Mbrojtja e rastit “Lagjja e Trimave” kërkoi nga Supremja të shfuqizohet aktgjykimi dhe të ketë rigjykim

Për shkak të shkeljeve thelbësore të procedurës penale përpara shkallës së parë dhe të dytë të gjykatës, konstatimin e gabuar të gjendjes faktike dhe shkelje të Kodit Penal, mbrojtja e të akuzuarve në rastin “Lagjja e Trimave”, sot në seancën publike përpara Gjykatës Supreme kërkoi shfuqizimin e aktgjykimit dhe njëkohësisht rasti të rikthehet në gjykim ose të ndryshohet apo të gjithë të lirohen, njofton Portalb.mk.

Përpara Gjykatës Supreme për lëndën kanë arritur 9 ankesa, prej të cilëve në seancë publike janë kërkuar 7 persona. Në seancën e sotme kanë marrë pjesë 4 prej tyre, ndërkaq tre të tjerë me shkrim kanë njoftuar se nuk duan të marrin pjesë.

Avokati Naser Raufi, i cili përpara Gjykatës Supreme ka folur për dy të akuzuarit Andi Krasniqi dhe Dem Shehu, tha se janë bërë disa shkelje thelbësore të procedurës penale nga ana e Gjykatës Penale dhe e Apelit.

“Nuk u lejua që mbrojtja t’u parashtrojë pyetje dëshmitarëve nga mbrojtësit tjerë. Nuk u pranua propozimi që të thirren dhe të dëgjohen ekspertët të cilët i kanë punuar ekspertizat, me çka u shkel barazia e armëve”, deklaroi Raufi.

Avokati në deklaratë për media para Gjykatës Supreme, sqaroi se kryetarin e BDI-së, Ali Ahmeti e ka përmendur me qëllim që të dëshmojë se Krasniqi dhe Shehu fare nuk janë organizatorë të këtij rasti.

“Unë e tregova një bisedë në Alsat. Në intervistë, zotëri Ali Ahmeti tha se ka biseduar dhe nëse do të na ishte e lejuar që ajo bisedë të jetë pjesë e provave do të konstatohej se Krasniqi dhe Shehu fare nuk kanë qenë organizatorë të ngjarjes. Vlerësoj se këto dy dënime me burg të përjetshëm fare nuk janë të bazuara, pasi që dihet se cili ka komanduar me aksionin – ata janë të vdekurit Beg Rizaj dhe Mirsad Ndrecaj”, tha Raufi.

Avokati Lupço Veselinovski, mbrojtës i Fadil Fejzullahut, tha se klienti i tij ka refuzuar që të marrë pjesë në seancën e sotme publike, me fjalët “rastësisht hyra në cirkun e gjykatës së shkallës së parë dhe të dytë dhe nuk dua të jem më pjesë e cirkut.

Veselinovski, përpara Gjykatës Supreme, tha se grupi është lokalizuar dhe tërë kohën është përcjellë nga fshati Goshincë dhe se policia e ka ditur se ku janë dhe askush nuk ka ndërmarrë asgjë, derisa kur grupi ka ardhur në shtëpinë e Fadilit në Lagjen e Trimave.

“Nuk ka prova se Fejzullahu është terrorist dhe se ka kryer diçka të tillë. Kërkoj të shfuqizohet ky aktgjykim dhe gjykimi të kthehet nga e para duke i larguar të gjitha mangësitë në procedurë”, deklaroi Veselinovski.

Në deklaratë për media, Veselinovski theksoi se ata si mbrojtje gishtin e kanë drejtuar jo vetëm drejt MPB-së, por në tërë sistemin e sigurisë, pasi që siç tha “MPB e ka ditur, a ka vepruar në drejtim të gabuar, forcat e sigurisë janë dërguar në vend të gabuar, në fshatin Hotël, a grupi është gjendur në Lagjen e Trimave”.

“Edhe atëherë edhe tash dikush duhej që të vetëdijesohet, se nëse ka Kongres të VMRO-DPMNE-së më 2 maj të vitit 2015-të në sallën sportive në Kumanovë, 2 kilometra nga Lagjja e Trimave, është diskutabile, gjegjësisht krijon indicie se forcat e sigurisë do të duhej dhe patjetër do ta dinin se atje është grupi dhe duhet të parandalojnë”, tha Veselinovski.

Ai shtoi se është interesante që në media është foluar për para që u janë dhënë udhëheqësve të grupit.

“Një Stojançe Angellov këtu në afërsi në një bombë deklaronte se ka prova. Dhe tani, për shkak atyre pozitave. Tani ai është diku në pushtet, dikush është kryetar, dikush tjetër drejtor i Sigurisë së Shtetit. Të gjithë këto çështje, pasi që erdhën në pushtet u heshtën. Sa para janë dhënë në atë kohë, për çka janë dhënë dhe kujt i janë dhënë dhe kush i ka dhënë që të organizohet kjo situatë”, deklaroi Velinovski.

Mbrojtësi Mefail Arsllani, duke e sqaruar ankesën përpara Supremes, tha se ka pasur shkelje thelbësore dhe konstatim të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike.

“Asnjë prej këtyre djemve nuk do të thotë se nuk ka qenë në Lagjen e Trimave, por nëse mes tyre i kërkojmë organizatorët e kësaj ngjarje, ajo është gabim. Këto persona janë të manipuluar”, deklaroi Arsllani.

Ndryshe, për këtë ngjarje të armatosur, në shkurt të vitit 2016-të në Gjykatën Penale të Shkupit është mbajtur procesi gjyqësor kundër 29 personave, të cilët u ngarkuan me veprën “Organizatë terroriste” dhe “Terrorizëm”. Të gjithë 29 të akuzuarit përpara gjykatës janë deklaruar se nuk ndjehen fajtorë.

Rasti më vonë u bashkua me “Vetëtimën”, në të cilin ishte zhvilluar procedurë kundër 8 personave për ndihmë të grupit të armatosur, me [ka grupi i të akuzuarve u rrit në gjithsej 37. Prej tyre, 33 u dënuan për veprat, ndërkaq 4 persona u liruan.

Gjykata Penale i dënoi 7 përfaqësues të grupit me burgim të përjetshëm, ndërkaq 13 të tjerë me nga 40 vjet burg. Me dënim prej 20 vjet burg janë dënuar 5 persona, 1 i akuzuar me 12, ndërkaq nga dy u dënuan me nga 14, 13 dhe 12 vjet burg. Në total, të akuzuarit u dënuan me 746 vjet burg dhe 7 burgime të përjetshme.

Aktgjykimin më vonë e konfirmoi Gjykata e Apelit, ndërkaq tani është në duart e Supremes, e cila është gjykata më e lartë në vend.

Supremja ka mundësi që ta rikthejë rastin në rigjykim apo të kërkojë rishqyrtim të rastit, ndërkaq në rast se e konfirmon aktgjykimin, për të akuzuarin “mbyllen dyert” për kërkim të drejtësisë brenda Maqedonisë së Veriut, gjegjësisht ata më pas mund të ankohen vetëm në Gjykatën Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut në Strasburg.

Për më shumë rreth rastit lexo: DOSJE: 6 vjet nga konflikti i armatosur në “Lagjen e Trimave” të Kumanovës, ende asgjë nga hetimi ndërkombëtar

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button