Hulumtimi i IRL-së zbardhi detaje për ndërtesën ilegale “Titanik” në Serovë të Çairit

Gazetarët e Investigative Reporting Lab (IRL) në epizodën e sontme kanë hulumtuar kush qëndron pas ndërtesës ilegale në “Titanik” në lagjen Serovë në komunën e Çairit e cila përbëhet nga dy objekte pa leje. Duke sqaurar procesin hulumtues përmes deklaratave, kjo redaksi zbardhi detaje në lidhje me pronarët e tokës, njofton Portalb.mk.

“Bëhet fjalë për një objekt të madh që qytetarët e komunës së Çairit e quajnë Titanik. Në terren objektet gjenden lehtësisht, vetëm dhjetëra metra nga gjinekologjia e Çairit, deri te shkolla fillore e komunës. Duket e pabesueshme se si dikush ka lejuar në planin urbanistik të kësaj rruge aq të vogël të projektohet objekt me këto dimensione. Nuk e kishim të qartë se si mund të ndërtohet ndërtesë kaq e madhe pa pëlqim për ndërtim dhe askush të mos e pengojë. Që të jetë edhe më e tmerrshme, menjëherë afër kësaj ndërtese, po ndërtohet edhe një ndërtesë tjetër e njëjtë për nga madhësia për të cilën qytetarët thonë se është ndërtim pa leje.” shprehet gazetarja e IRL-së.

Sipas fotografive të treguara në “Google Earth”, vijon më tej hulumtimi i IRL-së, ndërtesa ka filluar të ndërtohet në mes viteve 2013-2014. Sipas planit të detajuar urbanistik në këtë lokacion është paraparë të ndërtohet objekt me përdhesë plus tre kate. Njëmbëdhjetë vite më vonë, në parcelë ka objekt me 126 banesa.

“Hulumtimet nëpër të dhëna të qasshme publike dhe të dhëna nga kadastra na mundësuan ta zbulojmë detajin më të rëndësishëm, emrat e pronarëve të tokës, gjegjësisht vëllezërit Qamil dhe Qail Bushi dhe familja Reçi. Këtu kuptuam se ndërtesa që po ndërtohet afër Titanikut është realisht ndërtesë e ndarë, e një investitori tjetër. Bëhet fjalë për ndërtime pa leje në tokë të familjeve vendase në Çair. Gani Reçi është një nga gjashtë pronarët e kësaj toke dhe njeriu që më së shpeshti shihet si paraqitësi i dokumenteve në kadastër. Sabedin Bushi, djali i Qamil Bushit, nip i Qail Bushit,  pronarët e tokës së Titanikut. Edhe pse emri i tij nuk figuron në asnjë nga dokumentet nga kadastra, ai është personi që njihet si dikush që i udhëheq të gjithë punët rreth objektit Titanik. Dhe përveç që ka firmën e tij për ndërtimtari, të cilën e ka themeluar vitin e kaluar, Sabedini është aktiv edhe në partinë BDI. Nga fotografitë që janë të publikuara në profilin e tij në “Facebook”, mundemi të shohim se Sabedini merr pjesë në takime dhe mbledhje të partisë, ndërsa është i afërt me kryetarin e tanishëm të Çairit, Visar Ganiu, por edhe me ish-kryetarin Izet Mexhiti.” tregon në video gazetarja e IRL-së.

“Sabedin Bushi nuk identifikohej si investitor, por tregoi 5 versione të ndryshme të ngjarjeve. Në njërin version, ai dhe familja e tij nuk janë investitorë, por vetëm pronarë të tokës në të cilën është ndërtuar objekti, që e ka ndërtuar një firmë turke. Në versionin tjetër, investitorët janë tërhequr në gjysmë të ndërtimeve dhe janë larguar, dhe më pas gjatë gjithë kohës ka folur për komunikimin e tij me komunën sikur ai të ishte investitor. Ka treguar se ai planifikon ta legalizojë këtë ndërtesë, ka treguar edhe se gjatë viteve 2013-2014 ka paraqitur kërkesë për pëlqim për ndërtim edhe atë për ndërtesë me 10 kate, dhe në versionin e fundit për ngjarjet, Bushi ka thënë diçka që atëherë na është dukur shumë e palogjikshme. Në vitin 2018 ka paguar taksa komunale për 33 banesa. Në atë moment, këtë e pamë si një version absurd të një njeriu që dëshiron të fsheh diçka.” tregon në video gazetarja e IRL-së.

Për më shumë informata ndiqni videon me titra në shqip.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button