Pandemia Kovid-19 është qetësuar, biletat falas të trenit për studentët dhe nxënësit mbeten të shfuqizuara

Bileta e trenit falas për të rinjtë nën 27 vjeç, studentët dhe nxënësit e shkollave të mesme mbeten të shfuqizuara. Për shkak të pandemisë kovid-19 dhe numrit në rritje të personave të infektuar, Qeveria e RMV-së vitin e kaluar vendosi që nga 19 mars 2020 të pezullojë përkohësisht lehtësirat për udhëtim falas me tren për të rinjtë, në mënyrë që të parandalojë përhapjen e koronavirusit në vend, njofton Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Pas më shumë se një viti e katër muajsh, biletat falas të trenave në vend ende janë të shfuqizuara, megjithëse numri i rasteve aktive të pacientëve me kovid-19 ka shënuar ulje drastike. “Meta.mk” parashtroi pyetje për Ministrinë e transportit dhe lidhjeve se kur do të hyjnë përsëri në fuqi biletat falas për trenat e udhëtarëve, por nuk morëm një datë të caktuar.

Lidhur me lehtësirat për udhëtim, nga Ministria thonë që ministri Bllagoj Boçvarski kishte një takim pune me përfaqësues të shoqatave studentore në vend, në të cilin u diskutua për kthimin e biletave falas. Sidoqoftë, vendimi përfundimtar për datën e hyrjes së tyre në fuqi do të duhet të merret në seancë qeveritare.

Para pandemisë kovid-19, të gjithë të rinjtë nën moshën 27 vjeç kishin të drejtë të përdorin bileta treni falas për të udhëtuar me tren pasagjerësh në çdo destinacion, çdo fundjavë të parë dhe të tretë të muajit. Për më tepër, studentët kishin të drejtë të udhëtonin me tren falas çdo të enjte, ndërsa nxënësit e shkollave të mesme në vend kishin mundësi të udhëtonin me tren falas çdo të mërkurë. Ky lehtësim për të udhëtuar me tren vlente edhe për të moshuarit, të cilët mund të udhëtonin me tren falas çdo fundjavë të dytë dhe të katërt të muajit.

Kujtojnë, në buxhetin e shtetit për këtë vit janë paraparë fonde në vlerë prej 6.5 milionë EUR për të mbuluar humbjet në trafikun hekurudhor të udhëtarëve të hekurudhave të RMV-së-Transporti, gjegjësisht për realizim të interesit publik – transporti hekurudhor i udhëtarëve, me të cilin shteti subvencionon biletat falas të trenit.

Përndryshe, pas një pauze prej disa muajsh, transporti falas për studentët në transportin publik të Shkupit u kthye verën e kaluar, ndërsa nxënësit e shkollave të mesme udhëtojnë falas në autobusët e qytetit të NQP-së dhe transportuesve privatë nga 1 shtatori 2020 deri në fund të vitit të kaluar shkollor.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button