Shqipëri, ekzekutohet nga mafia Dritan Lamaj, ish shef i komisariatit

Kanë mjaftuar dy breshëri automatiku dhe krimi t’i marrë jetën një tjetër drejtuesi policie. Ish-shefi i komisariatit numër 6 në kryeqytetin shqiptar, Dritan Lamaj humbi jetën pasi është qëlluar dje rreth orës 18:45 minuta me armë në zonën e njohur me emrin “Vasil Shanto” në Tiranë.

Efektivët bëjnë të ditur se Lamaj, 41 vjeç, babai i një fëmije, ishte duke udhëtuar i vetëm në kryqëzimin e rrugës ‘Ibrahim Dervishi’ e ‘Petro Korçari’, me automjetin e tij tip Lancia, në momentin kur është qëlluar me breshëri kallashnikovi. Lamaj u dërgua në  gjendje të rëndë në Spitalin Ushtarak por mbërriti aty i pajetë, njofton Balkanweb. 

Sipas të dhënave të para të policisë, vrasja është një atentat i mirëfilltë mafioz. Sipas burimeve nga policia, autori apo autorët kanë studiuar çdo lëvizje të Lamaj dhe kanë gjetur momentin kur ai ndodhej i vetëm duke lëvizur me automjetin në errësirë në një zonë të pandriçuar, por shumë të populluar në këtë orë të mbrëmjes, tek “Vasil Shanto”. TV News24 mëson se autorët kane qenë me motor dhe se i kanë prerë rrugën Lamajt. Ata kanë zbrazur dy breshëri me kallashnikov në drejtim të xhamave të zinj të automjetit me të cilin udhëtonte Lamaj. Plumbat e njëpasnjëshëm nuk i kanë dhënë asnjë mundësi ish-shefit të komisariatit të largohet. Dëshmitarët pohojnë se autorët janë larguar me shpejtësi nga vendngjarja.

Për momentin nuk ka informacione për motivet e sulmit, por dyshimet e para bien “për shkak të detyrës”.

Policia tashmë ka shoqëruar dhe marrë në pyetje disa persona me të cilët Lamaj ka pasur konflikte të mëparshme, kurse janë vënë në dispozicion 100 mijë dollarë për çdi informacion të vlefshëm në drejtim të identifikimit të autorëve. 

Dritan Lamaj, pas detyrës në krye të Komisariatit numër 6, aktualisht punonte në një prej sektorëve të drejtorisë së Policisë së Përgjithshme të Shtetit. News24 mëson se Lamaj kishte bërë disa ankesa në prokurori për shkak të kërcënimeve që kishte marrë së fundmi. /Balkanweb

Lajme të ngjashme

Back to top button