve të reja janë shkaktuar nga lloji Delta. Ran Balitzer, i cili kryeson komitetin këshillëdhënës të ekspertëve për Kovid-19 në qeverinë Izraelite, thotë se fëmijët nën moshën 16 vjeç, shumica e të cilëve nuk janë vaksinuar, përbëjnë rreth gjysmën e të infektuarve, thuhet në shkrimin e shpërndarë në postimin në Facebook.

 Por ajo që është problematike dhe konfuze për lexuesit është se sa njerëz të vaksinuar janë infektuar me llojin Delta. Në tekst nuk përmendet ndonjë një numër konkret, por vetëm përqindje që të përcjella në këtë mënyrë tingëllojnë të frikshme dhe mund të ngjallin panik dhe mendime se vaksinat kundër Kovid-19 nuk janë efikase.

Nëse kërkoni në Google, do të shihni se teksti që po e analizojmë është marrë nga„Wall Street Journal“. Artikulli në ” Wall Street Journal” i botuar më 27 qershor të vitit 2021, thotë se numri i të sapo infektuarve në bazë ditore është pak më shumë se 200. Gjysma e të sapo infektuarve janë fëmijë nën 16 vjeç të cilët nuk janë të vaksinuar.

Pra, numri i të rriturve të vaksinuar dhe të infektuar është rreth 100 në ditë. Nëse nisemi nga ajo që sugjeron titulli i tekstit që është subjekt i recenzionit tonë, që 50% e të rriturve që kanë pranuar të dy dozat e vaksinës „Pfizer” janë infektuar me llojin Delta, do të shohim se bëhet fjalë për 50 persona. Dhe kjo shifër nuk është aq e tmerrshme sa bëhet në këtë tekst, nëse e kemi parasysh që 5.17 milion njerëz në Izrael (56 përqind e popullsisë) kanë pranuar dozën e dytë të vaksinës.

Gjithashtu, përderisa në titullin e shkrimit që po recenzojmë thuhet që nga Izraeli po vjen një lajm i keq dhe përfundon me fjalët „lloji Delta po bën kërdi në Lidjen e Mesme”, titulli i shkrimit në „Wall Street Journal” është krejtësisht i ndryshëm dhe thotë se lloji Delta në Izrael „ka infektuar disa nga personat e vaksinuar.” (nënvizimi nga ne)

Epidemiologu kryesor izraelit tha se këto shifra nuk e paraqesin pasqyrën e plotë.

Njerëzit e vaksinuar që janë të infektuar pothuajse kurrë nuk janë të shtruar në spital, tha profesor Nadav Davidoviç, specialist i sëmundjeve infektive në Universitetin Ben Gurion. Ju keni një rënie (të numrit të rasteve të rënda) prej 90 deri në 95 përqind, raporton abc.net.au.

Ministria e shëndetësisë në Izrael ka publikuar  të dhëna se efikasiteti i vaksinës „Pfizer-Biontec” ka rënë ndjeshëm ditët e fundit. Që nga 6 qershori, efikasiteti i vaksinës në parandalimin e infeksionit ka rënë në 64 përqind. Megjithatë, vaksina ende ofron mbrojtje shumë të mirë kundër formave të rënda dhe trajtimit spitalor – 93 përqind.

Prandaj, mund të konkludojmë se shkrimi që po e recenzojmë nuk ka informacion shtesë në mënyrë që lexuesit të fitojnë një pasqyrë të plotë dhe të saktë të situatës në Izrael. Një rritje e tillë e përqindjeve pa numra konkret mund të ndikojë vetëm negativisht në procesin e imunizimit kundër Kovid-19.

Disklejmer Fact Check COVID19, verifikimi i fakteve, vertetematës

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button