(Sh)për’puthen ose “immorality television” (1)

Titulli këtij shkrimi është ideim yni, me një huazim nga Jon Ferreira, televizioni imoral. Pra këtë radhë flasim për një temë aktuale, relacionin media-morali. Mediat përkufizohen si mjete të komunikimit masiv dhe si organizata përmasash të mëdha, që në saje të teknologjisë së sofistikuar mund të kontaktojnë me një numër shumë të madh njerëzish. Përfshijnë teknika ose institucione përmes së cilave ofruesit e ndryshëm i përcjellin ose i shpërndajnë informacionet ose format e tjera të komunikimit simbolik deri te auditoret e mëdha, heterogjene dhe gjeografikisht të shpërndara. Bashkë me mediat përdoret edhe termi masmedia, mjetet e komunikimit masiv, që janë tërësia e rrugëve dhe e mënyrave për informimin e shoqërisë dhe të bashkëbisedimit me publikun përmes fjalës së shkruar, zërit, fotografisë statike e dinamike. Mediat shprehin ndërveprimin shoqëror, lidhjen aktive e krijuese të shoqërisë me realitetin historik e bashkëkohës. Misioni kryesor dhe i përgjithshëm i mediave është krijimi i mundësive dhe rrethanave për komunikim e bashkëveprim midis grupeve, shtresave e sistemeve shoqërore.

Mediat shqiptare në periudhën e tranzicionit kanë bërë një ‘hop të madh’: kaluan nga darët e shtetit, nga kontrolli i tmerrshëm mediatik në një profil të mediave të lira të lira, nga mediat e monopolit te koncepti i “medias private”, te shumësia e tyre, u shndërruan në simbol të lirisë së shprehjes, të entiteteve liberale, komerciale, të marketingut, të zbavitjes. Ndërkohë ndryshoi edhe filozofia mediatike, ndryshoi koncepti për vlerat, ndodhi një ndryshim për 180 shkallë. Hapja dhe imitimi i mediave globale janë fjalët kyç që pasqyron kulturën e re mediale. Ndodhi edhe ndryshimi i narracionit, i mënyrës së shprehjes, ndryshoi edhe gjuha shqipe, me plot barbarizma në të, saqë shpesh duhet të shikosh “google translate”. U ndërtua një kulturë e re e debatit që shpesh është fijasko e vërtetë, një antikulturë e bisedimeve pranë ekranit, ku s’mbetet asnjë motiv për të ndjekur udhëheqësit/moderatorët dhe në veçanti analistët që përfyten keqaz mes vete për çështje nga më të ndryshmet, deri te ato banale, që s’kursejnë as shprehjet e rrugës, që shfrytëzojnë edhe muskujt në vend të argumenteve.

Ndërkohë ndodhi edhe seksizimi i tyre; seriale të huaja që s’kanë të sosur, gjithnjë e më shumë gazetari të medias rozë, ndjekje të pseudo-VIP-ave dhe bëmave të tyre, libidoizim vulgar, thashetheme, lidhje-shlidhje, bashkime-ndarje, gjokse e prapanica, trivialitete e budallallëqe sa s’bën. Të kësaj vije janë reality shows, emisionet spektakël ku i bihet telit të degjenerimit masovik, të korruptimit moral e etik, ku shkilen apo kapërcehen kufijtë e normales. Një nga ta është edhe “Për’puthen”, një talk show dashurie, që “ka për qëllim njohjen e të rinjve dhe daljen çift nga aty”, që në fakt afirmon aferat, skandalet, një produksion që multiplifikon shëmtinë, që gjithçka e lidh me look-un dhe fizikun e të rinjve, që afirmon “djallin e veshur në prada dhe me shikim vrastar”. (E. Osmani) Në fakt emisionet si “Për’puthen” nuk gjenerojnë të rinj të përputhur, por shpërputhje, degradim, kundër-kulturë, prodhojnë bashkim çasti që përfundon me ndarje. Shkolla mediale duhet njerëzit t’i përputhë me vlerat, mirësinë, me gjërat që nga ngrisin në shkallaren e garës mes kombeve, që tentojnë t’i shmangin njerëzit nga devijimet sociale të kohës. Ndërsa formate programore si i sipërpërmenduri vrasin dashurinë si koncept jete, si një diçka e bekuar, si punë që nuk shkon me skenar e as me publicitet, ngase publicizimi i dashnisë e dërrmon dashninë. (vazhdon)

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button