Është arrestuar kryetari i Bashkisë së Lushnjës

Kryetari i Bashkisë së Lushnjës, Fatos Tushe është arrestuar nga Policia e Shqipërisë, pasi akuzohet për korrupsion dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Bëhet e ditur se Tushe është arrestuar gjatë një operacioni të ndërmarrë me urdhër të Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).

Përveç tij, janë arrestuar edhe 10 zyrtarë dhe ish-zyrtarë të tjerë.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, reagoi pas arrestimit të zotit Tushe duke thënë se “Partia Socialiste u shërben zgjedhësve dhe jo të zgjedhurve”.

Përmes një postimi në rrjetin social Twitter kryeministri i vendit, njëkohësisht kryetar i Partisë Socialiste, pjesë e së cilës është edhe Tushe, tha se “kryetari i Bashkisë së Lushnjës dhe cilido tjetër i akuzuar nga drejtësia në këtë rast apo në çdo rast, nuk do të ketë asnjë mbrojtje nga Partia Socialiste e duhet të përgjigjen vetë para drejtësisë, me avokatët e tyre e me gojën e tyre”, transmeton REL.

“Çdo zgjedhës duhet ta dijë se besnikëria jonë ndaj tij nuk varet nga asnjë individ, po është flamur beteje i PS për ta bërë Shqipërinë të ardhmen tonë dhe çdo i zgjedhur nuk duhet ta harrojë se flamuri i PS s’mund të bëhet mbulesa e askujt, për asnjë interes apo faj vetjak”, shkruan Rama.

Edhe ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë Juri Kim, përmes Twitter tha se është koha që çdo person i përfshirë në korrupsion, sado i pushtetshëm të jetë, të ndëshkohet me burg.

“Nëse je i përfshirë në korrupsion – sado i pushtetshëm mendon se je – tani është koha të konsiderosh ndikimin e veprimeve të tua mbi familjen tënde dhe vendin tënd. Tani është koha të konsiderosh nëse vërtetë ja vlen të shkosh në burg. Tani është koha të ndalosh. Askush nuk është mbi ligjin”, shkruan ambasadorja Kim.

Fatos Tushe drejton bashkinë e Lushnjës që tre mandate.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button