Arsovski: Shteti ka ligj që garanton regjistrim të popullsisë sipas standardeve më të larta

Zëdhënësi i Qeverisë, Dushko Arsovski deklaroi sot se, po vazhdojnë në mënyrë intensive përgatitjet për regjistrimin që do të zbatohet në shtator të këtij viti, transmeton Portalb.mk.

“Regjistrimi në shtator do të zbatohet sipas standardeve më të larta statistikore”, theksoi Arsovski.

Ai tha se, Qeveria është e bindur se të gjithë aktorët dhe qytetarët e kuptojnë rëndësinë e këtij operacioni, posaçërisht që shteti ka ligj modern dhe metodologji që garanton se numërimi i popullsisë do të jetë sipas standardeve më të larta.

Arsovski theksoi se, konkursi i regjistruesve dhe instruktorëve do të shpallet më 20 korrik, ndërsa do të zgjas deri më 5 gusht. Aplikimi do të zhvillohet online në ueb faqen për regjistrim. Procesi i testimit dhe zgjedhjes dhe shpallja e listave përfundimtare të kandidatëve të zgjedhur pritet të përfundojë deri më 15 gusht.

Afati i zbatimit të këtij procesi të rëndësishëm pritej të jetë prilli i këtij viti. Megjithatë, përmes pazareve politike, Zaev dhe Mickoski, pa konsultim edhe të partive shqiptare opozitare, vendosën që ta shtyjnë këtë proces dhe të zhvillohet nga 5 deri më 30 shtator. Partitë shqiptare nga ana tjetër, nuk ishin aspak faktor për shtyrjen ose mos-shtyrjen e këtij procesi. Zaevi, përmes një bisede telefonike e informoi Ahmetin për vendimin që kishin marrë me Mickovski, kurse kreu i BDI-së vetëm i shtoi “aminin”.

Regjistrimi i fundit në Maqedoninë e Veriut është realizuar në vitin 2002. Dhjetë vjet më vonë apo në vitin 2011, ai nuk u mbajt për shkak të përplasjeve mes partive politike shqiptare dhe maqedonase, mbi mënyrën e realizimit, përkatësisht për përfshirjen ose jo të qytetarëve që janë jetojnë përkohësisht jashtë vendin, e që shumica prej tyre janë shqiptarë. Ishin shpenzuar dy milionë euro, ndërsa pati edhe një procedurë parahetimore kundër dy drejtuesve të koalicionit të atëhershëm qeveritar, Nikolla Gruevskit dhe Ali Ahmetit për ndërprerjen e regjistrimit, por kjo procedurë ka përfunduar pa epilog gjyqësor.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button