Agjencia për Rini dhe Sport ende s’e ka gati ueb-faqen në gjuhën shqipe, pret donacion nga OSBE-ja

Ende nuk është gati versioni shqip i ueb-faqes së Agjencisë për Rini dhe Sport. Ata informojnë se do të pajisen me ueb-faqe të re, të cilën do ta marrin donacion nga OSBE-ja, dhe që duhet të lëshohet në përdorim në fund të gushtit ose shtatorit të këtij viti dhe e njëjta do të jetë në tre gjuhë, maqedonisht, shqip dhe anglisht, njofton Portalb.mk.

“Procedura tenderiale ka shkuar përmes OSBE-së , pra është donacion prej tyre dhe afati duhet të jetë deri në fund të gushtit, apo në shtator, pra atëherë duhet të na dorëzojnë sajtin. Pastaj, disa javë duhet të ketë testime dhe dy persona duhet të trajnohen që ta punojnë ueb-sajtin. Ata janë institucion ndërkombëtar dhe kanë procedura specifike, tani presim që sa më shpejtë dhe për këtë insistojmë gjatë takimeve që i kemi. Derisa ne e presim OSBE-në, ne punojnë në drejtim që të gjitha dokumentet, procedurat, rregulloret, punët e vazhdueshme që t’i përkthejmë në tre gjuhë”, thonë për Portalb.mk, nga Agjencia për Rini dhe Sport.

Në lidhje me atë se a kanë përkthyes të punësuar në Agjencinë për Rini dhe Sport, ata shprehën se kanë të angazhuar një person me kontratë në vepër, por s’kanë përkthyer të përhershëm të certifikuar.

“Ne përdorim persona të jashtëm për përkthim, kemi këtu të punësuar shqiptarë që ndihmojnë, por zyrtarisht me licencë nuk kemi. Për momentin ka të angazhuar person me kontratë në vepër, por nuk ka të punësuar të përhershëm”, thonë nga Agjencia për Rini dhe Sport.

Ndryshe, edhe pse kanë kaluar dy vite nga hyrja në fuqi e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve në Maqedoninë e Veriut, zbatimi i të njëjtit është shumë i zbehtë në praktikë. Neni 23 i këtij Ligji thotë se “Në afat prej një viti nga dita e hyrjes në fuqi e këtij ligji, të gjitha institucionet kompetente obligohen që t’i miratojnë aktet nënligjore për zbatimin e këtij Ligji”. Megjithatë, lëshime në zbatimin e këtij Ligji vërehen institucionet, si në nivel qendror ashtu edhe në nivel lokal.

Shembull që nuk e respekton këtë ligj me korrektësi është, Agjencia për Rini dhe Sport, i cili është institucioni i vetëm në Maqedoninë e Veriut i cili është përgjegjës për nevojat e rinisë dhe të sportit në vend. Ueb faqen e kanë vetëm në një gjuhë, atë maqedonase, duke u pamundësuar informimin e shqiptarëve të RMV-së në gjuhën amtare.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button