Presidentja Vjosa Osmani: Dhimbjen e nënave të Srebrenicës e ndajmë bashkërisht

Udhëheqësit e institucioneve të larta në Kosovë kanë përkujtuar viktimat e gjenocidit të Srebrenicës në Bosnjë dhe Hercegovinë për nder të përvjetorit të 26-të të kësaj tragjedie, transmeton Anadolu Agency (AA).

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, nëpërmjet një shkrimi në rrjetet sociale, ka thënë se sot bota kujton “barbarinë e paparë të forcave gjenocidale të regjimit serb të Millosheviqit”.

“Sot dhimbjen e nënave të Srebrenicës e ndajmë bashkërisht! Mbetjet mortore të 19 të vrarëve atëkohë sot do të kenë adresën e përhershme. Një 16-vjeçar do të jetë në mesin e atyre që do të varrosen sot, 26-vjet pas vrasjes”, tha Osmani.

Presidentja kosovare tha se askush sikurse Kosova nuk e njeh më mirë dhimbjen e Srebrenicës, ndërsa shumë masakra që kanë ndodhur në Kosovë, janë pjesë e të njëjtës dhimbje dhe përjetimi.

“Akte të tilla barbare duhet të marrin gjykimin e drejtësisë, por edhe të historisë. Srebrenica është kujtesa jonë e freskët dhe leksion se krimet e padënuara përbëjnë bazë që ato të përsëriten”, shtoi Osmani.

Për nder të 11 Korrikut, përvjetorit të gjenocidit të Srebrenicës, ka shkruar sot edhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili u lut që Ballkani, e as bota, të mos kenë më viktima të tilla.

Kurti nënvizoi që 11 Korrikun, institucione të ndryshme ndërkombëtare e kanë shpallur datë të përkujtimit të masakrës më mizore që ka njohur Evropa pas Luftës së Dytë Botërore.

Kryeministri kosovar ritheksoi se Kuvendi i Kosovës, miratoi ditë më parë një rezolutë e cila dënon gjenocidin në Srebrenicë, ndërsa ndër të tjera në rezolutë ftohen shtetet e rajonit që “të bëjnë përpjekje shtesë për t’i nxjerrë para drejtësisë të gjithë ata që janë përgjegjës për planifikimin dhe kryerjen e gjenocidit në Srebrenicë”.

“Ne duam paqe, bashkëpunim dhe barazi mes kombeve në Ballkan. Por themeli i asaj paqeje është ndëshkimi i kriminelëve. Është e pamendueshme se si, edhe në shekullin XXI, ka politikanë në rajonin tonë, që thonë se ata që kërkojnë ndëshkimin e fajtorëve për gjenocid qenkan kundër dialogut e kundër fqinjësisë së mirë”, tha Kurti, duke shtuar se e vetmja fqinjësi e mirë zhvillohet duke dënuar krimet dhe duke vendosur drejtësi.

Sot, në 26-vjetorin e gjenocidit të Srebrenicës, do të varrosen 19 viktima të tjera të identifikuara gjatë vitit të kaluar, më i riu prej të cilëve ishte 16 vjeç kur u vra. Ndërkaq, kërkimi për rreth 1.000 persona të zhdukur nga Srebrenica ende vazhdon.

Kujtojmë se më shumë se 8.000 meshkuj muslimanë boshnjakë u vranë në Srebrenicë pasi forcat serbe sulmuan “zonën e sigurt” të Srebrenicës në korrik të vitit 1995.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button