fbpx

Koha për të festuar përsëri, rimëkëmbja e industrisë së eventeve familjare

Eventet respektivisht festimet familjare përbëjnë një organizim apo kompozim të aktiviteteve përmes të cilave individë ose grupe njerëzish shënojnë apo festojnë për raste dhe qëllime të ndryshme.  Këto festime kanë  karakter individual, grupor, familjar e social dhe ngërthejnë në vete shumë veprimtari të ndërlidhura mes veti. Forma më e shpeshtë dhe më e rëndësishme e këtyre eventeve është dasma. Kjo formë e festimit me rastin e fejesës, martesës, (synetisë tek komuniteti mysliman), ditë të lehonave, shënimit të ditëlindjeve e përvjetorëve të ndryshme të shoqëruara me ceremoni të gëzueshme, muzikë, filmime, fotografime dhe të ngjashme.

Fjala dasmë që nga dita kur nisi pandemia e covid 19 u përçap në shkrime dhe postime të gazetareske në mediume dhe portale të ndryshme, jo pa arsye. U thanë dhe po thuhen e shkruhen shumë e shumë fjalë pro e contra. Shumëkush doli me teza kundër vazhdimit të tyre, madje pati dhe nga ata që dasmat i konsideronin të dëmshme për shoqërinë tonë e në veçanti për emigracionin. Por a kanë këta të drejtë dhe si ndikojnë këto solemnitete familjare në aspekt social, ekonomik, zhvillimor të një vendi?

Eventet familjare kanë qenë dhe janë aktivitete por dhe kënaqësi që njerëzit i kanë bërë qysh në kohërat e vjetra. Të njëjtat me kalimin e kohës ndryshuan në format organizative, llojet e aktiviteteve që kryhen, vendet dhe hapësirat, numri i të ftuarve, periudhat kohore në të cilat ato realizohen dhe të ngjashme. Përderisa, dikur dasmat shqiptare organizoheshin në ambientet shtëpiake dhe oborre, sot ato kryesisht janë të zhvendosura në lokale dhe restorante. Dikur gratë dhe ashçitë (kuzhinier të njohur vendas) gatuanin në një pjesë të oborrit shtëpiak, sot përgatitja e ushqimeve dhe pijeve edhe në rastin kur kemi ketering kryhet nga bizneset restorantore. Edhe veshjet e nusërisë, dhëndërisë dhe të tjerëve, si pjesë e rëndësishme e festave familjare ndryshuan për nga forma, numri, krijuesi e prodhuese. Sot në përgatitjen e veshjeve për momentet festive janë të involvuara një sërë artizanatesh, stilistë dhe atelie të shumtë, të cilët ofrojnë shërbimet e tyre për çiftet e reja dhe jo vetëm pasi ata ofrojnë veshje edhe për pjesëmarrësit e tjerë, ndërkaq tërë veshjet vite më parë janë përgatitur, qepur e qëndisur nga familjarë.

Dasmat tradicionale ndër ne dikur zgjasnin me javë apo me ditë të tëra . Edhe nga aspekti I vëllimit dhe harxhimeve nuk është se kanë qenë të vogla. Sot gjërat kanë ndryshuar për të mire edhepse, aty këtu, ka  mendime se dasmat e sodit janë të kushtueshme dhe kanë dale nga korniza e normalitetit. Dasmat e sodit për kah kohëzgjatja janë më të shkurtra dhe shumëçka bëhet jashtë normave  tradicionale.  Organizatorët e dasmës dikur kujdeseshin për adaptimin e shtëpive për festë.  Tani këtë rol e kanë marrë ndërmarrjet profesionale që hasen me emra të ndryshëm e të cilat kanë punësuar profesionist siç janë: menaxherët për organizime, floristët, dekoratorët e makinave, kopshteve e ambienteve, animatorët e ndryshëm, xhiruesit e materialeve audiovizuele, fotografët, muzicienët e DJ-të, shoqëritë valltare, artistët e grimit dhe të ngjashëm. Sot kjo industri zë një vend të rëndësishëm në ekonomi pasi evolucioni ka bërë të veten!

