Së shpejti do të funksionojë Fondi Garantues në RMV: Ndërmarrjet do të jenë në gjendje të marrin garanci për kredi deri në 500,000 euro

Fondi Garantues do të garantojë kredi deri në 500 mijë euro për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme, si dhe tregtarët e mëdhenj, të hyrat e të cilëve në bazë të eksportit përbëjnë së paku 30% të të hyrave të përgjithshme të realizuara. Tashmë u nënshrkau marrëveshja midis Qeverisë dhe Bankës Zhvillimore për lëshimin e garancimeve përmes Fondit Garantues, dhe së shpejti pritet të nënshkruhen edhe marrëveshjet midis Bankës Zhvillimore dhe bankave komerciale dhe kursimoreve, shkruan ministri i Financave Fatmir Besimi në edicionin e ri të buletinit të Asociacionit bankar të Maqedonisë (ABM).

“Një nga instrumentet në Planin për financimin e rimëkëmbjes dhe përshpejtimin e rritjes është Fondi garantues, përmes të cilit do të zbatohet skema garatuese shtetërore. Kohën e fundit nënshkruam marrëveshje me Bankën Zhvillimore për Fondin garantues, me të cilën do të lëshohen garanci për kreditë e sapoaprovuara nga ana e bankave dhe kursimoreve, garanci nga të cilat do të përfitojnë ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme dhe tregtarët e mëdhenj që eksportojnë, për financim të pandërprerë të aktiviteteve të vazhdueshme, si dhe projekteve të qëndrueshme të biznesit për blerjen e mjeteve fikse. Së shpejti pritet të nënshkruhen marrëveshje midis Bankës Zhvillimore dhe bankave komerciale dhe kursimoreve, të cilat do të paraqesin interes për këtë instrument. Me sigurimin e garancive, konsiderojmë se bankat dhe kursimore do të inkurajohen që ta rrisin ofertën e kredive të favorshme për ndërmarrjet, dhe në të njëjtën kohë do të ulet rreziku i lëshimit të tyre”, thekson Besimi.

Përmes Fondit garantues parashihet të lëshohen garanci portofoli për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme dhe garanci individuale për tregtarët e mëdhenj që eksportojnë. Me këto garanci, do të garantohet kregjeja e kredive të sapo aprovuara për mjete qarkulluese dhe mjete fikse të lëshuara nga bankat dhe kursimoret për sektorin privat. Për t’u bërë pjesë e skemës garantuese, bankat dhe kursimoret duhet të kenë mjaftueshmëri të kapitalit së paku 12%, rezultat financiar pozitiv në vitin e fundit dhe portofol kreditor i cili është klasifikuar më së paku 70% në kategoritë A dhe B.

“Për garancitë e portofolit, të cilat janë të dedikuara për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme, do të garantohen kredi nga 300.000 deri në 30.750.000 denarë, me periudhë të pagesës prej një deri në 8 vjet me grejs periudhë të përfshirë deri në 1 vit për mjetet fikse dhe me afat të pagesës prej një deri në 3 vjet me grejs periudhë të përfshirë deri në 1 vit për mjetet qarkulluese. Vlera e garancive në garancitë e portofolit parashikohet të jetë deri në 80% të kredive për mjetet qarkulluese dhe deri në 50% nga kreditë për mjetet fikse. Për garancitë individuale që kanë të bëjnë me tregtarët e mëdhenj, të hyrat të të cilëve bazohen në eksport marrin pjesë së paku 30% në të hyrat e realizuara të përgjithshme, do të garantohen kredi prej 3.075.000 deri në 30.000.000 denarë, ndërsa vlera e garancisë mund të jetë deri në 50% të kryegjesë së kredisë”, tha Besimi.

Përmes zbatimit të skemës garantuese kreditore, siç thekson ministri, do të rritet plasmani i kredive për bankat dhe kursimore, me ç’rast do t’u sigurojnë ndërmarrjeve qasje më të lehtë në kapital dhe si rezultat i kësaj do të rriten investimet dhe aktiviteti ekonomik.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button