fbpx

Edhe pse Merko premtoi, Struga ende nuk ka parking nëntokësor

Qyteti i Strugës ende nuk është bërë me parking nëntokësor edhe pse kryetari i kësaj komune, Ramiz Merko, gjatë fushatës zgjedhore në vitin 2017 premtoi se do të ketë parking te sheshi i Strugës në partneritet publiko-privat. Vetëm disa muaj më parë nga Komuna u prezantua projekti ideor i parkingut nëntokësorë dhe emri i partnerit privat. Megjithatë në terren akoma nuk punohet për realizimin e këtij premtimi, shkruan Portalb.mk

Kryetari i Komunës së Strugës, Ramiz Merko, në programin e tij parazgjedhor “Për Komunën që duam” (faqe 16) në vitin 2017, dha premtimin për ndërtimin e parkingut nëntokësor në qendrën e Strugës. Premtimin e njëjtë Merko e thekson edhe gjatë një interviste për Portalb.mk në qershor të vitit 2018.

“Kemi premtuar një parking nëntokësor që do e bëjmë në sheshin e qytetit me partneritet privato-publik. Do me thënë po e përgatisim dokumentacionin dhe do e shfaqim të njëjtin. Do të bëjmë tenderim ndërkombëtar për 35 vite të mundet dikush ta shfrytëzojë por pas 35 vitesh do të kemi një pasuri për Komunën”, shprehet Ramiz Merko në minutën e 14.37 të intervistës.

Në dhjetor të vitit 2019 Vërtetmatësi bëri një verifikim në terren për të parë nëse po punohet në realizimin e këtij projekti. Vërtetmatësi.mk konstatoi se gjatë kësaj periudhe në Strugë, nuk kishte ndonjë iniciativë për ndërtimin e këtij parkingu nëntokësorë.

Në prill të këtij viti Ramiz Merko deklaroi për mediat vendase se po punohet një projekt për parking nëntokësorë në Strugë. Merko thekson se ka partner privat të interesuar për projektin.

“Me planin detal urbanistik të sjellës nga Komuna e Strugës, në sheshin nënë Tereza është parë parking nëntokësor me dy kate dhe ne kemi filluar shpuarjen gjeomekanike në thellësi prej 13 metra, për të parë gjendjen e tokës në këtë drejtim dhe mandej sipas gjendjes gjeomekanike të përgatisim edhe dokumentacion për projekt ideor dhe mandej projekt kryesor”,  tha Kryetari i Komunës së Strugës, Ramiz Merko.

Në fund të muajit maj, mediat lokale publikuan projektin ideor të parkingut nëntokësorë dhe investitorin privat të projektit, kompaninë “AS-INVEST” nga Struga.

Megjithatë në terren akoma nuk kanë filluar punimet për implementimin e projektit në fjalë. Edhe pas kaq shumë vitesh në qytetin e Strugës vazhdon të jetë aktuale situata e rënduar në komunikacion. Kaosi në komunikacion përkeqësohet sidomos gjatë verës, kur edhe fillon sezoni turistik dhe në Strugë vijnë qindra mërgimtarë.

Sipas verifikimeve të lartshënuara të Vërtetmatësit, ky premtim i kryetarit të Komunës së Strugës, Ramiz Merko, për ndërtimin e parkingut nëntokësor me partneritet publiko-privat, nuk është realizuar. 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button