Organizatat e gazetarëve në RMV: Gazetarët e “Metamorfozis” me muaj përballen me linçim publik, MPB dhe Prokuroria nuk reagojnë

SPGM, SHGM, KEMM dhe IMM kërkojnë reagim urgjent nga MPB dhe Prokuroria Themelore pas thirrjeve të vazhdueshme të hapura për linçim të gazetarëve dhe të punësuarve tjerë në Fondacionin Metamorfozis, të cilat në mënyrë të organizuar shpërndahen nga grupe dhe individë në rrjetet sociale, a me atë e rrezikojnë edhe sigurinë e kolegëve tanë, thuhet në kumtesën e përbashkët.

“Rikujtojmë Fondacioni Metamorfozis ka dërguar në MPB dhe Prokurori paraqitje në nëntor dhe dhjetor të vitit të kaluar, kur kanë reaguar edhe organizatat e gazetarëve, duke kërkuar qasje proaktive nga MPB dhe Prokuroria Publike. Gjithashtu, rikujtojmë se prej atëherë nuk janë ndërmarrë masa me të cilat do të parandaloheshin dhe sanksionoheshin këto kërcënime, madje përkundrazi, të njëjtat vazhdojnë, a politika e mosndëshkueshmërisë mbetet e pranishme. Është e palejueshme që institucionet kompetente, MPB dhe Prokuroria Publike, me muaj të tëra ta mënjanojnë përgjegjësinë dhe të mos reagojnë në mënyrë përkatëse ndaj kërcënimeve të hapura ndaj gazetarëve, të cilëve u zbulohen të dhënat personale duke i ekspozuar ndaj rrezikut që të jenë shënjestër e sulmeve fizike”, thuhet në kumtesë.

Njëkohësisht, prej atje i rikujtojnë institucionet se efikasiteti i luftës me kërcënimet në rrjetet sociale nuk mbaron me gjetjen e personave që i kërcënojnë funksionarët e lartë.

“nga institucionet presim që të mos kenë standarde të dyfishta kur bëhet fjalë për gazetarë dhe punëtorë mediatik, veçmas kur ata janë të ekspozuar ndaj gjuhës së urrejtjes dhe thirrjeve për linçimin e tyre vetëm për shkak se e kryejnë profesionin e tyre”, shtohet në kumtesë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button