fbpx

Vaksina ruse ֦Sputnik V” nuk ka përbërës magnetizues

Një video me një pretendim të rremë se pas vaksinimit me ֦Sputnik V” shpatulla e një gruaje nga Shkupi u magnetizua u publikua në rrjetet sociale, dhe nga aty përfundoi si një lajm senzacional në faqen e Facebook të një medie me emër. Këto video janë bërë hit në javët e fundit në të gjithë botën dhe hulumtimet tregojnë se këto janë truke me përmbajtje kundër vaksinimit ose me përmbajtje argëtuese, shkruan Vërtetmatësi.

Postimi në faqen në Facebook  të Radio Кanal 77, shpërndan dezinformatë rreth vaksinave duke shpërndarë një video të një gruaje për të cilën thuhet se është nga Shkupi, e nëpërmjet të së cilës pretendohet  se të vaksinuarit kishin veti magnetizuese në vendin ku kishin pranuar vaksinën. Kjo gjë gjatë javëve të fundit është kthyer në një trend global në mediat sociale.

Në lajmin e publikuar në portalin e radio MMS, mes të tjerash thuhet:

Qytetarët u vaksinuan me AstraZeneka, Sinofarm, Sputnik V, Pfizer dhe së shpejti edhe me Sinovak. Kishte shumë spekulime rreth përbërjes së vaksinave, kështu që disa qytetarë që janë vaksinuar vendosën të bënin një eksperiment interesant. Një grua nga Shkupi që mori vaksinën Sputnik V vendosi të provojë një eksperiment që po qarkullon në rrjetet sociale. Në fillim ajo mendoi se ishte një shaka, por kur e pa me sytë e saj u mahnit. Ajo mori një lugë çaji dhe e afroi atë në vendin ku ishte vaksinuar, dhe sikur të kishte një magnet nën lëkurë e tërhoqi menjëherë lugën e çajit. Dhe pas kësaj parashtrohet pyetja se çfarë ka me të vërtetë në këtë vaksinë ruse.

– Nuk mund ta besoj atë që pashë, luga po qëndronte në dorën time sikur të ishte ngjitur me diçka, sikur të kisha një magnet të vendosur në krahun tim, thotë gruaja nga Shkupi e cila u trondit pas eksperimentit.

Teksti u botua me një titull senzacionalist në të cilin shihet qartë një qëllim i mundshëm për të marrë sa më shumë klikime, pra lexues në faqen në Facebook dhe vetë faqen e internetit: ֦(Video) Trupi i një gruaje nga Shkupi u bë magnet pasi u vaksinua me Sputnik – Objekte metalike i ngjiten në krah “.

Identiteti i gruas nga Shkupi është i mbrojtur dhe nga zërat në sfond mund të dëgjohet fjalim i një politikani maqedonas në radio ose televizion, nga se mund të vihet në përfundim se videoja nuk është ֦ e importuar”, por që është ֦prodhim vendas”. Sidoqoftë, nuk ka asnjë dëshmi që gruaja është vaksinuar, aq më pak me vaksinën ruse ֦Sputnik V”, e as nuk ka ndonjë kontekst shpjegues nga autori i tekstit.

Në videon relativisht të shkurtër – që zgjat vetëm gjashtë sekonda, ju mund të shihni vetëm se si dikush i afron një lugë të vogël metali shpatullës të një gruaje dhe si ajo mbetet e ngjitur në lëkurë.

Fizikisht është e pamundur të injektohen elemente me efekte të fuqishme magnetizuese

Por, siç thamë edhe më parë, bëhet fjalë për një tendencë që është bërë një hit global absolut në rrejtet sociale ku postohen video të këtilla , për të cilat një numër i madh i vërtetuesve të fakteve kanë konfirmuar se nuk kanë të bëjnë aspak me vaksnimin. Këto përfundime janë publikuar pak kohë më parë në një recenzion të „Vërtetmatësit“, me çrast gjatë një kontrollimi të fakteve të realizuar nga BBC, fizicienti Eric Palm sqaron së fizikisht është e pamundur të injektohen elemente magnetizues në trupin e njeriut përmes vaksinës, para së gjithash për shkak të diametrit të gjilpërës që është më i vogël se 1 milimetër:

Edhe sikur të injektoni një grimcë ekstremisht magnetizuese, ajo do jetë me një madhësi aq të vogël sa që nuk do mund të prodhojë një fuqi aq të madhe që do ta mbante metalin të ngjitur për lëkurës tuaj – thotë Palm.

Vërtetues të tjerë të fakteve kanë konfirmuar se në përbërjen e numrit më të madh të vaksinave nuk ka elemente magnetizues që mund ta dëmtojnë organizmin e njeriut, siç mund të shihet edhe në këtë vërtetim nga Reuters.

Dy dozat e  Sputnik V. FOTO: Wikipedia

Përbërësit e vaksinës ruse janë të njohura për publikun dhe nuk janë „magnetizuese“

Në postimin që po e recenzojmë bëhet fjalë për vaksinën ruse „Sputnik V“, e regjistruar nga ministria e shëndetësisë në Rusi si „Gam-COVID-Vak-Lio“, me vendim të dhënë që në muajin gusht të vitit 2020. Bëhet fjalë për një vaksinë të bazuar në dy adenovirusë si përbërës kryesorë, në dozën e parë adenovirus njerëzor i rekombinuar serotip nr. 26 dhe në dozën e dytë adenovirus numër 5, të dy të pasuruar me proteina nga proteina C ose proteina spike nga Sars-Cov-2 virus. Këtë mund ta lexoni edhe në faqen e internetit të Qendrës hulumtuese Gamalea, që e zbuloi atë dhe që është një nga prodhuesit e vaksinës, ndërsa përbërësit e tjerë janë të numëruar edhe  te certifikata.

Krahas adenovirusëve, Sputnik V përmban edhe përbërës të tjerë ndihmëshidroksilmetil, klorur natriumi, saharozë, heksahidrat klorur magnezi, dihidrat natriumi dhe polisorbat.

Siç mund të shihet as nuk përmban elemente magnetizues, e as nuk përmban elemente të tjerë si alumini, i cili është pjesë e vaksinave të tjera që nga viti 1930 dhe për të cilin gjatë kohë mendohej se është neurotoksin,  e që gjithashtu u bë edhe temë e postimeve të antivakserëve në rrjetet sociale në lidhje me vaksinat kundër Kovid-19.

Për shkak të argumenteve të shpalosura më lartë, mund të vlerësojmë se postimi që po recenzojmë përmban dezinformata për vaksinën, pra mund të vërtetohet se videoja në fjalë ose është e rreme ose është truk, nëpërmjet të cilit shpërndahen të pavërteta për vaksinat kundër Kovid-19.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button