Lidhur me festat familjare të tipit të dasmave kohën e fundit janë ngritur ca dilema. Ka zëra që mendojnë se disa elemente të këtyre eventeve familjare janë ekzagjeruar që është normale, se tepërina dhe tejkalime ka në çdo pore të jetës. Por thirrjet që bëhen nga disa që të ndalen festat dhe dasmat më duken të pamatura. Çdokush ka jetën e vet dhe kohën dhe mjetet e lira I organizon siç di vet. Mendja ma merr se festat dhe manifestimet e tilla do të bëhen derisa të ekzistojë njerëzimi por ndoshta do të ndryshojnë format dhe elementet organizative. Por ndaj mendimin se festat familjare duhet shikuar nga shumë këndvështrime.

Shikuar nga aspekti psikologjik këto ndryshime sipas psikologut Edmond Dragoti, kanë si bazë konceptimin e dasmës në shoqërinë shqiptare të orientuar drejt fisit dhe grupit dhe apo drejt individualizmit .  Në një  emision “Debat Plus” Sociologu Besim Gollopeni shpjegon se dasmat në gjithë botën janë ngjarje të veçanta e jetës si për çiftin, por edhe për rrethin familjar.

Shikuar nga aspekti ekonomik industria veprimtaria ekonomike e njohur si industri e dasmave, është kategori e re nder ne. Kjo paraqet një lokomotivë e cila tërheq pas veti një sërë veprimtarish të ndërlidhura me konsumin e kësaj natyre. Konsumi i tillë  si kategori kryesore ekonomike është bazë nga i cili bëhen të gjitha përllogaritjet.  Konsumi i evenimenteve, në rastin tonë, i përfshin të gjitha fondet të cilat porositësit apo klientela e kësaj veprimtarie kërkon ti  shpenzojnë për kënaqësinë e nevojave të tyre. Ky konsum i eventeve ka funksion multiplikativ dhe në krijimin e tij të merr pjesë një amalgamë veprimtarish si në mënyrë të drejtpërdrejtë ashtue dhe të tërthortë. Në realizimin dhe plotësimin e nevojave të kësaj kategorie të konsumatorëve marrin pjesë drejtpërsëdrejti shumë biznese, siç janë: ndërmarrjet hoteliere e restorantore, shërbimet muzikore, shërbimet filmimit dhe fotografimit, dekorit, veshjet, dhënësit e shërbimeve të barbikjus apo keteringe, biznese të specializuara për planifikim dhe organizimin e eventeve dhe të ngjashme.

Bizneset e tilla marrin pjesën më të madhe të “ kulaçit” total të quajtur konsumi i eventeve. Megjithatë, të ardhura nga kjo veprimtari në mënyrë të tërthortë realizojnë edhe sektorët e tjerë siç janë: ndërtimtaria, tregtia, komunikacioni dhe të tjera. Efektet multiplikative të kësaj industrie ndodhin përmes qarkullimit të mjeteve nga konsumi i realizuar për evente. Këto mjete qarkullojnë në të gjithë ekonominë duke pasur ndikime ekonomike për të gjithë subjektet ekonomike dhe joekonomike në vend. Poqese do të kishim kërkime shkencore rreth efektit multiplikativ të kësaj industrie të re,  do të kishim rezultate të cilat do të na shpjegonin sa janë të ardhurat për vendin apo shtetin nga  në bazë të tatimeve dhe taksave, pastaj efektet në zmadhimin e punësimit, investimeve etj.  Njëri ndër ndikimet më të mëdha të industrisë së eventeve është kontributi i tij për rritjen e punësimit. Punësimi është segment i rëndësishëm për çdo vend e shtet sepse në atë mënyrë zgjidhen pyetjet më ekzistenciale të njerëzve dhe zvogëlohen problemet sociale në vend.

