Çfarë nëse Kryeparlamentari në Bruksel do të fliste në anglisht!

Para rreth dhjetë ditëve Kryeparlamentari z. Xhaferi në samitin e kryeparlamentarëve me titull: “Parlamenti Evropian-Ballkani Perëndimor” që u zhvillua në Bruksel, auditoriumit të përbërë nga kryeparlamentarët e parlamenteve të Ballkanit Perëndimor si: Shqipëria, Kosova, Serbia, Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi, etj., iu drejtua me fjalimin në gjuhën shqipe.
Dhe menjëherë filluan kalamendjet juridike me akuza për shkelje të nenit 7 parag. 1 të Kushtetutës së RMV-së, për shkelje të Ligjit për përdorimin e gjuhës maqedonase (neneve 2 dhe 6), madje edhe akuza për vepër penale të “talljes me popullin maqedonas” sipas nenit 179 të Kodit Penal të RMV-së gjë që kulminoi me paraqitjen e interpelancës kundër tij. Akuzat e tilla vijnë nga juristë të veshur me fanella partiake-politike të OMRM-PDBNM (VMRO-DPMNE) dhe Levica, të cilët kushtetutën dhe ligjet i lexojnë dhe i interpretojnë herë horizontalisht e herë vertikalisht sipas tekave politike duke shpërndarë mjegull në opinion por edhe duke i vërë vetes misionin që ta mbrojnë ekskluzivitetin e gjuhës maqedonase në botën e jashtme (mision i pamundshëm ky) pasi që dështuan në mbrojtjen e këtij ekskluziviteti gjuhësor brenda shtetit, pas hyrjes në fuqi të Ligjit për përdorimin e gjuhëve në v. 2019.

Fakti i parë, që duhet konsideruar konsiston në të drejtën kushtetuese krahasimore rajonale të Ballkanit Perëndimor ku nga të gjitha gjashtë kushtetutat e gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor (Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Serbia, Mali i Zi dhe Bosnja dhe Hercegovina), vetëm Kushtetuta e RMV-së sipas nenit 7 parag. 1 parashikon se, në tërë territorin e RMV-së dhe në marrëdhëniet e saj ndërkombëtare gjuhë zyrtare është gjuha maqedonase dhe shkrimi i saj cirilik.
Gjë që paraqet një dispozitë absurde, të kërrusur dhe të pazakonshme kushtetuese sepse në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe në politikën e jashtme gjuhë zyrtare janë gjuhët botërore ose globale, si: anglishtja, frëngjishtja, spanjishtja, arabishtja, indishtja, etj., ose edhe gjuhët rajonale siç është rasti për shembull, me gjuhën shqipe në Ballkanin Perëndimor (e konfirmuar në eventin e mësipërm në Bruksel nga vetë Kryeparlamentari evropian italiani z. Sassoli) sepse nga gjithsej gjashtë shtete të Ballkanit Perëndimor, gjuha shqipe e ka statusin kushtetues të gjuhës zyrtare në tri shtete: Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut, ndërsa në Mal të Zi sipas nenit 13 parag. 2 të Kushtetutës së saj gjuha shqipe e ka statusin e gjuhës në përdorim zyrtar (pra, totali i përqindjes së gjuhës shqipe në Ballkanin Perëndimor është mbi 50%).

Prandaj, në këtë kontekst rajonal kushtetues të Ballkanit Perëndimor thjeshtë “bëhet pluhur” kuti kushtetues prej 20% i Kushtetutës së RMV-së për gjuhën shqipe ndërsa, akuzuesit për shkelje kushtetuese dhe ligjore shtiren kinse nuk e kuptojnë faktin që, Kryeparlamentari në Bruksel është drejtuar në gjuhën shqipe sepse kjo gjuhë është gjuhë zyrtare rajonale e Ballkanit Perëndimor.

Meqë jemi te Brukseli, fakti i dytë që duhet konsideruar konsiston në mospërdorimin e maqedonishtes respektivisht në përdorimin e anglishtes (edhe pse të ngathët) nga Kryeministri z. Zaev në marrëdhëniet ndërkombëtare (si për shembull më 11 maj të këtij viti në Bruksel me shefin e politikës së jashtme evropiane spanjollin z. Borrell) si dhe nga Kryetari i Republikës z. Pendarovski (si për shembull më 28 prill të këtij viti në Bruksel me Sekretarin Gjeneral të NATO-s norvegjezin z. Stoltenberg), mirëpo Kryeministri dhe Kryetari i Republikës asnjëherë nuk janë akuzuar për shkelje të nenit 7 parag. 1 të Kushtetutës së RMV-së, për shkelje të Ligjit për përdorimin e gjuhës maqedonase (neneve 2 dhe 6), e as për vepër penale të “talljes me popullin maqedonas” sipas nenit 179 të Kodit Penal të RMV-së. Kjo na shpie në përfundimin se, nëse edhe Kryeparlamentari do të fliste në anglisht, atëherë nuk do të akuzohej fare për shkelje kushtetuese dhe ligjore e as për vepër penale.

Fakti i tretë që duhet konsideruar konsiston në rregullimin kushtetues të marrëdhënieve ndërkombëtare në RMV sipas të cilit, Kryeparlamentari nuk ka asnjë status ose pozitë kushtetuese në kuadër të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe në politikën e jashtme të shtetit, sepse Parlamenti nuk e përfaqëson Republikën por qytetarët e saj (neni 61), ndërsa Kryetari i Republikës e përfaqëson Republikën (neni 79). Nga ana tjetër, marrëveshjet ndërkombëtare në emër të Republikës i lidh Kryetari i saj por mundet edhe Qeveria (neni 119), por në asnjë rast Parlamenti ose Kryeparlamentari.
Nga ky rregullim kushtetues i marrëdhënieve ndërkombëtare në RMV shihet qartë se sa të pabaza dhe dashakeqe janë akuzat për shkelje kushtetuese dhe ligjore, meqë akuzohet vetëm Kryeparlamentari sepse foli shqip në Bruksel respektivisht sepse nuk foli maqedonisht edhe pse nuk ka asnjë pozitë kushtetuese në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe në politikën e jashtme të shtetit, ndërsa asnjëherë nuk akuzohen Kryeministri dhe Kryetari i Republikës të cilët gjithashtu nuk flasin maqedonisht në Bruksel edhe pse kanë pozitë kushtetuese në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe në politikën e jashtme të shtetit.

Nga kalamendjet juridike rrjedh edhe porosia nënçmuese për gjuhën shqipe që e dërgojnë juristët me fanella partiake-politike të OMRM-PDBNM (VMRO-DPMNE) dhe Levica, sipas së cilës, vetëm në shqip nuk mundet në marrëdhëniet ndërkombëtare sepse shkelet kushtetuta, ndërsa në anglisht mundet sepse nuk shkelet kushtetuta, mirëpo ku mbeti maqedonishtja nga Kryeministri dhe Kryetari i Republikës në marrëdhëniet ndërkombëtare sipas kushtetutës!

 

Prof. Dr. sc. Jeton SHASIVARI
(Autori është profesor ordinar i së drejtës kushtetuese dhe administrative në Fakultetin Juridik të UEJL-së)

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button