Duke shfletuar romanin “Misionari i Kasabasë”

Gazetari dhe publicisti tetovar, Ismail Arsllani, tash së voni erdhi me romanin e tij historik, “Misionari i kasabasë”. Duke shfletuar këtë roman, që në tregun letrar të Maqedonisë së Veriut është deficitar për momentin, që në fillim ndjell një dëshirë që të përpihet dhe, në fund, të lë pa frymë. Me stilin e tij karakteristik, vlerat artistike e stilistike të shprehjes, konstruksionet sintaksore, po edhe përmbajtja mjaft tërheqëse, përplot legjenda dhe fjalë të urta, përvetëson lexuesin që në faqen e parë të veprës.

Romani nis me një maturi, duke rrëfyer një shtjellë ngjarjesh në qytezën e quajtur Kasaba të gjysmës së dytë të shekullit 19, kur kishte filluar grabitja e tokave shqiptare. Sulltan Abdylhamidi i Dytë, në përpjekjet e tij për ta mbrojtur edhe më tej sundimin e gjithëpushtetshëm në tokat e Ballkanit, kishte dërguar në atë kasaba një njeri shumë të mençur, një ish-student të Sheriatit të Universitetit Perandorak të Stambollit. Ky ishte Baba Dijetari, personazhi kryesor i romanit, rreth të cilit shtjellohet tërë ngjarja, duke nisur nga ardhja e tij në kasabanë e përshkruar me ngjyra panoramike, me njerëz të urtë, të mençur si Selman Alia – Samarxhiu, punëtorë e zanatçinj të ndershëm, Usta Ahmeti, xha Azami, Malësor Deda, agallarët Hafiz aga Hajrizi, e bija Hanifja, Pashai i Kasabasë, komisari i xhandarmerisë, Kukaleci, një njeri i gjymtë, me emrin e të cilit nënat i frikësonin fëmijët e tyre, pastaj Sheh Mustafa, njeriu i dytë i Lidhjes së Prizrenit e disa të tjerë.

Romani është shumë tërheqës me historitë e rrëfimit të një kronike ngjarjesh, të mbushura plot me hafije, tradhtarë, kriminelë, cuba mali, bashkëpunëtorë të shteteve fqinje, asokohe grabitëse të tokave tona. Përshkruan jetën e popullatës deri në imtësi, të agallarëve e bejlerëve, të varfanjakëve, të myslimanëve e të krishterëve, të cilët kishin emrin e përbashkët – milet. Në këtë narrativ nuk mungonin as historitë e dashurisë, deri në vetëflijim.
Romani është një tundim i vërtetë për një lexues, nëse fillon të lexojë, vështirë se mund ta braktisë. Ismail Arsllani, duke na e zbuluar atë botë aq të fshehur, në vazhdim na jep një pasqyrë të imagjinatës së femrës së mbuluar të asaj kohe, na e zgjon kërshërinë edhe më shumë, se ç’u bë me Hanifen, po me shoqen e saj Hajrien(?), e cila me po aq afsh i vlonte dashuria, për të njëjtin mashkull, Baba Dijetarin. Përshkruhen përjetimet e Hanifes, asaj vajze që flinte në jastëk me pupla, por zemra i qe copëtuar grimë e në çdo moment i kërcente dhe i shkaktonte dhimbje në gjoks.

Jeta në atë kasaba, me ardhjen e Baba Dijetarit kishte filluar të shkallëzohet në një krizë të madhe, që përfundonte edhe me vrasje. Gazetat e huaja shkruanin për copëtimin e tokave arbërore. Burrat e kësaj kasabaje nuk ishin të qetë, ata deshën ta tregojnë forcën që kanë. Një ditë të bukur dolën në shesh për ta ngritur zërin e thanë: “Jemi më shumë se 60 mijë burra, prej të cilëve kemi dalë në këtë shesh 5 mijë… Popull i nderuar, jemi mbledhur këtu që të nxjerrim një kërkesë për bashkimin e arnautëve dhe mbrojtjen e tokave tona kundër ndarjes, që pritet të bëhet nga ana e fuqive të mëdha…”

Autori Arsllani e çon lexuesin të mendojë jo vetëm për qytetin dhe njerëzit, por ia kujton edhe kreshtën e një pjese të historisë sonë, që, sa e njohim, po edhe jo gjithaq. Njeriut, në momente, i rrëmbushen sytë, përjeton rrëqethje. Megjithatë, njerëzit ishin zemërgjerë, qytetarë e fshatarë. Fytyrat e tyre qeshnin. Në qytetin e tyre kishin disa punëtori armësh. Shumica e burrave kishin armë për vetëmbrojtje.

Ismail Arsllani rrëfen historinë, duke ia qëndisur të gjitha poret, me të gjitha ngjyrat, me ecejaket e ngadalshme, por mbresëlënëse të paraqitjes së ngjarjeve; pikturimit të kasabasë, njerëzve me gjithë gjallërinë që e ka, si dhe protagonistin kryesor, Baba Dijetarin, me gjithë misionin e tij në atë kasaba.

Dimensioni i rrëfimit është i gjerë dhe përfshin një retrospektivë të fuqishme, me urtësinë e përshkrimit të kasabasë, ngjarjet, njerëzit e krejt kjo, me një qëllim: të njihet në imtësi çdo cep e skaj i qëndismës së kasabasë, që na përkujton kohën kur vashat me kujdesin më të madh punonin pajën e nusërisë, pëlhurën me ngjyrat e ndryshme të penjve, me dashuri dhe me mjeshtëri.

Romani lexohet me një shpejtësi të rrufeshme dhe lexuesi përjeton momentet më të këndshme. Lexohet me shumë dëshirë, me një padurim për ta kryer sa më parë, që të shihet përfundimi që mbahet peng gjatë gjithë rrëfimit. Kur lexuesi përfundon romanin ndjen zbrazëtirë, atë të ndarjes e shkëputjes prej Kasabasë…

Me këtë roman Ismail Arsllani hyn në botën e madhe të letërsisë, në botën e romanit shqiptar. Ky roman mund të lexohet disa herë dhe përsëri lexuesi të ndjejë po atë kënaqësi, si herën e parë.

Shkruan: Merita Abazi

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button