Sendet robëruese dhe minimalizmi

Një turist që vizitonte një vend të huaj kishte dëgjuar që aty jetonte një sufist shumë i urtë që jepte këshilla të mençura që të bëjnë ta shohësh jetën ndryshe. Turisti vendosi ta vizitojë sufistin dhe e gjeti në shtëpinë e tij. U habit nga modestia e shtëpisë e cila refkeltonte një qetësi të posaçme. Në dhomën ku rrinte sufisti nuk kishte orendi dhe shtroje të shtrenjta. Turisti i habitur nga zbrazëtia e dhomës e pyeti sufistin: “Ku i ke gjëra tua që të duhen?”, duke aluduar në qindra dhe mijëra sendet që ai vetë i kishte lënë në shtëpinë e tij para se të nisej në këtë udhëtim. Sufisti iu përgjigj me pyetjen: “Po ti, ku i ke gjërat tua?”. Turisti i habitur iu përgjigj: “Unë jam turist, dhe jam këtu vetëm përkohësisht.” Atëherë sufisti i tha “Edhe unë, miku im, edhe unë”.

Tregime të ngjashme mund të gjenden në shumë kultura moderne të cilat theksin e vendosin tek të jetuarit e një jete me kuptim. Shumë njerëz nga vendet e zhvilluara perëndimore u drejtohen urtësive të civilizimeve të vjetra antike për të gjetur frymëzime spirituale dhe për ta përmirësuar kualitetin e jetës. Shumë njerëz kalojnë javë e muaj në tempuj të ndryshëm budisitë, duke u munduar t’i mësojnë ose përmirësojnë teknikat e meditimit, duke u munduar ta gjejnë kuptimin e jetës. Kjo mënyrë e të reflektuarit shpesh i çon këta njerëz drejt vlerësimit më të lartë të spirituales në krahasim me materialen. Në një botë që rrotullohet rreth kapitalizmit materialist, shumë njerëz heqin dorë nga gjithçka dhe mundohen ta gjejnë kuptimin e jetës në vrojtimin e një luleje që është në lulëzim. Sepse jeta materialiste ndonjëherë bëhet aq e rrëmbyer sa nuk kemi kohë që thjesht, ta sodisim lulëzimin e lules, lindjen ose perëndimin e diellit, fluturimin e lejlekut… Të mos pasurit kohë për tu kënaqur me bukuritë e jetës e bën njeriun të stresuar dhe idhnak, pavarësisht pasurisë së tij dhe mundësive të pafundta që paratë ia sjellin por të cilat koha nuk i premton që ti shfrytëzojë. Dhe në fund, një njeri i tillë ka zgjedhje të limituara: ose do të zhytet tërrësisht në kërkimin e materiales dhe dë të bëjë një jetë jo të shëndetshme dhe të stresuar e cila mund të përfundojë me ndonjë infarkt fatal të parakohshëm, ose do të mundohet ta balansojë materialitetin me spiritualitetin, ose do ti përkushtohet tërërisht spiritualitetit dhe do të bëhetë si murgu i Robin  Sharmas që shiti ferrarin e tij.

Sqarimi i kapitalizmit në librin “Sapiens” të Yuval Noah Hararit është shumë i qartë dhe i kuptueshëm. Ai thirret në burime shkencore që vërtetojnë që pas tejkalimit të pragut të varfërisë, rritja e pasurisë nuk do të thotë automatikisht edhe rritje e lumturisë. Ai sqaron që esenca e kapitalizmit është të dëshirohet më shumë, të konsumohet më shumë, të harxhohet më shumë, të investohet më shumë. Në këtë mënyre ekonomia e vendit rritet dhe mundësi të reja përparimi hapen gjithandej. Ai poashtu thekson që dallimi mes të pasurve dhe të varfërve në botën moderne kapitaliste është se të varfërit inkurajohen të harxhojnë më shumë përmes konsumimit të stimuluar nga kreditimi i vazhdueshëm bankar, ndërsa të pasurit stimulohen të investojnë më shumë. Paratë nuk duhet të pushojnë, përkundrazi, ato gjithmonë duhet të jenë në lëvizje. Kjo e sqaron shumë mirë konsumatorizmin modern, të blerit pa kufi të shumë sendeve që nuk na duhen, sepse kjo tani është lehtësisht e mundur pëmes harxhimit të parave që nuk i kemi. Një reklamë e njohur e kartës së kreditit kishte moton “Ke edhe kur nuk ke”.

Sigurisht, është pikërisht kapitalizmi që bën rritjen e ekonomisë globale dhe mundëson zhvillimin e pandalur teknologjik dhe informativ. Por në anën tjetër, një formë e tillë e konsumimit të pakontrolluar e bën njeriun të harxhojë shumë para për gjëra që nuk i duhen dhe e vendos në një rreth vicioz të konsumit dhe raportit kreditor-debitor nga i cili shkëputja është shumë e vështirë. Një rreth i tillë vicioz dallon pak nga raportet e robërisë në shoqëritë skllavopronare dhe feudale. Sërish flasim për robëri, por tani për një robëri të vetëimplikuar për shkak të grykësisë dhe lakmisë për më tepër, për shkak të konsumit të pakontrolluar të gjithçkaje që na shohin sytë, për shkak të mundësisë që me një kartë krediti në dorë secili të ndihet, qoftë për pak çaste, aristokrat ose edhe mbret. Rezultat i kësaj janë borxhet e pashlyeshme, hipotekat për shëpi të cilat nuk mund t’ia ofrojmë vetes, detyrime të pafundta ndaj institucioneve të ndryshme. Të gjitha këto sepse duam të kemi më shumë se çfar mund t’ia lejojmë vetes.

Minimalizmi si një drejtim filozofik që është mjaft i përhapur në kohën moderne e analizon pikërisht këtë problematikë. Esenca e minimalizmit është shkëputja e raportit të varësisë ndaj sendeve dhe të gjeturit e kuptimit në eksperienca, kënaqësia nga të cilat zgjatë më shumë se sa kënaqësia që krijohet gjatë blerjes së vazhdueshme të sendeve. Të qenit minimalist do të thotë të kesh vetëm sendet që të duhen dhe sendet që të krijojnë kënaqësi. Por minimalizmi nuk lidhet vetëm me sendet por kërkon të përmirësojë kualitetin e jetës duke gjetur më shumë kohë për të bërë gjërat që dëshirojmë, duke u përkushtuar te të tjerët dhe te eksperiencat që sjellin pozitivitet, dhe duke e thjeshtësuar jetën përmes largimit të sendeve të tepërta. E sende të tepërta ka shumë dhe gjithandej. Harari do të kishte thënë që të mbledhurit e sendeve është në gjenet tona që në kohën kur sapiensët jetonin si gjahtarë mbledhës-grumbullues.

Herët a vonë do të vërtetohemi që kuptimi i jetës qëndron jo te sendet që i kemi por te raportet që i kemi me njerëzit tjerë, te simpatia, ndihma, solidariteti që e tregojmë njëri me tjetrin, te dashuria, dhimbja, pikëllimi dhe gëzimi që e ndajmë së bashku, te kujtimet që i krijojmë së bashku. Janë ato që kanë vlerë, janë ato që i japin kuptim ekszistencës sonë. Gjithçka tjetër është pluhur dhe hije.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button