Pas bllokadave të opozitës maqedonase, propozim ligji për nënshtetësi do të dërgohet me flamur evropian

Pas pamundësisë që propozim ligji për nënshtetësi të kalojë në Komisioni për Mbrojtje dhe Siguri, për shkak të bllokadave të opozitës maqedonase, draft versioni i ligjit është dorëzuar në Qeveri që të miratohet dhe të ridërgohet në Kuvend me flamur evropian, shkruan Portalb.mk.

Propozim ligji, i propozuar nga koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa, është në rend dite në seancën e sotme të Qeverisë dhe pritet që të votohet gjatë ditës së sotme.

Deputeti i ASH-së, Syrija Rashidi, tha se një hap i këtillë vjen pas bllokadave të opozitës maqedonase në Komisionin për Mbrojtje dhe Siguri. Ai tha se dërgimi i ligjit me flamur evropian, është pjesë e marrëveshjes që kanë arritur me Qeverinë.

“Ju e dini se ne kemi pasur marrëveshje me Qeverinë, për të tejkaluar dallimet rreth propozimit tonë të parë dhe provuam që atë marrëveshje ta zbatojmë përmes procedurave në Kuvend, duke ndryshuar propozim ligjin e parë që kishim ne. Pas pengesave që ndodhën duke e keqpërdorur rregulloren e Kuvendit, ne thamë se kemi edhe alternativë tjetër se si do ta miratojmë ligjin. Pra, ligji mund të miratohet si propozim i Qeverisë me flamur evropian. Ajo që është në interes të opinionit, mund të themi se ne formën e pastruar të ligjit, konform marrëveshjes që kemi arritur me Qeverinë, ua kemi dorëzuar në Qeveri dhe presim që ata sot ta kenë në tavolinë dhe gjithashtu presim që sa më shpejt ta sjellim dhe ta propozojmë ligjin në Kuvend, ashtu siç jemi marrë vesh me flamur evropian, për t’iu ikur të gjitha mundësive për ta bllokuar ligjin. Ajo që presim gjithashtu është se, në seancën e parë të radhës më 15 korrik, ligji të jetë në Kuvend dhe mundësisht të jetë edhe pjesë e rendit të ditës së seancës së paraparë”, deklaroi Rashidi.

Sipas tij, ligji brenda vetes përbën elemente të legjislaturës evropiane dhe prandaj mund të dërgohet me flamur evropian. Në këtë mënyrë, shtoi ai, pritet që të shmangen pengesat e deritanishme nga ana e opozitës maqedonase në lidhje me këtë propozim ligj.

“Brenda ligjit ka shumë çështje që janë në harmonizim me legjislaturën evropiane. Mirëpo, nga ana tjetër është çështje e Qeverisë se në cilën dispozitë të rregullativës evropiane do të thirret dhe besoj se ata janë të vetëdijshëm se ka elemente brenda ligjit për t’u thirrur pikërisht në rregullativën evropiane.  Procedurat në Kuvend janë të qarta, ligjet që propozohen me flamur evropian, shqyrtohen në komisionin për çështje evropiane, aty debati është i kufizuar dhe mendoj se tashmë përfundimisht mund të shpresojmë që ky ligj të miratohet në Kuvend”, tha ai.

Që nga fillimi, propozim për nënshtetësi ka hasur në pengesa të ndryshme në Kuvend. Versioni i parë i këtij propozim ligji të dorëzuar nga koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa, u kontestua nga Qeveria për shkak se, në të parashihej që nënshtetësia të merrej, mes kushteve të tjera, me dëshminë e tre personave. Ky versioni ishte bllokuar në komisionin amë me qindra amendamente të dorëzuara nga VMRO – DPMNE dhe “E majta”. Pas kësaj edhe grupi parlamentar i Aleancës për Shqiptarët dhe Alternativën me mbi 32,000 amendamente bllokuan 20 ligje, mes të cilëve edhe vendimin për vazhdimin e gjendjes së krizës me rreth 400 amendamente, si kushtëzim për mbështetjen e Ligjit për Shtetësinë. Kjo solli në bllokim të punës së Kuvendit. Pas krijimit të kësaj situate, kryeministri Zoran Zaev dhe opozita shqiptare zhvilluan disa takime për të biseduar në lidhje me ligjin për nënshtetësi, të cilat rezultuan me marrëveshje, e cila parashihte që të opozita shqiptare të dorëzojë amendamente shtesë për përmirësim të ligjit.

Megjithatë, edhe pas marrëveshjes së arritur mes opozitës shqiptare dhe Qeverisë, ligji ka vazhduar të has në pengesa në Komisionin për Mbrojtje dhe Siguri, ku opozita maqedonase përmes diskutimeve procedurale të zgjatura dhe akuzave, ka pamundësuar debatin mbi amendamenteve të ASH – AAA.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button