fbpx

ANALIZË: “Shtimi natyror negativ” u rrit për 11 herë, ndërsa fshatrat e futën në “zonën” negative (Infografik)

Me përjashtim të rajonit të Shkupit, në të shtatë rajonet e tjera planifikuese vitin e kaluar u regjistrua një trend dramatik negativ –  rënie në shtimin natyror të popullsisë, që do të thotë ulje e numrit të të sapolindurve dhe rritje e vdekjeve. Sipas demografëve, kjo është pasojë e krizës shëndetësore që rezultoi me pothuajse 5,500 vdekje nga Kovid 19 dhe për shkak të së cilës vendi u mbyll, si brenda ashtu edhe jashtë. Në vitin 2020, statistikat tregojnë një rënie të natalitetit dhe rritje të vdekshmërisë në nivel shtetëror, shkruan analiza javore ekonomike e Portalb.mk

Pandemia e merr “tatimin” e saj edhe në demografi…

Në vitin e krizës 2020, statistikat matën një rënie dramatike të rritjes natyrore në nivel shtetëror, edhe atë (minus) – 6,724 njerëz. Për dallim nga viti 2019, vitin e kaluar edhe komunat rurale hynë në zonën me rritje natyrore negative.

Sipas analistëve nga fusha e statistikës dhe demografisë, këto të dhëna tregojnë se kriza shëndetësore e ka goditur strukturën demografike në vend.

“Ne kishim një pandemi që ndikoi fuqimisht në rritjen negative dhe kjo tendencë i preku edhe zonat rurale, që do të thotë se edhe ato u përballën me problemin e rritjes së vdekshmërisë dhe uljes së natalitetit. Do t’i theksoja dy faktorë – së pari vdekshmërinë e lartë për shkak të Kovid 19 dhe së dyti, kufizimet e lëvizjes që i kishim, njerëzit u kufizuan e madje edhe u ndaluan të udhëtonin, nuk kishte migrime, që është gjithashtu një faktor që ndikon mbi natalitetin“, thotë për Portalb.mk, eksperti Donço Gerasimovski, një nga ish-drejtorët e Entit Shtetëror Statistikor.

E çfarë tregojnë statistikat e fundit? Në vitin 2020, vetëm në rajonin e Shkupit, u regjistrua një rritje natyrore pozitive prej 36 personave. Rritje më të madhe negative, me pothuajse 2,000 njerëz, ka në rajonin e Pellagonisë.

Një nga faktorët që e përcaktojnë një lëvizje të tillë negative është edhe migrimi i kufizuar. Kështu, vitin e kaluar u regjistruan 2,920 të larguar dhe të ardhur, ndërsa në vitin 2019 ky numër ishte 3,174 persona.  Demografët thonë se kjo tendencë e rritjes natyrore negative vazhdon edhe këtë vit, në tremujorin e parë ekonomik, përveç në disa komuna të tilla si Haraçina, Zhelina, Likova.

“Padyshim që viti 2020 është një vit karakteristik në të cilin ka një trend negativ demografik. Në vendin tonë, edhe këtë vit, sipas të dhënave fillestare, rreth 70 komuna po përballen me rritje natyrore negative. Ky është një problem jo vetëm për Maqedoninë, por edhe për rajonin. Në Serbi, për shembull, rritja negative natyrore në katër-pesë muajt e parë është 43,000 dhe pres që ky numër të rritet ndjeshëm deri në fund të vitit. Situata është përkeqësuar edhe në Bullgari ku vdekshmëria është në rritje, ndërsa nataliteti në rënie, dhe kjo po ndodh për një kohë të gjatë, ndërsa pandemia vetëm e ka përkeqësuar situatën“, analizon Gerasimovski.

Në vitin e pandemisë 2020, vdekshmëria është në rritje, ndërsa nataliteti është në rënie. Kështu, vitin e kaluar, janë regjistruar 19,031 lindje të fëmijëve të gjallë, që është për 4.1% më pak se në vitin 2019. Në shtatë vitet e kaluara ose nga viti 2014 e tutje, numri i lindjeve të fëmijëve të gjallë është zvogëluar çdo vit, me ç’rast në vitin 2014 ishte 23,596. Numri më i madh i lindjeve të fëmijëve të gjallë vitin e kaluar nga komunat e Shkupit u regjistrua në komunat e Çairit dhe Aerodromit, ndërsa më shumë se 1,000 lindje të fëmijëve të gjallë kishte vetëm në komunën e Tetovës. Nga ana tjetër, statistikat tregojnë se vitin e kaluar numri i vdekjeve u rrit për 26.0% krahasuar me vitin paraprak dhe arriti në 25,775 vdekje.

Trendi i emigrimit, veçanërisht i popullsisë së re, sipas analistëve mbetet një faktor kryesor që do të vazhdojë ta ndryshojë edhe më tej hartën demografike të vendit – me pasoja të pritshme – duke ulur rritjen natyrore të popullsisë në vend.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button