Investimet në zhvillimin e turizmit mbetën vetëm ëndërr për struganët

Edhe pse Struga ka shumë bukuri natyrore mungesa e investimeve po e zvarrit zhvillimin turistik në këtë qytet. Kryetari aktual i Komunës së Strugës, Ramiz Merko, në zgjedhjet lokale të vitit 2017 bëri një sërë premtimesh për zhvillimin e turizmit në Strugë. Megjithatë, në prag të zgjedhjeve të reja lokale vërehet se në Strugë shumë pak është bërë nga ajo që është premtuar, shkruan Portalb.mk.

“Banorët e Strugës do të krenohen me pasurinë e tyre kulturore dhe diversitetin. Trashëgimisë së
saj kulturore do t’i kthehet bukuria e mëhershme dhe rëndësia historike dhe ajo do të mund të përbëjë një pasuri të rëndësishme për zhvillimin e turizmit”, ishte zotimi që kryetari i Komunës së Strugës, Ramiz Merko, bëri para qytetarëve struganë në zgjedhjet lokale të vitit 2017. Në programin parazgjedhor “Për komunën që duam” (faqe 22/23), Merko listoi disa veprime të cilat ai do i ndërmerrte gjatë mandatit në krye të Strugës, ndër të cilat:

  • Ndërtimi i Sahat kullës
  • Renovimi i Hamamit të Strugës dhe përshtatjen e tij për galeri arti.

Në Strugë nuk është ndërtuar asnjë Sahat kullë gjatë këtyre katër vite, edhe pse si premtim është përsëritur disa herë.

Gjatë një interviste për Portalb dhe Vërtetmatës, në vitin 2018, Ramiz Merko edhe një herë e përmend si një projekt të rëndësishëm ndërtimin e Sahat kullës.

Aksioni konkret që qytetarët panë lidhur me këtë premtim ishe plani ideor i qendrës së qytetit që kishte në fokus prezantimin e projektit të parkingut nëntokësorë. Projekti ideor u publikua në fund të muajt maj të vitit 2021 nga mediat lokale.

Projekti ideor i Sahat Kullës në qendër të Strugës/ Burimi: StrugaLajm.com

Hamami i Strugës jo vetëm që nuk është rinovuar por është lënë në harresë nga institucionet

Një objekt i rëndësishëm kulturor në Strugë është edhe Hamami, një banjë publike tradicionale orientale që ndodhet afër qendrës së qytetit. Megjithatë ky objekt është lënë në harresë nga institucionet relevante. Gjatë fushatës zgjedhore në vitin 2017, kryetari Ramiz Merko, premtoi se do rinovojë dhe se këtë objekt do e përshtat si një galeri arti.

Gjatë inspektimit në terren të këtij objekti vërejtëm se nuk ishte bërë asnjë lëvizje për rinovim, objekti madje ishte në gjendje të mjerueshme i lënë mbas dore pa një mirëmbajtje dhe përkujdesje bazike. Objekti i vjetër historik ishte i mbuluar me barishte dhe mbeturina.

Hamami i vjetër i qytetit të Strugës/ Fotografuar më 28 gusht 2021

Gjatë vitit 2019 në Strugë kanë qëndruar 106 406 turistë, prej të cilëve 52 372 janë turistë vendas dhe 54 034 turistë të huaj. Si pasojë e pandemisë, në vitin 2020 numri i pushuesve në Strugë u përgjysmua. Në vitin 2020 në Strugë janë regjistruar gjithsej 62 484 turistë, prej të cilëve 54 930 janë turistë vendas dhe vetëm 7 554 turistë të huaj. Në Strugë ka kapacitete akomoduese për akomodim të 8-10 mijë turistë në ditë, që do të thotë se disponon me 4000 dhoma me 8-10 mijë shtretër (hotele, motele, autokampe, dhoma, apartamente, shtëpi dhe lloje tjera të akomodimit). Në tërë territorin e Strugës funksionojnë 60 restorante me karakter tradicional dhe bashkëkohor, 50 fast-food kapacitete dhe 60 kafeteri bashkëkohore për të gjitha preferencat dhe 20 agjenci turistike për organizim të udhëtimeve të turistëve. Megjithatë mungesa e investimeve në këtë qytet mban peng zhvillimin e turizmit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button