Sundimi i hajdutëve politikë

Departamenti i Shtetit një muaj më parë e shpalli persona “non-grata” politikanin veteran Sali Berisha dhe lëshoi disa sinjale se si duhet të sillen qeveritë e Ballkanit Perëndimor. Disa e morën seriozisht këtë vërejtje të jashtme, pasi miliona dollarë dhe euro janë derdhur në buxhetet e qeverive të rajonit për të luftuar korrupsionin dhe ndërtuar shtetin ligjor. Një gjë të tillë nuk e pamë në Maqedoninë e Veriut (MV) e cila me vite që nga pavarësia e sidomos pas forcimit amerikan në Shkup, vazhdon ta kuptojë shtetin si në kohën e socializmit të lidhur për partinë dhe grupet nacionaliste-klanore.

Gjatë një forumi rajonal në Maqedoninë e Veriut, diplomati i lartë amerikan Mathew Palmer tha: “Përkundër ekonomisë, qytetarët në rajon janë shumë të shqetësuar për sundimin e së drejtës dhe korrupsionit. Kur liderët politik vjedhin nga qytetarët e shtetit të tyre apo e dëmtojnë sundimin e së drejtës dhe pavarësinë e gjyqësorit, rritja ekonomike ngadalësohet përhapet pabarazia dhe ulet besimi në qeverinë”.

As Bashkimi Evropian (BE) nuk ka qenë larg sugjerimeve që këta shtete të përmirësojnë gjendjen e gjyqësorit, por siç dihet të gjitha kanë hasur në një farë veshi të shurdhur. Tash kur vendi bëhet gati që pas vetos bullgare t’i hyjë procesit të hapjes së negociatave, në kapitullin e 25 të BE-së për shtetin ligjor dhe të korrupsionit thuhet: “Politikat e BE-së në fushën e gjyqësorit dhe të drejtave themelore synojnë të mbajnë dhe zhvillojnë më tej unionin si një zonë e lirisë, sigurisë dhe drejtësisë. Krijimi i një gjyqësori të pavarur dhe efikas është i një rëndësie të madhe. Paanshmëria, integriteti dhe një standard i lartë i gjykimit nga gjykatat janë thelbësore për mbrojtjen e shtetit ligjor. Kjo kërkon një angazhim të vendosur për të eleminuar ndikimet e jashtme mbi gjyqësorin dhe për të përkushtuar burimet e duhura financiare dhe trajnimin. Garancitë ligjore për procedurat e gjykimit të drejtë duhet të ekzistojnë. Në mënyrë të barabartë, shtetet anëtare duhet të luftojnë korrupsionin në mënyrë efektive, pasi ai përfaqëson një kërcënim për stabilitetin e institucioneve demokratike dhe sundimin e ligjit. Kërkohet një kornizë solide ligjore dhe institucione të besueshme për të mbështetur një politikë koherente të parandalimit të korrupsionit. Shtetet anëtare duhet të sigurojnë respektimin e të drejtave themelore dhe të drejtave të qytetarëve të BE-së, siç garantohet nga “Acquis”-i dhe nga Karta e të Drejtave Themelore”.

Pse politikanët i vjedhin qytetarët?!

SHBA dhe BE po thonë se shtetet e rajonit duhet të përmirësojnë gjyqësorin dhe të ndërmarrin veprime konkrete për të pastruar sistemin e drejtësisë nga kleptomania dhe dënuar politikanët dhe zyrtarët e implikuar. Në Maqedoninë e Veriut kjo nuk po bëhet, dhe as më pak nga qeveria e kryeministrit Zoran Zaev ku marrin pjesë parti që bartin të kaluarën e qeverisë së Gruevskit. Tani a duhet të mendojmë se me figurat e njëjta do të shkojmë në BE aq shpejtë dhe gjykatat do të jenë të drejta për qytetarët?! Sa politikanë, zyrtarë të të gjitha niveleve apo gjyqtarë dhe prokurorë janë dënuar në Maqedoninë e Veriut?! Sigurisht se asnjë ose kemi raste gjyqësore vetëm për shfaqje ndërkombëtare, ku gjyqësia vendore tallet me të drejtën dhe manipulohet për shkak të ndikimeve politike. Nëse me të vërtetë jemi të fokusuar të ndërtojmë shtet të barabartë për të gjithë qytetarët, këtë duhet ta bëjmë, ndryshe të gjitha premtimet do të mbeten në letër dhe që do të lexohen nga goja e politikanëve hajdutë.

Nga veprat konkrete shihet se një gjë të tillë si vështirë do ta shohim shpejt në Maqedoninë e Veriut, ku po vazhdohet me një mentalitet të vjetër të qeverisjes dhe mosdhënies llogari institucionale. Mund të thuhet se ka vullnet vetëm për të folur para mediave dhe të huajve se do të kemi një ditë një shtet ligjor dhe se korrupsioni do të luftohet dhe dënohet. Nga dinamikat politike dhe qeveritare, vërehet se jeta normale me ligje evropiane është shumë larg në Maqedoninë e Veriut. Nëse kryeministri Zoran Zaev dhe lideri i BDI-së Ali Ahmeti si dy lojtarë kryesorë të euro-integrimeve thonë se “jemi për Evropë”, atëherë po ata duhet të sillen, qeverisin dhe punojë drejtë si politikanë të ndershëm dhe të përgjegjshëm. Ndryshe, të gjitha premtimet do të mbeten vetëm fjalë forumesh, takimesh rajonale dhe mbledhje të pafundme qeveritare ku flitet për shtetin e drejtë dhe luftën kundër korrupsionit, ndërsa aktorët e njëjtë nuk ndërmarrin asgjë.

Diplomatë të lartë të SHBA-së në Ohër kanë paralajmëruar një “listë të zezë” me zyrtarë për Maqedoninë e Veriut, megjithatë derisa të bëhet reale dhe deri ku do të shtrihet ajo listë mbetet të shihet. Listat që ndalojnë udhëtimet e zyrtarëve të korruptuar në SHBA dhe bllokimin të pasurive po të të njëjtëve, nuk kanë dhënë aq rezultate në vendet nga ku zyrtarët e kanë origjinën. Lista duhet të azhurohet me emra të rinj duke përmbajtur udhëzime se si qeveritë të veprojnë konkretisht me figurat që shpallen të padëshirueshëm nga qeveritë e huaja dhe mike. Qytetarët janë në pritje të “listës së zezë” amerikane për Maqedoninë e Veriut ashtu njëjtë siç e bënë për Shqipërinë duke goditur figura të larta. Por, pa sanksione lokale të politikanëve të dyshuar dhe hapje të proceseve, listat ndërkombëtare nuk do të kenë efekte në qeverisjen e mirë, shtetin ligjor dhe në luftën kundër korrupsionit.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button