ZOTI HAJRIN!

Nuk janë të paktë ata që mendojnë se gjëja më e përhershme që ka shoqëruar historikisht shqiptarët është mungesa e dashurisë seroize ndaj Atdheut, të cilin më lehtë e braktisin përgjithmonë se sa të bëjnë përpjekje të sfidojnë kastën e hajdutëve që e përmbys jetën, me shumë pak zëra kundërshtues.

Jo rastësisht, të paktën që nga epopeja Skënderbejane, trojet shqiptare, herë për shkak të dhunës së papërmbajtshme të armiqve më të fortë se ne, herë me fajin tonë, janë tkurrur në vazhdimësi, për çka flasin të dhënat statistikore prej të cilave e kuptojmë se më shumë territor kemi pasur në të shkuarën sesa sot. Lidhur me këtë, më ka rënë të lexoj diku se, një herë e një kohë, shqiptarët ishin në numër sa francezët, që sot janë disa dhjetra milionë, kurse ne vazhdojmë të jemi komb i vogël, që më shumë se brenda jetojmë jashtë vatrave tona, në të cilat na pret asimilimi i pashmangshëm.

Kur jemi te tkurrja e territoreve duhet ta pranojmë se më të dhembshme janë rastet e shitjes së tyre nga politikanët e papërgjegjshëm, që ndryshe prej burrështetasve të së shkuarës (Rilindësve, bie fjala) që  flijuan trashëgimitë e tyre për të bërë Shqipërinë, shesin copa Shqiptarie për çifliqe personale. Dhe që është më e keqja, këtë e bëjnë duke u mbrojtur me arsyetimin se gjoja nuk kanë mundësi të rrefuzojnë kërkesat e aleatëve të jashtëm, që i detyruakan të shkelin Kushtetutën dhe ligjet në fuqi.

Po përmend këtu vetëm dy raste tradhëtishë ordinere, njëri prej të cilëve është ai i shitjes së 12 miljeve të ujërave të Jonit të pasur me naftë, që iu premtua Greqisë me marrëveshje të fshehtë, që për shumëkë do ta dëmtojë rëndë të ardhmen e Shqipërisë dhe mund të jetë mollë sherri ndermjet dy vendeve fqinje. Tani grekët e kërkojnë me ngulm respektimin e marrëveshjes që shkel rëndë Kushtetutën e shtetit shqiptar të bërë nga një kastë  e mbrapshtë politike, që udhëheq diktaturën demokratike me parimet e Luigjit të 14-të, që thoshte: “Shteti jam unë”.

E ngjashme dhe po aq tragjike për të sotmen dhe të ardhmen tonë është dhe marrëveshja e Republikës së Kosovës me Malin e Zi, të cilit dikush ia fali disa mijëra hektar tokë, sikur u kishim ndonjë borxh mlazaziasve dhe shtetit të tyre fshat, siç e quante Gjergj Fishta, të banuar me një numër të madh fisesh të asimiluara shqiptare, prej të cilëve një pjesë e ka përzënë nga vatrat e tyre, kurse pjesën tjetër po e boshnjakëzon para hundëve leshatake të pushtetarëve shqiptarë.

Mjerisht, kështu si janë duke shkuar punët, Shqiptarët do të tkurren akoma më shumë, sepse tanimë nuk u kundërvihet kush politikanëve shpirtshitur, për të cilët interesi kombëtar është një asgjë e madhe. Thjesht, ata nuk e duan Shqiptarinë (respekt përjashtimeve!) dhe sillen ndaj saj sikur të ishte, jo nëna, po njerka e tyre. Shikoni çfarë bën Serbia për ta rikthyer Kosovën në kthetrat e saj ose për ta bërë të paktën shtet jofunksional? Ajo ka plane konkrete dhe punon për t’i realizuar ato, ndërkohë shqiptarët bëjnë gjum dhe mbështeten vetëm në aleatët e tyre. Serbia interesohet maksimalisht për disa mijera serbë që popullojnë qytezat e vogla të veriut të Kosovës, kurse shteti Amë i shqiptarëve s’e çanë fare kokën për gjysmën e vet të aneksuar dhunshëm nga fqinjët nëpërka. Serbia investon prej vitesh miliona euro për serbët e Kosovës. Së fundmi ka ndarë buxhetin prej 92 milionë eurosh, kurse dy qeveritë e shteteve shqiptare, që u takuan para disa vitesh me bujë në një takim të rëndomtë politikanësh, ndanë për Luginën e Preshevës 100.000 euro të zhugafta (secila nga 50.000) duka ua bërë me dije të gjithëve sa bie ora shqiptare.

Zoti hajrin!, do të thoshte gjyshi im i ndjerë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button