Të dhënat e VAERS nuk janë dëshmi për efekte të padëshiruara të vaksinave kundër kovidit

Një raport zyrtar, me shifrat zyrtare nga Sistemi shtetëror amerikan i monitorimit të sigurisë së vaksinave, flet për një interpretim të një numri shumë të madh të efekteve të padëshiruara të vaksinave kundër kovidit. Sidoqoftë, nuk është pikërisht kështu, sepse në postim nuk është përmendur që ekziston një Udhëzues për interpretimin e të dhënave nga raportet, në të cilin thuhet qartë se ato nuk mund të merren si prova se ekziston një lidhje mes efekteve të padëshiruara dhe vaksinës së pranuar, raporton Vërtetmatësi.

Postimi në Facebook sugjeron që në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka një numër shumë më të madh të efekteve të padëshiruara të vaksinave kundër kovidit, gjë që paraqet një dezinformim suptil për shkak të daljes nga konteksti.

Në postim në mënyrë precize janë radhitur kategori dhe shifra nga  Agjencia zyrtare amerikane:

Rezultatet e raportuara nga injeksionet (nuk janë vaksina!) në SHBA :

5.165 persona kanë vdekur

51.133 persona kanë kërkuar ndihmë nga mjeku

39.121 persona janë pranuar në Urgjencë

17.619 persona janë pranuar për trajtim në spital

1.565 persona kanë pësuar paralizë të fytyrës

1.342 persona kanë përjetuar shok anafilaktik (reagim alergjik i rëndë që mund të ketë si pasojë edhe vdekjen)

5.317 persona kanë përjetuar reaksione të tjera të rënda

3.994 persona janë hendikepuar

1.872 persona kanë përjetuar infarkt në zemër

756 persona kanë zhvilluar sëmundje të zemrës

1.392 persona kanë zhvilluar trombocitopeni (mpiksje të gjakut)

571 kanë përjetuar aborte spontane

13.574 kanë qenë raste të reaksioneve të rënda alergjike

Nën postim është dhënë linku i faqes nga ku janë marrë të dhënat. Bëhet fjalë për një faqe ku janë publikuar të dhëna nga numri i përgjithshëm i rasteve të raportuara (lidhur me vaksinat kundër kovidit), deri më 28 maj të vitit 2021 nga VAERS (Vaccine Adverse Event Reporting System) ose Sistemi për raportimin e efekteve të padëshiruara lidhur me vaksinat.

Ilustrim nga  childrenhealthdefence.org

VAERS është pjesë e sistemit nacional për monitorimin e sigurisë së vaksinave në SHBA, i udhëhequr nga CDC dhe FDA, pra nga  Qendra për kontrollimin dhe parandalimin e sëmundjeve (CDC) dhe Аdministrata për ushqim dhe barna (FDA), që në nivel federal kujdesen për të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me zbatimin dhe kontrollimin e politikave dhe gjendjeve shëndetësore në SHBA.

Raporti që mund të shihet në këtë linkun e vënë në postim, është i vërtetë dhe i saktë. Në këtë faqe vërtet mund t’i gjeni të gjitha këto informacione për numrin e të vdekurve, për njerëzit që kanë kërkuar ndihmë mjekësore, për ata që kanë përjetuar mpiksje specifike të gjakut (trombocitopeni), për abortet spontane, për reaksionet alergjike dhe për kategori të tjera.

Mungon Udhëzuesi i VAERS

Por, ajo që nuk është përmendur në postimin që po e recenzojmë është fakti që VAERS ka edhe një  Udhëzues për mënyrën e interpretimit të të dhënave të publikuara. Ky Udhëzues theksohet qartë në ballinën e faqes së VAERS dhe në të që në fillim theksohet:

Gjatë vlerësimit të të dhënave të VAERS, është e rëndësishme të theksohet se për çdo ngjarje të raportuar, nuk është vendosur asnjë lidhje shkak-pasojë. Raportet për çfarë do lloj lidhjeje midis vaksinave dhe efekteve të padëshiruara (efekte të padëshiruara të mundshme) evidentohen në VAERS. Prandaj, VAERS mbledh të dhëna për çdo ngjarje të padëshiruar pas vaksinimit, qoftë ajo e rastësishme apo e shkaktuar vërtetë nga vaksina. Raporti i VAERS për ngjarje të padëshiruara nuk  është vërtetim që vaksina e ka shkaktuar atë ngjarje të padëshiruar.

Në një pjesë të veçantë të Udhëzuesit ka paralajmërim për kujdes gjatë interpretimit të të dhënave për shkak të kufizimeve të mëposhtme të sistemit:

Raportet deri tek VAERS i dorëzon secili mbi bazë vullnetare, përfshirë këtu edhe dhënësit e shërbimeve shëndetësore, pacientët ose anëtarët e familjes. Raportet dallojnë për kah cilësia dhe varësisht se sa janë të kompletuar. Atyre shpesh u mungojnë detajet, dhe nganjëherë mund të kenë informacione që përmbajnë gabime.

Prandaj, mund të konkludohet se informacionet në postimin që po e recenzojmë mund të shkaktojnë keqinformim në lidhje me efektet e padëshiruara të vaksinave kundër kovidit, pikërisht për shkak të mungesës së kontekstit, dmth. informacionit të rëndësishëm nga Udhëzuesi në lidhje me atë se si të interpretohen të dhënat nga raporti zyrtar i rregullt i VAERS.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button