RMV, universitetet të kënaqura me këtë vit akademik, suksesi i vitit të ardhshëm do të varet nga imunizimi i studentëve dhe profesorëve

Ligjëratat e para në universitetet shtetërore filluan në pasiguri tetorin e kaluar, por viti akademik 2020/2021 përfundoi me sukses. Për herë të parë në historinë e universiteteve në RMV, shumica e stafit akademik dhe studentëve e kaluan tërë vitin akademik në shtëpi, duke mbajtur ligjërata dhe provime përmes mjeteve të mësimit në distancë, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Kushtet e reja në kohë pandemie vunë në provë gatishmërinë e sistemit arsimor dhe të gjithë aktorëve të përfshirë në të për raste emergjente dhe të paparashikueshme. Mësimi dhe testimi i njohurive përmes kolokuiumeve dhe provimeve në rrethanat e reja të studimit nxorën në dritë problemet me të cilat përballen studentët dhe profesorët edhe para ardhjes së Kovid-19. Secili universitet iu përgjigj ndryshe krizës, por përshtypja e përgjithshme në fund të vitit akademik ishte se universitetet kishin kapërcyer me sukses rrethanat e palakmueshme në të cilat gjendej arsimi i lartë.

Digjitalizimi u shfaq si një domosdoshmëri, por mund të ndihmojë në rritjen e cilësisë së mësimdhënies

Проф. д-р Христина Спасевска / фото: УКИМ
Prof. dr. Hristina Spasevska, prorektore për mësimdhënie në UKM

“Pandemia na detyroi që papritmas të ndryshojmë mënyrën e funksionimit në të gjitha sferat e jetës sonë, dhe procesin arsimor në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi ”(UKM) në Shkup, thotë prof. dr. Hristina Spasevska, prorektore për mësimdhënie në UKM.

“Në një kohë shumë të shkurtër, na u desh të përdorim mjete të mësimit në distancë për t’iu përshtatur mësimdhënies, diçka që shumë pak e kemi përdorur më parë. Shumë prej fakulteteve tona kanë ushtrime dhe orë praktike që kërkojnë prani fizike. Këtë vit u përpoqëm që në kohët kur situata po normalizohej, studentët në grupe të vogla të ndiqnin ligjëratat me prani fizike, kur ishte e mundur. Por shumica e mësimdhënies u zhvillua në mënyrë elektronike, me video konferencë dhe materiale shtesë të regjistruara, të cilat supozohej se mundësonin zotërimin më të lehtë të materialit”, tha Spasevska.

Vitin e kaluar më së shumti ka munguar puna në terren dhe ajo praktike në kompani, shkëmbimet ndërkombëtare, si dhe aktivitete kulturore dhe sportive, të cilat janë gjithashtu pjesë e jetës studentore. Mënyra e re e të mësuarit ishte një sfidë e madhe si për studentët ashtu edhe për profesorët.

“Ne kemi fituar përvojë se si të punojmë së bashku në distancë, por jemi të vetëdijshëm se nuk ka zëvendësim të kontakteve dhe bashkëpunimit të drejtpërdrejtë midis nesh, i cili duhet të vendoset gjatë leksioneve dhe ushtrimeve. Kjo është veçanërisht e rëndësishme kur vlerësohen studentët, sepse rezultatet më reale arrihen kur ata janë të pranishëm fizikisht”, shton Spasevska.

Sidoqoftë, mësimi në distancë gjatë pandemisë gjithashtu theksoi përparësitë e tij, sepse mundësoi paraqitjen të një numri të madh të ligjëruesve të ftuar nga dhe jashtë vendit, të cilët përndryshe do ta kishin më të vështirë të ishin prezent fizikisht.

“Ta themi thjesht, digjitalizimi si koncept në procesin e mësimdhënies është imponuar sipas nevojës, por unë pres që në të ardhmen të na ndihmojë të rrisim cilësinë e mësimdhënies duke u kthyer në sallat e ligjëratave dhe laboratorët tanë”, tha Spasevska.

Проф. д-р Љупче Кочоски / фото: УКЛО
Prorektori për mësimdhënie i UKLO, prof. dr. Ljupçe Koçoski

Nga fillimi i pandemisë Kovid-19 edhe Universiteti i Manastirit “Shën Klimenti i Ohrit” (UKLO) u adaptua në kohë me situatën e re kur ai transformoi mënyrën e funksionimit dhe kryerjes së mësimdhënies, thotë prorektori për mësimdhënie i UKLO, prof. dr. Ljupçe Koçoski.

