Bytyqi – Petrov: Do të ndahen 5,7 mln euro për 103 projekte të kompanive për rritje të përshpejtuar

Gjithsej 5,7 milionë euro do të ndahen për mbështetjen e 103 kompanive, projektet e të cilave janë miratuar për mbështetje financiare në thirrjen publike “Grantet e bashkëfinancuara për zhvillimin teknologjik për rritje të përshpejtuar”, njoftuan sot në një konferencë të përbashkët shtypi zëvendëskryeministri i Qeverisë, përgjegjës për çështje ekonomike, koordinim me resorët ekonomikë dhe investimet, Fatmir Bytyqi dhe drejtori i  Fondit të Inovacioneve dhe Zhvillimit Teknologjik, Kosta Petrov, transmeton Portalb.mk.

Zëvendëskryeministri Bytyqi tha se se një numër rekord i aplikacioneve ishin dorëzuar në këtë thirrje publike, gjë që dëshmon se në vendin tonë ekziston një numër vërtet i madh i entuziastëve dhe ndërmarrësve të cilët, falë instrumenteve të tilla, marrin guximin të krijojnë një projekt dhe ta bëjnë atë realitet.

“Me përzgjedhjen përfundimtare pas thirrjes publike për grante të bashkëfinancuara për zhvillimin teknologjik, u miratua mbështetja e gjithsej 103 kompanive me 2149 të punësuar. Siç është zakon me instrumentet e FIZHT, shumica janë kompani të vogla, gjithsej 69, mikro kompani janë 21 dhe kompani të mesme janë 13. Krahasuar me vitin e kaluar dhe me Thirrjen Publike për grantet e bashkëfinancuara për adaptim të shpejtë nga Covid-19, për të cilat buxheti arriti në 1,5 milionë euro, sivjet kompanitë e zgjedhura do të marrin mbështetje në vlerë prej 5,7 milionë euro, që shënon një rritje të financave për 280%, me vlerë të përgjithshme të projekteve prej 11 milionë euro”, theksoi Bytyqi.

Kosta Petrov

Drejtori i FIZHT, Kosta Petrov, tha se nga projektet e miratuara, 81 janë të reja, ndërsa 22 janë kompani që tashmë janë përfituese të mbështetjes financiare për disa nga thirrjet publike të FIZHT. Ai theksoi se me këtë thirrje publike, FIZHT inkurajoi të rinjtë për të zhvilluar zgjidhje dhe mundësi inovative për të përballuar sfidat me të cilat përballen, zgjoi interes të madh, siç dëshmohet nga fakti se kjo thirrje publike mori një numër rekord të aplikimeve të 706 kompanive, nga të cilat 540 janë kompani që aplikojnë për herë të parë në një nga thirrjet publike të Fondit.

“Kompanitë e zgjedhura do të punojnë në projekte në 16 fusha të ndryshme, kryesisht nga: industria e teknologjisë, ndërtimtaria, shëndetësia dhe bujqësia. Sa i përket strukturës organizative, 62 kompani janë SHPKNJP, 31 kompani janë SHPK, 9 janë ISHP dhe një kompani është SHA. “Shumica e kompanive (74) janë mbi 6 vjeç, ndërsa kompanitë e tjera (29) janë startap kompani”, tha Petrov.

Drejtori i Fondit gjithashtu shprehu kënaqësinë e tij që gjithnjë e më shumë kompani, të udhëhequra nga gratë, po aplikojnë me projekte cilësore në instrumentet e Fondit.

“Në mënyrë që të zhvillohet ndërmarrësia e grave, një fakt pozitiv është se ka një interes të shtuar në mesin e grave ndërmarrëse nga të gjitha rajonet në vend, kështu që analizat e FIZHT tregojnë se 70 kompani kanë një grua si pronare ose menaxhere. Kompanitë vijnë nga 20 qytete nga i gjithë vendi, kryesisht nga: Shkupi, Strumica, Tetova, Gostivari dhe Manastiri”, tha Petrov.

Drejtori i Fondit e shpjegoi gjithë procedurën deri në zgjedhjen përfundimtare. Ai tha se me lansimin e thirrjes, Fondi u përball me interesimin më të madh, rekord të shprehur për instrumentet e FIZHT nga kompanitë, për bashkëfinancim të përbashkët. Mbi 700 kompani aplikuan për këtë thirrje publike, me ç’rast shuma e kërkuar ishte 6 herë mbi buxhetin e përgjithshëm prej 6 milionë euro.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button