Shqipëri, u goditën 4 grupe të fuqishme narkotrafiku, në pranga një prokuror e zyrtarë policie

Të paktën 38 persona, anëtarë të katër grupeve kriminale që trafikonin lëndë narkotike, janë vënë nën arrest gjatë një operacioni të autorizuar nga Prokuroria e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (SPAK), falë një hetimi të zhvilluar në bashkëpunim me prokurorinë antimafia të Italisë dhe të koordinuar me Eurojust-in, Agjencia e Bashkimit europian për bashkëpunimin gjyqësor në luftën kundër kriminalitetit. Operacioni me emrin e koduar “Shpirti” është shtrirë dhe në Itali, Mal të Zi, e Spanjë, transmeton VOA.

Në pranga kanë përfunduar dhe zyrtarë të lartë shqiptarë që dyshohen të jenë përfshirë në aktivitetin e grupeve të narkotrafikut. Mes tyre prokurori i Vlorës Maksim Sota (në arrest shtëpie), Ilirjan Balla, ish nëndrejtori i Vlorës, aktualisht në sektorin e luftës kundër trafiqeve në Policinë e Shtetit, Festim Lelaj, ish shef i Rendit në Fier dhe një periudhë kohe pjesë e sektorit të antidrogës, i arrestuar më herët si i përfshirë në trafikimin e 2.5 ton marijuanë drejt Italisë, Artur Krasniqi, oficer policie në Portin e Durrësit si dhe Agustin Deda dhe Hekuran Marku, të cilët në periudhën për të cilët akuzohen se kishin role aktive në grupet kriminale, ishin pjesë e grupit të shoqërimit të ministrit të atëhershëm të Brendshëm Saimir Tahiri.

Sipas njoftimit të SPAK-ut “zyrtarët publik, në disa raste pronarë të drogës, kanë garantuar, jo vetëm nga ana tokësore, por edhe detare në Shqipëri, që dërgimi i lëndës narkotike i destinuar në brigjet e Puglia-s të kryhej me siguri të plotë”.

Operacioni i sotëm është vijim i dy operacioneve të mëparshme të zhvilluara në vitin 2018 dhe 2020 “Shefi” dhe “Kulmi”. Sipas një njoftimi të SPAK-ut “nga hetimet e bëra nga muaji Maj 2019 deri në Janar 2021, është bërë e mundur të mblidhen të dhëna të rëndësishme ndaj 38 shtetasve shqiptar, pjestar të katër grupeve të fuqishme kriminale të organizuara, vepruese nga viti 2014 deri ne vitin 2017, në Shqipëri dhe në kontakt me organizatat kriminale bareze, në gjëndje të dërgonin në Evropë – duke zbarkuar në Puglia – sasi të konsiderueshme lënde narkotike”, marijuanë, heroinë dhe kokainë.

Falë të dhënave të grumbulluara nga hetimet e mëparshme e sidomos informacioneve të detajuara të marra nga 4 bashkëpunëtorë të Drejtësisë, të arrestuar më herët prokurorët shqiptarë dhe italiën “kanë rindërtuar, të dhëna për shkelje të ligjit dhe veprime korruptive te kryera nga zyrtar publik shqiptar, pastrim parash, po ashtu të gjithë “zinxhirin e prodhimit” të lëndës narkotike, që nga kultivimi, prodhimi, mbledhja, magazinimi dhe trafikimi në drejtim të brigjeve pugliese me mjete lundruese të fuqishme”.

Përveç arrestimit të pjestarëve të katër organizatave kriminale është bërë dhe sekuestrimi i pasurive që ato zotëronin, kryesisht në qytetin e Vlorës, në Kavajë, në Tiranë dhe disa qytete të tjera shqiptare. Bëhet fjalë për apartamente, troje, restorante, njësi tregtare, (12 pasuri të paluajtëshme), 4 shoqëri tregtare bashkë me asetet e tyre dhe disa automjete, . Në total llogaritet që vlera e tyre të jetë mbi 3 milion euro.

Gjatë disa goditjeve që u janë dhënë ndër vite këtyre organizateve kriminale, janë sekuestruar rreth 6 (gjashtë) tonelata lëndë narkotike të tipit marijunë, kokainë e hashish, duke i hequr atyre të ardhura të vlerësuara në mbi 55 milion euro.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button