Ish-komandanti i NATO-s, Clark u prit me nderime të larta ushtarake në Kosovë

Është pritur me nderime të larta ushtarake nga njësia ceremoniale e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në Ministrinë e Mbrojtjes në Prishtinë, ish-gjenerali amerikan Wesley Clark, raporton Anadolu Agency (AA).

Clark i cili ka qenë komandant i përgjithshëm i forcave evropiane të NATO-s, në kohën e ndërhyrjes ndaj caqeve të ushtrisë serbe, nga 24 marsi i vitit 1999 deri më 10 qershor 1999, po qëndron për vizitë në Kosovë me ftesë të ministrit të Mbrojtjes, Armend Mehaj.

Ministri Mehaj tha se ish-gjenerali Clark ka rol kyç dhe vendimtar në çlirimin e Kosovës dhe lirinë e saj.

Mehaj tha se në takim, e ka informuar ish-gjeneralin për të arriturat në Kosovë me theks të veçantë në ministrinë që ai udhëheqë.

“Gjeneral Clark është personalitet i lartë dhe i çmuar në historinë e Kosovës dhe ashtu do të mbetet, në mendjen e gjeneratave të tëra. Historia e popullit të Kosovës është e gjatë, por gjeneral Clark është çdo ditë në mendje dhe në historinë tonë”, tha Mehaj.

Ministri kosovar njoftoi po ashtu se për nder të ish-gjeneralit Clark, shkolla më prestigjioze e FSK-së, qendra e studimeve universitare është emëruar “Qendra e Studimeve Universitare – Wesely Clark”, kjo siç tha ai, “është më e pakta që mund të bëjmë për një hero të tillë”.

Ish-gjenerali amerikan Clark në fjalë e tij para të pranishmëve tha se ndihet shumë i nderuar me kthimin e tij në Kosovë dhe për pritjen e ngrohtë.

Clark tha se është i impresionuar me zhvillimin demokratik të Kosovës përgjatë viteve të fundit.

“Jam i impresionuar ndër vite me progresin e shënuar të Kosovës në demokraci dhe liri dhe shpresoj edhe në rritje ekonomike për njerëzit e Kosovës. Njerëzit në Kosovë kanë treguar një shembull të fortë për të gjithë botën në determinimin e jetës dhe punës në shërbim të demokracisë”, tha Clark i cili pritet që sot të takohet edhe me udhëheqës tjerë të institucioneve në Kosovë.

Wesley Clark është bërë i njohur në qarqet e gjëra shqiptare pas emërimit të tij si komandant Suprem i Forcave të Bashkuara të NATO-s për Evropën më 11 korrik 1997.

Më herët, rreth ngjarjeve të vitit 1999, Clark ka deklaruar se me ndërhyrje e NATO-s në Kosovë, i është dhënë fund spastrimit etnik që po ndodhte, “duke u dhënë qytetarëve të Kosovës mundësinë për të vendosur sigurinë dhe pastaj demokracinë”.

Sulmet e NATO-s në ish-Jugosllavi kanë zgjatur 78 ditë, deri në nënshkrimin e Marrëveshjes së Kumanovës, e cila u dha fund luftimeve dhe çoi në largimin e forcave serbe nga Kosova.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button