Dorëhiqet gjenerali amerikan nga Afganistani

Gjenerali amerikan që drejton luftën në Afganistan, Austin Miller, do të dorëhiqet nga komanda të hënën, në një akt simbolik të përfundimit të konfliktit më të gjatë në të cilin janë përfshirë Shtetet e Bashkuara. Lajmi u njoftua nga zyrtarë amerikanë dhe vjen në një kohë kur kryengritësit talebanë po fitojnë terren në këtë vend, shkruan Zëri i Amerikës, transmeton Portalb.mk.

Ceremonia në Kabul i papaprin fundit zyrtar të misionit ushtarak amerikan atje parashikuar të ndodhë më 31 gusht, një datë e caktuar nga Presidenti Joe Biden ndërsa ai kërkon të nxjerrë SHBA-në nga një luftë prej dy dekadash.

Ndërsa kjo sjell në një farë kuptimi mbylljen e një kapitulli për forcat amerikane që kanë shërbyer në Afganistan në vite, mbetet i paqartë fati i qeverisë afgane të mbështetur nga perëndimi, ndërsa forcat talibane po vazhdojnë operacionet e tyre dhe sot kontrollojnë më shumë territor se sa çdo herë tjetër që nga fillimi i konfliktit.

Gjenerali amerikan Kenneth McKenzie, Komanda Qendrore e të cilit me bazë në Florida mbikëqyr forcat amerikane në ato që njihen si rajone të nxehta përfshirë Afganistanin, Irakun dhe Sirinë, u nis drejt Kabulit për të nënvizuar ndihmën e SHBA-së në të ardhmen për forcat afgane të sigurisë.

“Pa dyshim do të jetë shumë ndryshe nga sa ishte në të kaluarën dhe unë nuk do ta minimizoj këtë gjë. Por ne do t’i mbështesim ata”, tha gjenerali McKenzie.

Por sipas tij Talebanët, duket se po kërkojnë “një zgjidhje ushtarake” për një luftë që Shtetet e Bashkuara janë përpjekur me sukses ta përfundojnë me një marrëveshje paqeje mes Talebanëve dhe qeverisë së Presidentit afgan Ashraf Ghani.

Ai paralajmëroi se kryeqytetet e provincave ndodhen në rrezik, por vuri në dukje se forcat afgane të sigurisë të mbështetura nga SHBA “janë të vendosura të luftojnë me vendosmëri për t’i mbrojtur ato”.

Pas largimit të gjeneralit Miller, përgjegjësia për të autorizuar sulmet ajrore kundër Talebanëve deri më 31 gusht do të jetë e gjeneralit McKenzie.

Ndryshe, pas 31 gushtit, gjenerali McKenzie thotë tha se misioni i tij do të përqëndrohet tek operacionet kundër terrorizmit, kundër al Kaedës dhe Shtetit Islamik.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button