“UKLO me një reagim të shpejtë u zhvendos nga mënyra tradicionale e mbajtjes së orëve në organizimin dhe zbatimin e programeve mësimore duke përdorur teknologji të përparuara kompjuterike. U zhvillua një Strategji e UKLO-së për realizimin e procesit mësimor në kushtet e pandemisë Kovid-19 për vitin akademik 2020/2021, e cila siguroi rregullimin ligjor të procesit mësimor të universitetit”, thotë Koçoski.

“Ne vlerësojmë se në këtë mënyrë, me qasjen e demonstruar pro-aktive, kemi arritur të kalojmë situatat e paparashikueshme me shumë sukses dhe të gjejmë zgjidhjet më të përshtatshme për të gjitha subjektet që e përbëjnë atë, të cilat janë pjesë e universitetit, duke filluar nga studentët, stafi akademik dhe kërkimor. Duhet të theksohet se në mënyrën e ndryshuar të funksionimit, UKLO kishte një dëgjim të veçantë për iniciativat e studentëve që gjetën vendin e tyre në konceptet e zhvilluara për realizimin e procesit mësimor ”, thotë Koçoski.

Si do të zhvillohet mësimi nga tetori varet nga numri i studentëve dhe profesorëve që do të vaksinohen

Planet e Qeverisë për mbajtje të orëve sipas protokolleve për prezencë fizike nuk do mungojnë as në universitete. Në përputhje me autonominë e universiteteve, në koordinim me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës dhe në përputhje me rrethanat epidemiologjike, secili universitet do të marrë vendimin e vet për t’u kthyer në sistemin tradicional – arsimin e dëshiruar me prani fizike.

Prodekani për mësimdhënie në UKM thotë se duke ndjekur përvojën e tre semestrave të kaluar, Universiteti i parë në vend është plotësisht i përgatitur për zbatimin e mësimdhënies në vitin e ardhshëm akademik.

“Unë shpresoj që pandemia të stabilizohet që të mund të kthehemi në sallat tona të leksioneve dhe amfiteatrot. Por, ne do të ndjekim rekomandimet e institucioneve shtetërore dhe do t’i përshtatemi çdo situate të re. Se si do të zhvillohet mësimi varet kryesisht nga fakti nëse shumica e profesorëve dhe studentëve do të vaksinohen deri në fillim të tetorit”, tha Spasevska.

Nga tetori, UKM do të prezantojë një platformë të integruar të mësimdhënies digjitale për të gjitha njësitë e saj, e cila do të synojë të zbatojë një proces më të mirë të mësimdhënies, pavarësisht nëse studentët do të punojnë nga shtëpia apo do të jenë të pranishëm në fakultete.

“Platforma digjitale është krijuar plotësisht nga profesorët dhe asistentët në universitetin tonë, gjë që tregon edhe një herë kapacitetin dhe përkushtimin tonë për të shkëmbyer mjete moderne në mësim”, tha Spasevska.

Prorektori i UKLO gjithashtu pajtohet që kthimi i studentëve në salla dhe amfiteatro varet nga përfshirja e tyre në imunizimin masiv.

“Me iniciativë të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, UKLO ka përditësuar listat për vaksinimin e të gjithë atyre që për arsye tjera nuk janë përfshirë në këtë proces të mbrojtjes. Si universitet, jemi duke u përgatitur për skenarin e dytë. Nëse ka nevojë për mësimdhënie online, ne do të aktivizojmë zgjidhjet e qëndrueshme dhe cilësore të aplikuara tashmë nga strategjia jonë. UKLO ndërmori aktivitete në programet e reja të studimit para procesit të tyre të akreditimit/ri-akreditimit, profesorët duhet gjithashtu të marrin në konsideratë mundësitë mësimdhënies online ose hibride duke përdorur përfitimet e teknologjisë moderne dhe platformave të fuqishme të mësimit elektronik “, thotë Koçoski .

Universitetet shpresojnë që në vitin e ri akademik të kthehen në funksionimin e rregullt dhe realizimin e procesit mësimor në kushte normale, me mënyrën tradicionale të mbajtjes së orëve me prani fizike të studentëve në sallat e leksioneve dhe amfiteatrove.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button