Maqedonia në fund të Evropës sipas përqindjes së trajtimit të ujërave të ndotura (Infografik)

Maqedonia, së bashku me Serbinë dhe Kosovën, janë në fund të Evropës për sa i përket përqindjes së popullsisë që ka qasje në të paktën trajtim sekondar të ujërave të ndotura urbane, tregojnë të dhënat nga Eurostat dhe Enti shtetëror i statistikave. Në vitin 2018, vetëm 21.7 përqind e ujërave të ndotura urbane në vendin tonë janë trajtuar para se të derdhen në lumenj, liqene dhe ujëra nëntokësore, njofton Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Të dhënat tregojnë se vetëm Serbia (12.9%) dhe Kosova (0.6%) kanë një përqindje më të vogël të popullsisë me qasje në trajtim të ujërave të zeza. Nga vendet në rajon, në Shqipëri 33.6% e qytetarëve të këtij vendi fqinj kanë impiante për trajtim të ujërave të ndotura në vendbanimet e tyre, ndërsa 36.9% e banorëve të Kroacisë në 2018 kishin qasje në të paktën trajtimin sekondar të fekaleve të gjeneruara në shtëpitë e tyre .

Midis vendeve fqinje të Ballkanit, nga 2000 në 2018, Bullgaria pothuajse e ka dyfishuar përqindjen e popullsisë që ka qasje në objektet e infrastrukturës për trajtim të ujërave të zeza, nga 36,1 në 63,7 përqind. Letonia, e cila në vitin 2000 ka pas 56,2 përqind, gjithashtu arriti një sukses të jashtëzakonshëm, për t’u renditur e dyta midis vendeve anëtare të BE në 2018 me 98,7 përqind të popullsisë që kanë qasje në trajtimin sekondar të ujërave të zeza.

Së bashku me këtë vend baltik, Danimarka, Gjermania, Greqia, Luksemburgu, Hollanda, Austria dhe Suedia janë anëtare të BE-së në të cilat pothuajse e gjithë sasia e ujërave të zeza të krijuara nga familjet dhe kompanitë trajtohet para se të shkarkohen në ujërat mbitokësore dhe nëntokësore, gjegjësisht në mjedisin jetësor përreth.

Ritmi jashtëzakonisht i shpejtë i ndërtimit të infrastrukturës së trajtimit të ujërave të ndotura në Shtetet Anëtare të BE nuk duhet të jetë befasues, pasi Komisioni Evropian që në vitin 1991 e ka miratuar Direktivën për ujërat e zeza urbane (91/271 EEC), ku në nenin 5 është përcaktuar një kornizë kohore për të ndërtuar impiante të trajtimit të ujërave të ndotura për vendbanime më të mëdha brenda vendeve anëtare të BE-së. Me këtë Direktivë vendet anëtare të BE ngarkohen që deri në vitin 2000 të ndërtojnë impiante të trajtimit të ujërave të ndotura për vendbanime me më shumë se 15.000 banorë.

Edhe Maqedonia, si kandidat për anëtarësim në BE, në periudhën e ardhshme do të duhet të përshpejtojë ndërtimin e impianteve për trajtim të ujërave të zeza, të cilat ende mungojnë në qytetet kryesore si Shkupi, Tetova dhe Manastiri. “Meta.mk” më shumë se një vit ka shkruar për nevojën e ndërtimit të objekteve të tilla kapitale, të cilat do të zgjidhin problemin e ndotjes së ujit nga vendbanimet. Qeveria ka premtuar se deri në fund të vitit 2021 do të fillojë ndërtimi i impianteve për trajtim të ujërave të ndotura në Tetovë dhe Manastir, ndërsa realizimi i këtij projekti kapital në kryeqytetin e Maqedonisë duhet të fillojë jo më vonë se deri në gjysmën e parë të vitit 2022.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button