Padia ndaj Organizatës Trump dhe efektet potenciale të saj

Organizata Trump dhe shefi i financave të kompanisë u akuzan për një skemë mashtrimesh financiare dhe pagesash të paligjshme. Avokatët e kompanisë dhe shefi i financave Allen Weisselberg nuk i pranuan akuzat duke thënë se janë të pafajshëm. Prokurorët pretendojnë se skemat e mashtrimeve ishin orkestruar nga drejtuesit më të lartë të kompanisë, të cilët sipas aktakuzës siguronin në mënyrë të paligjshme përfitime për veten dhe kompaninë. Nga ana tjetër avokatët mbrojtës i cilësuan hetimet si të motivuara politikisht, raporton VOA.

Prokurorët në Nju Jork të enjten ngritën akuza ndaj Organizatës Trump, kompania që është në pronësi të ish Presidentit të Shteteve të Bashkuara Donald Trump, nën dyshimet e një skeme 15 vjeçare të mashtrimit të qeverisë amerikane, duke pretenduar se organizata kompensonte udhëheqësit e lartë me para, shkollim privat dhe makina luksoze, pa i raportuar ato si të ardhura tek autoritetet federale dhe shtetërore.

Ndaj Organizatës Trump dhe shefit të financave të komanisë, 73 vjeçarit Allen Weisselberg, janë ngritur 15 akuza, përfshirë edhe ato për mashtrim financiar dhe evazion fiskal.

Sipas aktakuzës, zoti Weisselberg, i cili ka 48 vjet që punon për zotin Trump, dyshohet se ka fshehur më shumëse 1.7 milionë dollarë të ardhura duke përfshirë qiranë për një apartament në Manhatan, pagesat për dy automjete Mercedes Benz dhe pagesat për shkollimin e anëtarëve të familjes.

Ndërsa po prezantonte rastin në Gjykatën e Lartë të Shtetit të Nju Jorkut në Manhatan, prokurori Careey Dunne tha se kjo ishte një skemë gjithëpërfshirëse dhe e guximshme pagesash të paligjshme.

Zoti Weisselberg edhe Organizata Trump nuk i pranuan akuzat.

Avokatët mbrojtës i cilësuan hetimet si politike, duke pretenduar se akuzat u ngritën për shkak se kompania mban emrin Trump dhe se kjo po bëhet për të luftuar kundërshtarët politikë.

Në 224 vjet nuk kemi pasur një prokuror lokal, që shkon pas një ish presidenti të Shteteve të Bashkuara, ose punonjësve dhe kompanisë së tij. Kjo është një vijë e rëndësishme për ta kaluar. Dhe sinqerisht jo vetëm si një avokat, por qytetar, jam i shqetësuar për këtë“, thotë Alan Futerfas, avokat mbrojtës i Organizatës Trump.

Prokurori kryesor në këtë çështje, Cyrus Vance Jr. është një demokrat, ashtu si Prokurorja e Përgjithshme e shtetit të Nju Jorkut, Letitia James, zyra e së cilës ndihmoi gjatë hetimeve. Të dy ishin në sallën e gjyqit të enjten.

Në një deklaratë me shkrim ish-Presidenti Trump tha se “Gjuetia politike e Shtrigave nga Demokratët e majtë radikalë, me Nju Jorkun që tani merr përsipër detyrën, vazhdon. Ajo po e ndan vendin tonë si kurrë më parë“.

Kjo është çështja e parë penale që vjen si rezultat i një hetimi dy-vjeçar. Ndaj ish-presidentit Trump ende nuk është ngritur asnjë akuzë.

Padia 25 faqëshe e bën të qartë se Allen Weisselberg nuk është punonjësi i vetëm i Organizatës Trump që mori pagesa të cilat prokurorët besojnë se ishin të paligjshme. Sidoqoftë, ai ishte i vetmi person i akuzuar.

Ekspertët ligjorë besojnë se vendimi për të akuzuar atë është një përpjekje për ta bindur atë që të bashkëpunojë me autoritet për të dhënë prova, që mund të implikonin ish-presidentin në veprime të paligjshme, një praktikë që qeveria përdor në ndjekje të ndryshme penale. Nëse kjo ndodh, mund të ketë edhe të akuzuar të tjerë.

Njohësit thonë se ngritja e akuzave penale ndaj një kompanie nuk është një hap i lehtë që merret nga qeveria, duke pasur parasysh pasojat e ashpra që mund të ketë biznesi.

Në disa raste, një aktakuzë është e mjaftueshme për të çuar një kompani në falimentim, pasi klientët dhe kreditorët mund ta vlerësojnë si të rrezikshme lidhjen me një organizatë që akuzohet për veprimtari kriminale.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button