ASh-AAA: RMV-ja vend i pasigurt

Pas një hulumtimi për sigurinë relative të shteteve nga Forumi Ekonomik Botëror, respektivisht Instituti Global i Paqes, Maqedonia e Veriut është renditur në vendin e 125, gjegjësisht 66 vende më poshtë në krahasim me vitin 2019, kumtojnë nga Koalicioni Aleanca për Shqiptarët (ASh) dhe Alternativa (AAA), të cilat e konsiderojnë RMV-në si një vend të pasigurte, njofton Portalb.mk

“Ky hulumtim është realizuar në bazë të tre faktorëve themelorë që e përcaktojnë se sa është një shtet i sigurt edhe atë: lufta dhe paqja; siguria personale si dhe fatkeqësitë natyrore, përfshirë këtu dhe rreziqet që burojnë nga pandemia e COVID 19. Në këtë hulumtim kanë marrë pjesë 132 shtete. Sipas këtij hulumtimi, Maqedonia e Veriut është e rënditur në vendin e 125-të, krahasuar me vitin 2019 ka pësuar rënie prej 66 vendeve, ku ishte e 59-ta për nga siguria. Shtetet e rajonit janë të radhitura si vijon: Serbia në vendin e 34, Sllovenia në vendin e 47, Rumunia  në vendin e 51, Greqia në vendin e 58, Shqipëria në vendin e 63 dhe Kroacia në vendin e 74. Nisur nga kjo Maqedonia e Veriut është një vend mjaft i pasigurt, më saktë vetëm një pozitë më mirë se Jemeni, që është në luftë aktive të armatosur”, thuhet në kumtesën e ASH-AAA.

Ash dhe AAA thanë se  kjo qeveri, për fat të keq, ka dështuar në të gjitha planet me menaxhimin e pandemisë, ndërsa këtë sot e konfirmojnë edhe institucionet e pavarura ndërkombëtare.

“Rrjedhimisht, nëse do të kishte kulturë të përgjegjësisë, pas këtij raporti dikush duhej të jepte llogari, por – ashtu siç e ka bërë praktikë ky pushtet – këtu mungon llogaridhënia, ndërsa çmimin e kësaj papërgjegjësie e paguajnë qytetarët, shumë shpesh edhe me jetët e tyre”, thanë nga koalicioni ASh dhe AAA duke shtuar se kjo i bind edhe njëherë se kohëzgjatja jetës së këtij pushteti është në proporcion të drejtë me dëmtimin e jetës së qytetarëve të vendit tonë.

“Sa më shpejt që kjo qeveri largohet, aq më shpejt krijohet mundësi që qytetarët të çlirohen dhe të shpresojnë për jetë më të dinjitetshme”, thanë nga koalicioni ASh-AAA.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button