Nevojat për evente  janë pjesë e nevojave të përgjithshme të njerëzve. Ato duhet hulumtuar njëjtë sikur nevojat e tjera njerëzore. Edhe përkundër faktit se ka zëra se ato nuk ekzistojnë. Por si të shpjegohet fakti si në perëndim ashtu dhe në lindje eventet janë pjesë përbërëse e jetës së njeriut. Janë pjesë e nevojave që i takojnë të a.q. grupit të nevojave plotësuese dhe të njëjtat do të evoluojnë konform ndryshimeve shoqërore dhe zhvillimore. Këto nevoja shpesh herë janë të ndikuara nga faktorët irracionalë bazohen në gjendjet e caktuara psikologjike te njerëzit të cilët përcaktojnë sjelljen e tyre të arsyeshme e cila nuk mund të kuptohet ose të shpjegohet. Shumë njerëz të influencuar nga emocionet, mallëngjimi për të afërmit, moda, dashuria, prestigji, snobizmi, dhe të ngjashëm vendosin që një pjesë të të ardhurave të veta t i ndajnë dhe ti harxhojnë për evente për shënimin e rasteve të ndryshme të jetës së tyre. Kuptohet se konsumi i eventeve krijohet kur bartësit e nevojave individuale duan të shënojnë momentet më të këndshme në jetë. Këta individë kanë të holla dhe kanë dëshirë që këto mjete t i harxhojnë për të realizuar nevojat për evente.

Hulumtimi i tregut, sot mund të konsiderohet si disiplinë e zhvilluar shkencore, e cila është e bazuar në shumë shkenca siç janë: matematika, statistika, teoria ekonomike, psikologjia, sociologjia, etj. Si pjesë e tregut të përgjithshëm edhe ai i industrisë së eventeve, si treg i ri me mjaft impakte në ekonominë vendase duhet të jetë objekt i hulumtimit shumëdimensional nga bartësit e aktiviteteve të eventeve. Ky treg i eventeve karakterizohet edhe nga dinamizmi i lartë i faktorëve që shkaktojnë ndryshime të shpejta në marrëdhëniet midis kërkesës dhe ofertës së eventeve.

Temat rreth dhe përreth kësaj industrie të re morën hov në kohën e pandemisë. Kjo nga fakti se OBSH-së me një fjalë rreptësishtë ndaloi grupimet e në veçanti eventet pasi të njëjtat paraqitnin faktor rreziku për shëndetin e masave të përgjithshme popullore, në mbarë rruzullin tokësor. Kjo ndalesë nxiti probleme edhe për bizneset por edhe për individët të cilët kishin planifikuar të realizojnë evente familjare për shënimin e rasteve të ndryshme. Industria e eventeve sipas të dhënave të shumta ka pasur humbje ekstreme.  Në shumë vende të botës u anuluan me mijëra evente si p. sh. në Itali 80 mijë dasma u anuluan në periudhën mars qershor të vitit të kaluar.

Dhe sot e kësaj dite humbjet janë marramendëse edhepse në kohën që shkruajmë ka ca lehtësira. Institucionet dhe organet kompetente kanë tentuar dhe atë e bëjnë dhe sot për të përpiluar protokolle e masa me qëllim që të dilet nga ky ngërç i ekonomisë globale në sferën e bizneseve të eventeve.

Individ dhe afaristë të ndryshëm edhe në këtë sezon të vitit,  të dytit me radhë,  janë duke u marrë me planifikimin dhe organizimin e eventeve familjar në kushte pak më të relaksuara kovidiane. Në shtete të ndryshme  edhe këtë sezonë sipas specialistëve të kësaj çështjeje,  ky segment i veprimtarive shërbyese duhet të kalkulojë se mund të përballet me humbje financiare nga koronavirusi. Në Itali p.sh. në vitin 2020 u anuluan diku 80 mijë dasma në periudhën mars-prill.  Sipas shoqatës Assoeventi, industria e dasmave në Itali po vuan jashtëzakonisht shumë, dhe humbjet variojnë mes 80 dhe 100 përqind. Edhepse Italia ka filluar të lehtësojë kufizimet e saj, çiftet do mund të martohen, por nuk mund të presin të organizojnë darka të mëdha për të festuar. Njohësit e rrethanave të kësaj industri thonë se po përgatiten për një vit të tërë me humbje financiare nga koronavirusi. Bizneset në industri duhet të përballen me humbjen e miliarda eurove.

