RMV, mundësi e madhe për studentët, çdo vit e më shumë të interesuar për Erasmus+ (Infografik)

Erasmus+ është program i BE-së i cili e mbështet arsimin, trajnimin, rininë dhe sportin në Evropë. Pjesë e këtij programi janë edhe universitetet e RMV-së. Sipas tyre, interesimi i studentëve çdo vit e më shumë është në rritje për të marrë pjesë në këtë program. Të njëjtën e pohojnë edhe nga Agjencia Nacionale për Programe Studimore Evropiane dhe Mobilitet, shkruan Portalb.mk.

Programi Erasmus+ u mundëson studentëve të regjistruar në institucionet e arsimit të lartë të ndjekin një deri në dy semestra këmbimi apo dymbëdhjetë muaj praktikë në kompani apo institucione Evropiane. Gjatë kësaj periudhe, studentët marrin bursë financiare për t’i mbuluar harxhimet e tyre.

Sa e kanë shfrytëzuar studentët  RMV-së këtë program gjatë vitit akademik 2020/2021?

28 studentë nga Universiteti i Evropës Juglindore (UEJL) shfrytëzuan programin Erasmus+

Gjatë vitit akademik 2020/2021, në UEJL 28 studentë kanë ndjekur një semestër në kuadër të programit Erasmus+ në Evropë, kurse 5 studentë kanë kryer praktikë nëpër kompani-institucione evropiane. Nga ana tjetër, 20 këmbime semestrale dhe 6 praktika janë anuluar si rezultat i pandemisë. Për arsyen e njëjte vetëm 3 studentë të huaj mundën të ndjekin një semestër në UEJL.

“Si pasojë e pandemisë, vitin 2020/2021 numri i mobilitieteve të realizuara ka qenë më i ulët në krahasim me vitet paraprake. Ne kemi filluar me vetëm tre studentë në mobilitet në vitin 2012/2013 kurse viteve të fundit kemi arritur në rreth 70 mobilitete”, tha Bujar Sinani nga Zyra për Marrëdhënie Ndërkombëtare UEJL.

Universiteti i Tetovës(UT) nuk iu përgjigjën pyetjeve të Portalb.mk

Sidoqoftë, sipas të dhënave në ueb-faqen e UT-së  gjatë vitit akademik paraprak 2019/2020 Universiteti i Tetovës nga Agjencia Nacionale për Programe Studimore Europiane dhe Mobilitet  ka pasur të miratuar 60 mobilitete për studentë, 22 studentë e kanë shfrytëzuar programin Erasmus+ gjatë semestrit dimëror (18 për studime dhe 4 për praktikë) dhe 24 studentë në semestrin veror gjatë kohës se pandemisë (22 për studime dhe 2 për praktikë).

Asnjë student nga Universiteti “Nënë Tereza”(UNT) nuk pati mundësinë të shfrytëzojë këtë program

Nga Universiteti Nënë Tereza thonë se për shkak të pandemisë, gjatë vitit akademik 2020/2021 nuk kanë dërguar dhe as pranuar studentë për këmbim apo praktikë.

180 studentë në të gjithë RMV-në kanë realizuar mobilitet gjatë vitit akademik 2020/2021

Agjencia Nacionale për Programe Studimore Evropiane dhe Mobilitet është institucion publik i themeluar me ligj të miratuar nga Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut. Qëllimi i këtij institucioni është të punojë në promovimin dhe zbatimin e programeve evropiane në fushën e arsimit, trajnimit, rinisë dhe sporteve në RMV.

Nga ky institucion thonë se për vitin akademik 2020/21, një total prej 180 studentësh kanë realizuar këmbime semestrale dhe praktika, edhe përkundër kufizimeve në lëvizje si shkak i pandemisë. Duke pasur parasysh faktin që ende nuk janë futur të gjitha këmbimet në sistem, nga kjo agjenci presin një numër më të madh të shkëmbimeve dhe praktikave të realizuara diku rreth 300-350 kur edhe do të dorëzohen raportet përfundimtare nga universitetet.

