Reformat tatimore- prioritet për shefat e Financave të G-20

Ministrat e Financave dhe shefat e bankave qendrore të vendeve anëtare të Grupit të Njëzetëshes do të takohen ballë për ballë të premten për herë të parë që nga fillimi i pandemisë COVID-19. Reforma për taksat e korporatave pritet të kryesojë axhendën e takimit që zhvillohet në Venecia të Italisë, shkruan Zëri i Amerikës, transmeton Portalb.mk.

G-20 pritet të japë miratimin e saj politik për masat e reja se ku dhe sa taksohen kompanitë, një nismë që u mbështetën javën e kaluar nga 130 vende të Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD) me bazë në Paris.

Marrëveshja parashikon një taksë minimale globale mbi të ardhurat e korporatave prej të paktën 15 për qind, një nivel që OECD-ja vlerëson se mund të sjellë rreth 150 miliardë dollarë në të ardhura shtesë nga taksat në nivel global, por shumë nga detajet e marrëveshjes mbeten ende të qartësohen.

Zyrtarët thonë se takimi dy-ditorë do të hapë një diskutim se si të zbatohen propozimet e OECD në praktikë, me synimin për të arritur një marrëveshje përfundimtare në një takim të nivelit të lartë të krerëve të qeverive të vendeve të G-20 që mbahet në tetor në Romë.

Vendet anëtare të G-20 përbëjnë më shumë se 80% të prodhimit të brendshëm bruto botëror, 75% të tregtisë globale dhe 60% të popullsisë së planetit, përfshirë Shtetet e Bashkuara, Japoninë, Britaninë, Francën, Gjermaninë dhe Indinë.

Nëse gjithçka shkon sipas planit, rregullat e reja tatimore duhet të përkthehen në miratimin para fundit të vitit 2023 të një ligji që do të ishte detyrues në të gjithë botën.

Ministrat mund të kërkojnë garanci nga sekretarja amerikane Janet Yellen se ajo mund të arrijë të sigurojë miratimin e ligjit mbi këtë çështje në një Kongres të ndarë sipas linjave partiake, ku republikanët dhe grupet e biznesit po luftojnë rritjen e propozuar nga presidenti Joe Biden mbi taksat ndaj korporatave dhe amerikanëve të pasur.

Ndryshe, përveç taksave, ministrat do të diskutojnë për një rimëkëmbje ekonomike globale, që sipas zyrtarëve italianë që kanë presidencën e radhës së G-20 po ndodh në mënyrë jashtëzakonisht të pabarabartë, me vendet e pasura perëndimore që po e marrin veten me shpejtësi në një kohë kur vendet në zhvillim kanë mbetur pas.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button