Pandemia e kovid-19 ka ndikim jashtëzakonisht të madh në gjendjen psikike të të rinjve

Pandemia e kovid-19 ka ndikim jashtëzakonisht të madh në gjendjen psikike të të rinjve, që tashmë edhe lehtë i nënshtrohet ndryshimeve, dhe psikika e tyre është veçanërisht “e ndjeshme” kur ata janë në pubertet ose adoleshentë. Problemet u theksuan veçanërisht derisa ishin të mbyllur në shtëpi, nuk shoqëroheshin me shokët e tyre, nuk shkonin në shkollë, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Lidhur me atë se si ndikoi kriza e kovidit tek të rinjtë, psikologjia Dora Popova Uzunovski, në një bisedë me “Meta”, thotë se ajo të rinjtë do t’i ndante në tre kategori.

“Të rinj të cilët u përballën me krizën në mënyrë kreative dhe pozitive, ose ata që nuk e ndien fare pandeminë; të rinj te të cilët kriza ka shkaktuar ndryshime në sjellje, në mënyrën e të menduar dhe në ndjenjat, por që e kanë përballuar krizën me durim; të rinjtë të cilët me të vërtetë e kishin të vështirë të përballen me krizën dhe e tërë jeta e tyre ka ndryshuar, e përcjellë me gjendje negative të depresionit, ankthit me sulme paniku, mendime paranoide, frikë nga shoqërimi dhe dalja etj.”, thotë Popova Uzunovski .

Ajo shton se sipas praktikës së saj, numri i atyre që kërkojnë ndihmë është rritur, veçanërisht në mesin e adoleshentëve.

“Ata janë në periudhën më intensive të rritjes dhe zhvillimit ku ndodhin ndryshime të shumta dhe të fuqishme, kështu që mbyllja e krizës në veçanti ka pasur një ndikim të rëndë mbi ta. Sigurisht, rol të madh këtu luajnë edhe prindërit. Sa më shumë që prindërit ishin të frikësuar, aq më e vështirë ishte për fëmijët të përballeshin me krizën, kryesisht sepse ata nuk hasnin në mirëkuptim për nevojat e tyre”, shtoi Popova Uzunovski.

Problemet me të cilat përballen shumica e të rinjve lidhen me lirinë e tyre të lëvizjes dhe shprehjes.

“Sigurisht, kjo reflekton në jetën e tyre shoqërore. Nevoja mbizotëruese e të rinjve është nevoja për shoqërim dhe bashkëveprim shoqëror. Po më pyetni nëse këto probleme ndikojnë në komunikimin me familjen. Unë ju them, këto probleme janë shkaktuar kryesisht nga familja dhe mënyra sesi familja në tërësi është përballur me krizën. Një person që jeton në frikë nuk është në gjendje të sigurojë mbështetje dhe mirëkuptim. Shumë të rinj u mbyllën në dhomat e tyre dhe nuk dolën nga aty për një kohë të gjatë. Ata mbetën vetëm në traumë, për arsyen e thjeshtë se nëse kërkonin mbështetjen e prindërve të tyre të frikësuar u thuhej se situata ishte ashtu siç ishte dhe se ata duhej të përshtateshin dhe ta pranojnë atë. Sigurisht, çdo familje është një storje më vete, nuk po them se ky është fenomen i përgjithshëm, vetëm e dhashë atë si një nga shembujt”, shtoi ajo.

Popova Uzunovski shpjegon se nëse situata do të jetë kalimtare apo do të lërë pasoja të qëndrueshme, varet nga shumë faktorë, kurse mbi të gjitha, nga ajo sa do të zgjasë pandemia dhe çfarë tjetër do të vijë më pas.

“Megjithatë, e dimë që ajo nuk ka mbaruar. Sa më shumë të zgjasë, aq më të afatgjata do të jenë pasojat. Problemi është se shprehitë nuk janë vetëm psikologjike. Kur një sjellje bëhet e përsëritur për një periudhë të gjatë kohore, formohet shprehia, i cila lëshohet në nivel trupor, fiziologjik, ndërsa shprehitë e tjera që nuk përdoren një kohë më të gjatë shuhen. Në fillim përmenda që ka individë që u përballën pozitivisht dhe në mënyrë efektive me krizën, ata madje as nuk e ndjenë atë. Pasojat që do të pasojnë, në një farë mase, përsëri do të varen nga kapacitetet e personit dhe nga mekanizmat e shëndetshëm ose të sëmurë dhimbshëm të përballimit”, shpjegon Popova Uzunovski.

Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe thotë se tani duhet të punohet me fëmijët që e kanë ndryshuar mënyrën e tyre të jetës dhe kanë problem sepse shoqërimi i tyre është ndërprerë dhe ata do të duhet të ri shoqërohen. Siç shpjegoi ai, kjo kërkon një qasje tjetër, njerëz që do të jenë të pranishëm në terren të gatshëm dhe të arsimuar për të njohur ato probleme në mënyrë që ata të mund t’u dalin të rinjve në ndihmë.

“Një studim nga Universiteti i Harvardit me disa universitete të tjera në Shtetet e Bashkuara zbuloi se shëndeti mendor ende nuk është ashtu si duhet të jetë. Gjegjësisht se kriza ka lënë pasoja në relacion me të gjithë elementët e vërejtur te pjesëmarrësit në atë studim, si probleme të shëndetit mendor në fushën e ankthit, frikës, sulmeve të panikut, është ende janë të pranishme. Kjo do të thotë që pas përfundimit të krizës duhet të punojmë shumë intenzivisht. Një nga karakteristikat më të mëdha e krizës shëndetësore që askush nuk e priste ishte se duhej të ishim të ndarë, që është krejtësisht e kundërta e asaj që na mëson evolucioni. Kurse evolucioni na mëson të shoqërohemi, të zgjidhim së bashku problemet dhe tani kemi një situatë në të cilën duhet të jemi veçanërisht të ndarë kur dikush diagnostikohet ose izolohet, dhe si shtesë mbi të gjitha është frika që nuk mund të ndahet dhe komunikohet, gjë që paraqet një tjetër problem shtesë,” tha Filipçe në hapjen e Qendrës për mbështetje Psikosociale të Kryqit të kuq.

Ai informoi se me kolegët nga Serbia dhe UNICEF-i kanë iniciuar një projekt të përbashkët për ngritjen e nivelit të njohurive dhe trajnimeve te psikologëve shkollorë, psikiatrit në njohjen e sfidave psikologjike të më të rinjve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button