Erasmus+, eksperiencë që çdo student duhet ta provojë

Ilir Kamberi

Ilir Kamberi, ka shfrytëzuar tri herë programin Erasmus+, dhe thotë që ka qenë vendimi më i mirë që e ka marrë gjatë periudhës së studimeve deri-diplomike dhe atyre pas-diplomike, sipas tij ky program ka përfitime multidimensionale dhe jo vetëm akademike.

“Është një nga eksperiencat më të mira të mundshme që një student mund ta përjetojë gjatë studimeve, për mua ka qenë më e mira andaj edhe e kam shfrytëzuar në maksimum. Nëse dikush ka dilema le të konsultohet me student që kanë qenë në shkëmbim studentor me programin Erasmus + dhe do të bindet që çdo kush duhet ta provojë këtë mundësi të artë”, tha Ilir Kamberi.

Interesi i studentëve për çdo vit e më i lartë për Erasmus+

Nga Agjencia Nacionale për Studime Evropiane dhe Mobilitet, Aleksandar Bogojevski thekson se interesi i studentëve është çdo vit më i lartë, me përjashtim të periudhës së pandemisë.

“Duke pasur parasysh numrin e studentëve të regjistruar, mendoj se interesimi i studentëve është në rritje të vazhdueshme. Ne po punojmë në drejtim të promovimit  të këtij programi dhe të gjitha aksioneve të tij, duke iu mundësuar studentëve të jenë pjesë e botës akademike në lëvizje”, tha Bujar Sinani nga Zyra për Marrëdhënie Ndërkombëtare UEJL.

Të njëjtën gjë thonë edhe nga UNT, nga ky universitet thonë se Erasmus + shfrytëzohet mjaftueshëm nga ana e studenteve. UNT që nga viti 2018 kur e ka fituar Charterin për programin Eramsus + nga Komisioni Euvopian, ka dërguar rreth 30 studentë ne mobilitet.

Agjencia Nacionale se para disa kohëve ka bërë një analizë/pyetësor për studentët që kanë qenë në këmbim me programin Erasmus+ ku një nga pyetjet ishte nëse ata do ta realizonin përsëri këmbimin apo praktikën e tyre, 87% e studentëve u përgjigjën se do të ri-realizonin shkëmbimin e tyre.

 “Ne presim që numri i shkëmbimeve të vazhdojë të rritet pasi të tejkalojmë pandeminë e Covid-19. Si shembull do të marr faktin që përpara pandemisë universitetet realizonin më shumë se 620 shkëmbime dhe praktika studentore në vit.”, tha Aleksandar Bogojevski nga Agjencia Nacionale.

Por, ka edhe studentë të cilët e evitojnë këtë mundësi

Ilir Kamberi thotë se arsyeja kryesore që shumë studentë janë skeptik ndaj këtij programi  është mungesa e vetëbesimit dhe mungesa e kurajos për të dalë nga zona e komfortit. Shumica e studentëve nuk e kanë provuar që të jetojnë vet në ndonjë vend tjetër andaj ju duket shumë sfiduese.

“I inkurajoj studentët që ti bashkëngjiten këtij projekti pavarësisht dilemave që mund të kenë. Jam i vetëdijshëm që është jo e rehatshme të dilet nga zona e komfortit dhe të përballesh me sfida të reja, por të jeni të bindur se ja vlen të përjetohet, kjo eksperiencë do të ngelet ndër kujtimet më të bukura në jetë” thekson Ilir Kamberi.

Ndryshe, gjatë muajit prill të këtij viti, është shpallur zyrtarisht programi Erasmus+ për periudhën 2021-2027. Agjencia Kombëtare për Programe Arsimore Evropiane dhe Mobilitet (AKPAEM) kumtoi se programi Erasmus+ gjatë kësaj periudhe do të ketë buxhetin historikisht më të lartë prej 28,4 miliardë euro në nivel evropian dhe parashikon mbi 10 milionë pjesëmarrës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button