“Çfarë do të ndryshoja në shkollën/universitetin ku studioj”, 10 të rinj dhanë sugjerimet e tyre

“Çfarë do të ndryshoja në shkollën/universitetin ku studioj” ishte kjo temë e hapur nga Portalb përmes së cilës disa të rinj dhanë sugjerimet e tyre për shkollat dhe universitetet ku mësojnë dhe studiojnë. Në mes sugjerimeve të ndryshme të shumta ishin sugjerimet si hapja e kabineteve për shkencat ekzakte në disa shkolla, krijimi i bibliotekave apo leximoreve si dhe rregullimi i marrëdhënieve në mes studentëve dhe profesorëve.

Ndërsa, më poshtë i keni të radhitura sugjerimet e të gjithë studentëve veçmas.

Aleina Arsllani

“Përshëndetje unë jam Aleina Arsllani, nxënëse e vitit të tretë në gjimnazin Kirili Pejcinoviq. Siç e dimë të gjithë kjo shkollë po reformohet masivisht dhe kjo është mjaft pozitive por, diçka që do ndryshoja është fakti që s’kemi leximore, vend ku mundemi të mësojmë, si dhe na duhen kabinete të fizikës kimisë dhe biologjisë. Diçka tjetër që do doja është mundësi që shkolla me profesorët të cilët i kemi në bazë të mundësive të tyre të organizonte kurse dhe trajnime falas ose në marrëveshje me persona të tjerë për zhvillim karriere të nxënësve! Ju faleminderit!” – theksoi Aleina në videon e saj.

Anisa Bexheti

“Diçka që unë do të doja të ndryshoja në shkollën tonë padyshim është mungesa e higjienës, ku nxënësit kalojnë kohën e tyre aty. Diçka tjetër që do të doja të ndryshoja është mungesa e librave, ku prindërit detyrohen që fëmijëve të tyre tua sigurojnë vet librat, pavarësisht  obligimeve të tjera që kanë për fëmijët e tyre. Diçka tjetër që do të doja të ndryshoja në shkollën ku mësoj është qëndrimi i disa profesorëve që bëjnë nxënësit të besojnë që nuk janë të aftë për asgjë dhe që profesori është në një pozitë më të lartë se nxënësi, kështu duke i nënvlerësuar dhe nënçmuar nxënësit, poashtu mendojnë që respekti fitohet me frikë dhe jo me meritë. Por, do të veçoja disa profesorë të cilët janë të denjë për punën e tyre. Ju faleminderit” – theksoi Anisa në video.

Genta Abdiji

“Ajo që do të doja të ndryshoja unë në ish-shkollën time është fakti se kur unë jam regjistruar në këtë shkollë kam pasur mundësinë e zgjedhjes së drejtimit tim të ardhshëm vetëm në formë letre dhe jo në mënyrë praktike pasi nuk kishte mundësi. Kjo është dëshira ime për gjeneratat e ardhshme, për shkak se ka nxënës për prirje dhe preferenca për lëndët artistike dhe nuk kanë mundësi, andaj do të doja që kjo padyshim të vihej në praktikë”- tha Genta Abdiji.

 

Gentina Abdiji

“Përshëndetje për të gjithë, unë jam Gentina Abdiji tash më kam mbaruar mësimet në gjimnazin “Kirili Pejçinoviq” të Tetovës. Katër vite nuk janë pak për ti kaluar aty, kemi marrë mësime  dhe këshilla nga më të ndryshmet. Ajo të cilën e shoh si më të arsyeshme për t’u ndërmarrë apo nxënësit e rinj, gjeneratat e reja ta shfrytëzojnë është zhvillimi apo hapja e kabineteve. Kabineteve të lëndëve përkatëse, siç janë shkencat  ekzakte për tu bërë zhvillimi i duhur i eksperimenteve nga lëmi të ndryshme. Shpresoj që në të ardhmen e afërt kjo gjë të ndryshoj në shkollën time”, potencoi Gentina në videon e saj