Industria e eventeve ndër ne është e lidhur me qëndrimin e mërgimtarëve në vendlindje. Kjo është si rrjedhojë e takimit të familjeve që janë në mërgim gjithandej dhe pjesës së popullatës në vend. Fluksi më i madh i mërgimtarëve është në muajt e verës, kur qindra mijëra mërgimtarë, të diasporës kalojnë pushimet e gjata në vendlindje, duke u bërë kështu pjesë e ‘sezonit të dasmave’. Sipas një hulumtimi të UNDP, në Republikën e Kosovës, por jo vetëm, mërgimtarët shpenzuan gati 1.3 miliardë euro vetëm në vitin 2019, ku rreth gjysma e kësaj shume u shpenzua në muajt korrik dhe gusht e që mund të lidhet me konsumin e eventeve.

Dhe përderisa ekonomia e vendeve ku jetojnë shqiptarët varet kryesisht nga remitancat e emigracionit industria e dasmave do të ngel edhe më tej bartësi kryesor i zhvillimit të gjithmbarshëm të jetës ekonomike dhe jo vetëm. Megjithëse lidhjet me vendlindjen mbeten ende të forta, brezi i dytë dhe i tretë i diasporës po integrohet gjithnjë e më shumë në Zvicër, Gjermani, SHBA, dhe shtetet e tjera perëndimore. Kjo ka ndikuar që një pjesë e konsiderueshme e këtyre brezave dasmat i organizojnë në vendet ku jetojnë, pasi që tani ata kanë familjarët e ngushtë atje. Kjo dhe arsyet e përmendura më lart duhet ndikuar te vendimmarrësit e cilit do nivel qoftë, që t’ i qasen me përkushtim dhe strategji kësaj veprimtarie që t ‘u mundësojnë bizneseve të saj të mund të planifikojnë dhe organizojnë aktivitetet e tyre.

Nga paraqitjet individuale të njerëzve të cilët nuk i kuptojnë themelet sociale të njerëzimit kemi dhe të atillë që kërkojnë nga mërgimtarët  t’i anulojnë dasmat dhe pagesën e madhe të këngëtarëve, e me ato para të grumbulluara t’i rinovojmë shkollat tona që i kemi në gjendje të mjerueshme për zhvillimin e mësimit! Çuditem me të tillët që e marrin të drejtën t i përcaktojnë individit se ç do të bëjë me pjesën e lirë të mjeteve financiare duke ngatërruar përgjegjësitë institucionale me ato individuale.

Për pasojat e mundshme ekonomike në industrinë e dasmave flitet dhe hulumtohet gjithandej. Në Gjermani p.sh. janë bërë skenarë të ndryshëm të mundshëm. se si industria gjermane e ofruesve të shërbimeve në sektorin e dasmave do të dalë nga kriza e Koronës. Një rrugëdalje shihet në përqendrimin në shtimin e larmisë së shërbimeve, një tjetër në rritjen e çmimeve por ka dhe skenarë të cilët kërkojnë nxitjen e inovacionit.

Për fund, mund të themi se industria e eventeve të festimeve familjare, ndër ne shqiptarët por jo vetëm, paraqitet si segment i rëndësishëm krahas segmenteve tjera ekonomike nga i cili përfitojnë shumë biznese dhe aktivitete private.  Andaj në opinion është diskutuar dhe diskutohet me të madhe rreth sfidave që e pret këtë industri. Ofruesit e shërbimeve që t i mbijetojnë krizës, duhet të  përqendrohen në atë si mund të kthehen në biznesin e tyre sa më shpejt të jetë e mundur dhe si të kompensojnë humbjet. Është evidente se konsumi i eventeve për një kohë do të jetë më i vogël krahasuar me peridudhën para pandemisë.  Kjo për shkak të zvogëlimit të numrit dhe vëllimit të punës në muajt e ardhshëm për shkak të Covid-19.  Duhet pasur para sysh se klientët apo mysafirët që u takojnë grupmoshave të vjetra të a.q. grupet e rrezikut nuk do të jenë pjesë e këtyre festimeve. Kjo në periudhën afatmesme do të çojë në uljen e të ardhurave.

Nga Mislim Zendeli

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button