fbpx

Tetovë, këshilltarët e Aleancës për Shqiptarët e braktisën seancën e Këshillit Komunal

Këshilltarët komunal nga Aleanca për Shqiptarët gjatë ditës së sotme braktisën seancën e Këshillit të Komunës së Tetovës. Arsyeja e kësaj revolte ishte, mos-realizimi i pikës së rendit të ditës për pyetjet e këshilltarëve ndaj sektorëve dhe kryetarëve. Kryetari i Këshillit Komunal thotë se e ka pranuar kërkesën e këshilltarëve opozitarë, por ata mes vete s’kanë pasur koordinim, njofton Portalb.mk.

Sot, gjatë zhvillimit të seancës së këshillit komunal të Komunës së Tetovës këshilltarët nga radhët e ASH-së, braktisën seancën në shenjë revolte.

Arif Selami, këshilltar nga ASH-ja thotë se ky vendim u mor sot dhe u larguan nga seanca dhe qëndruan përballë komunës, jashtë seancës.

Arif Selami, këshilltar nga radhët e Aleancës për Shqiptarët.
Arif Selami, këshilltar nga radhët e Aleancës për Shqiptarët.

“Këtë hap e ndërmorëm sepse kemi kërkuar vazhdimisht, që pika e rendit të ditës për pyetjet e këshilltarëve ndaj sektorëve dhe kryetarëve, është zvarritur gati se me vjet edhe nuk është realizuar. Ne në mënyrë demonstrative e lëshuam seancën sepse nuk vijnë sektorët të cilët duhet tu përgjigjen pyetjeve të këshilltarëve apo edhe pikat e rendit të ditës që duhet të diskutohen, shpesh sektorët nuk janë aty”, tha Arif Selami.

Selami thotë që si këshilltarë ata kanë propozuar të për çdo seancë të ketë raport për punët që realizohen në teren në lidhje me hapjen e bulevardit Bllagoja Toska, dhe ku kanë mbërritur çdo javë dhe çdo muaj.

“Qytetarët duan ta dinë, është një çështje shumë me rëndësi për qytetin e Tetovës, për ta lehtësuar këtë kaosin urban që e kemi. Vendosëm që çdo seancë të kemi raport për punët në teren se deri ku kanë mbërritur me realizimin e këtij bulevardi. Edhe ne pasi vendosëm krejt bashkërisht prapë nuk ka raport të tillë që prej para dy seancave që e kemi marrë këtë vendim”, tha Selami duke shtuar se në shenjë revolti e lëshuan seancën, sepse sipas tyre nuk ka transparencë, nuk ka realizim, nuk ka përgjegjësi dhe aty nuk punohet asgjë.

Bekim Memeti, kryetar i Këshillit Komunal, Tetovë
Bekim Memeti, kryetar i Këshillit Komunal, Tetovë

Nga ana tjetër, kryetari i këshillit komunal të Tetovës, Bekim Memeti për çështjen e mos-realizimit të pyetjeve të këshilltarëve ndaj sektorëve dhe kryetarëve, tha se qëndrimi i këshilltarëve të ASH-së është e drejtë e tyre.

“Unë e pranova kërkesën e tyre mirëpo ata në mes vete kishin mos-koordinim”, tha Memeti.

Memeti tha se kërkesa për pyetje dhe përgjigje ndaj udhëheqësve të sektorëve dhe kryetares së Komunës është e gjithë këshilltarëve dhe jo vetëm e ASH-së.

“Në rend dite me unanimitet vendosëm për një seancë të veçantë ku do të jenë të ftuar të gjithë udhëheqësit e komunës dhe institucioneve tjera relevante në qytet”, tha Bekim Memeti.

Ndryshe, kjo është seanca e 46 e Këshillit te Komunës se Tetovë. Në rend dite ishin gjashtëmbëdhjetë pika, në mesin e të cilave, ribalanci i vogël dhe korrigjim i buxhetit, vendim për themelim të ndërmarrjes së varrezave ortodokse të qytetit, legalizime, ndihma që jepen për aktivitete të ndryshme, ndryshime dhe plotësime të statusit të shkollës së “Kikishit” dhe “Liria”, kërkesa për t’i liruar veturat me targa turke nga parkingu në mënyrë solidarizimi që Turqia ka dhuruar 30,000 vaksina, e njëjta kërkesë u dorëzua edhe te bordi drejtues dhe pika të tjera.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button