Anida Bakiu

“Përshëndetje të gjithëve unë jam Anida Bakiu dhe mësoj në shkollën e mesme “8 Shtatori” drejtimi i juridikut. Sa i përket temës “Çfarë do të doja të shihja ndryshe në shkollën ku mësoj” tashmë veç se kam filluar duke i parë ndryshimet. Duhet cilësuar se aktivitetet në shkollën time ishin të rralla ndërsa, tani janë të shumta duke filluar që nga botimi i revistës, kalendarët e ndryshëm, pjesëmarrja e nxënësve në aktivitetet shkollore si shtetërore ashtu edhe jashtë shtetit. Një mangësi që do të doja të ndryshoja ishte se ne jemi një shkollë praktike dhe praktikën nuk e kishim të mundshme pasi që i kishim hapësirat e vogla shkollore. Por, përsëri me ndihmën e drejtoreshës dhe punën e palodhshme të profesorëve ne përsëri ia dolëm në ato hapësira ta bënim praktikën dhe ta bëjmë përsëri. Gjëja që do të doja ta ndryshoja ishte kjo që realizimi i projektit dhe të hapësirës shkollore të zgjerohet dhe praktika të bëhet ashtu siç duhet në gjeneratat e ardhshme.”- shtoi ajo.

Emine Islami

“Përshëndetje të gjithëve, uroj që të gjithë të jeni mirë, fillimisht  unë jam nxënëse e shkollës së mesme të mjekësisë “Nikolla Shtejn”. Tema për të cilën do të flasim është ajo se çfarë do të kishim ndryshuar ne në shkollën tonë, atëherë shkolla ime kohëve fundit edhe pse është avancuar shumë në mënyrën e krijimit të kabineteve të ndryshme që shfrytëzohen për praktikë, ajo se çfarë do të kisha shtuar është se do kërkoja të bëhej një leximore e cila do të na avanconte më tepër në mënyrën e të lexuarit dhe kjo besoj do të nxite më shumë te ne si rini dëshirën për të lexuar” theksoi Emine-ja.

Ardiana Dauti

“Të flasësh për arsimin e lartë të duket diçka e thjeshtë por, në thelb është shumë e komplikuar pasi që janë shumë probleme me të cilat jam përballur vet si studente dhe që përballen dhe studentët tjerë. Në lidhje me pyetjen se “Çfarë do të ndryshoja unë në universitetin ku kam studiuar”, mendoj se nuk do të mjaftonte 1 minutëshi i kësaj interviste dhe do ti përmendi ato më kryesore dhe më thelbësore që mendoj se janë. Do të inicioja që këshilli studentor ose parlamenti studentor të funksionoj si një organizatë e pavarur dhe të jetë gjithmonë në krahun e studentëve do të inicioja që të zgjidhet një avokat i studentëve i cili do të iniciojë në shqyrtimin e ankesave apo kërkesave që kanë vetë studentët.”- theksoi Ardiana në videon e saj.

 

Arbnora Maksuti

“Unë si studente në universitetin tim do të kisha dashur të ndryshojnë marrëdhëniet midis studentëve dhe profesorëve. Marrëdhëniet e mira përmirësojnë performancat akademike dhe ekstra kurrikulare të studentëve. Mësimi pa tension krijon një ambient më komod në klasë”- theksoi Arbnora.

 

 

 

Lejla Toska

“Çka do të kisha dashur të ndryshojë në universitet është kushtimi i vëmendjes më shumë në rezultatet e studentëve pasi kjo na tregon se sa efektiv është sistemi arsimor në atë universitet. Nëse ka një numër më të madh të studentëve të cilët kanë rezultate më të ulëta, atëherë duhet të bëhet ndryshim në atë sistem arsimor dhe të gjendet një metodë sa më efikase”- theksoi Lejla në videon e saj.

 

 

Rezart Ismaili

“Përshëndetje unë jam Rezarti jam nga Gostivari dhe studioj në fakultetin e shkencave kompjuterike në Universitetin Juglindor të Evropës, sa i përket pyetjes çfarë do doja të ndryshoja në universitetin tim do të ishte të shtohen drejtime të tjera të ndryshme pasi që numri i drejtimeve është i kufizuar dhe pse jo të kemi drejtime të ndryshme” – theksoi Rezarti në videon e tij.

 

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button