Kompanitë marin dritën jeshile nga Gjykata e BE-së të ndalojnë vendosjen e mbulesës në kokë

Gjykata Evropiane e Drejtësisë ka marrë vendim që kompanitë mund të ndalojnë vendosjen e mbulesës myslimane në kokë, me kushte të caktuara, shkruan REL, transmeton Portalb.mk.

Gjykata Evropiane e Drejtësisë, në vendimin e saj tha se kompanitë duhet të tregojnë një arsye të vërtetë kur vendosin që t’ia ndalojnë ndonjë punëtoreje vendosjen e mbulesës në kokë, dhe duhet të kenë parasysh kontekstin specifik kombëtar.

“Ndalimi i vendosjes së diçkaje që shpërfaq besime politike, filozofike apo fetare në vendin e punës, mund të arsyetohet me nevojën e punëdhënësit për të paraqitur një imazh neutral te konsumatorët, apo për të parandaluar mosmarrëveshje shoqërore, tha Gjykata.

“Megjithatë, ky arsyetim duhet të jetë në përputhje me nevojën e sinqertë të punëdhënësit dhe, bazuar në të drejtat dhe interesat në fjalë, gjykatat kombëtare mund të marrin parasysh kontekstin specifik të shtetit të tyre, me qëllim të mbrojtjes së lirisë fetare”, u tha në vendim.

Në qendër të këtij vendimi ka qenë rasti i dy grave myslimane në Gjermani, të cilat kanë çuar në gjyq punëdhënësit e tyre, pasi u është thënë të mos vendosin mbulesën.

Gjykatat gjermane tani do të vendosin nëse do të përdorin vendimin e Gjykatës Evropiane të Drejtësisë, kur të marrin vendimin përfundimtar për këto dy raste.

Ndryshe, shumë gra myslimane e konsiderojnë vendosjen e mbulesës në kokë, si element kyç të besimit të tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button