Vaksina kundër Kovid-19 është e sigurt, efektet anësore që quhen “skandaloze” janë normale

Në rrjetet sociale shpërndahet një “mesazh” i pakonfirmuar në të cilin pohohet se një grup i nxënësve pas marrjes së dozës së parë të vaksinës kundër Kovid-19 kanë pasur efekte anësoret pazakonta siç janë gjakosja nga sytë, cikli menstrual i parakohshëm e kështu me radhë. Për këtë, biseduam me mjekun Pajtim Asani sipas të cilit deri tani nuk janë raportuar efekte anësore grupore pas vaksinimit të të rinjve. Ai për Portalb.mk shpjegoi më detajisht efektet e mundshme anësore të vaksinës kundër Kovid-19.

Një grup i personave të cilët pëlqejnë të quajnë veten si “AntiVaxers” (janë kundër vaksinimit) vazhdimisht shpërndarë teori të ndryshme konspirative dhe dezinformata në rrjetet sociale. Qëllimi i personave apo grupeve të lartpërmendura është të zbehin procesin e imunizimit të popullatës dhe të bindin masën që vaksinat kundër virusit korona nuk janë të shëndetshme dhe se pas këtyre të fundit, qëndron një agjendë që sipas tyre, është e fshehur dhe e dëmshme.

rastin konkret, është shpërndarë një fotografi ku shihet një mesazh që pretendohet se është shkruar nga një mësuese e shqetësuar për efektet anësore të nxënësve nga vaksinat, por nuk është shfaqur emri e as mbiemri i autorit, respektivisht, mesazhi mund të ishte shkruar nga kushdo.

Fillimisht, kjo fotografi është shpërndarë 3 javë më herët në “Pinterest” dhe “ifunny” nga një llogari me emrin “skcizm”, llogari kjo e cila vazhdimisht shpërndan teori konspirative dhe të rrezikshme si dhe ndiqet nga një numër i madh i njerëzve.

Llogaria e mbushur me teori konspirative "skcizm"
Llogaria e mbushur me teori konspirative “skcizm”

Gjakosje nga sytë, hunda dhe menstruacione të parakohshme, këta janë vetëm disa prej efekteve anësore që sipas këtij postimi i kanë pasur qindra nxënës, meqenëse pretendohet se “mesazhi” është dërguar nga një mësuese.

“Dua të ndaj diçka me ju, sot ishte një ditë shumë e vështirë për mua në shkollë, unë jam mësuese dhe të premten e kaluar shumë nxënës të shkollës fillore pranuar dozën e parë të vaksinës – Sot është e hënë, vetëm disa ditë më vonë, shumë nxënës kanë lajmëruar efekte të ndryshme si gjakderdhje nga hunda, kokëdhimbje, tre nxënës humbën vetëdijen ndërsa disa vajza filluan të gjakosen – vajza ime u shqetësua shumë dhe ajo është në klasën e tetë, ajo kishte parë dy nxënësve duke ju dalë gjak nga sytë” thotë mesazhi që e recensojmë.

Shpesh herë, edhe efektet anësore normale të vaksinave kundër Kovid-19 shpërndahen si informacione “tabu” dhe “skandaloze” në mënyrë që popullata të frikësohet dhe të refuzojë të pranoje mjetin e vetëm parandalues të virusit korona, vaksinën.

Për këtë, biseduam me mjekun Pajtim Asani sipas të cilit deri tani nuk është raportuar për efekte anësore grupore si pasojë e marrjes së vaksinës kundër Kovid-19 në Maqedoni dhe botë. Ai shtoi se efektet anësore të këtyre vaksinave janë thuajse të njëjta me ata të vaksinave tjera.

Pajtim Asani, mjek.
Pajtim Asani, mjek.

“Nuk ka ndonjë lajm të raportuar për efekte anësore grupore sidomos gjatë vakcinim të të rinjëve në shkollat e mesme të bërë të ditur më parë.Efekte anësore të zakonshme prej vakcinave kundrejt COVID-19 janë pothuajse të njëjta me vakcinat e llojeve të tjera” tha Pajtim Asani, mjek.

Asani për Portalb.mk potencoi disa nga efektet anësore të zakonshme të vaksinës kundër Kovid-19 ndërkaq në lidhje me simptomet e pretenduara në “mesazhin” e lartpërmendur, Asani tha se të njëjtat janë jashtëzakonisht të rralla dhe vijnë si pasojë e rënies së rruzave të bardha të gjakut.

“Simptomat e zakonshme janë ethe, temperaturë, plogështi, kokëdhimbje, dhimbje e muskujve, barkqitje të raportuara në ueb faqet e OBSH Organizatës shëndetësore botërore dhe QKS Qendrës për kontroll të sëmundjeve. Ndërkaq, efekte anësore si gjakosje ne konjuktivën e syve, gjakosje prej hundës, cikël menstrual të parakohshëm ose cikël menstrual të potencuar edhe pse janë jashtëzakonisht të rralla janë të raportuara si shkak i rënies së rruzave të bardha të gjakut” shtoi mjeku Pajtim Asani.

Çfarë rekomandon OBSh-ja dhe shkencëtarët e saj

Sipas OBSh-së vaksinimi është i sigurt dhe efektet anësore nga një vaksinë janë zakonisht të vogla dhe të përkohshme, të tilla si një krah i lënduar ose ethe e lehtë. Efektet anësore më serioze janë të mundshme, por jashtëzakonisht të rralla.

Çdo vaksinë e licencuar testohet me rigorozitet në të gjitha fazat e provave para se të miratohet për përdorim, dhe rivlerësohet rregullisht përpara se të plasohet. Shkencëtarët gjithashtu po monitorojnë vazhdimisht informacione nga shumë burime për çdo shenjë që një vaksinë e caktuar mund të shkaktojë rreziqe shëndetësore.

“Mos harroni, ka shumë gjasa që të lëndoheni seriozisht nga një sëmundje e parandalueshme nga vaksina sesa nga vetë vaksina. Për shembull, tetanozi mund të shkaktojë dhimbje ekstreme, spazma muskulore (nyjë bllokimi) dhe mpiksje gjaku, fruthi mund të shkaktojë encefalit (infeksion i trurit) dhe verbëri. Shumë sëmundje të parandalueshme nga vaksinat mund të rezultojnë edhe në vdekje. Përfitimet e vaksinimit tejkalojnë shumë rreziqet, dhe shumë më tepër sëmundje dhe vdekje do të ndodhin pa vaksina”, thuhet nga OBSh-ja.

Sidoqoftë, për gjithë ata që kanë dilema për çështjen e vaksinave, mund të hulumtojnë më shumë në ueb-faqen e OBSh-së, ku ndodhen pothuajse përgjigjet e të gjitha dilemave rreth çështjes së vaksinave dhe se po të njëjtat janë të sigurta dhe efektive.

Disklejmer Fact Check COVID19, verifikimi i fakteve, vertetematës

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button