Kroacia sot do t’i dhurojë 10.000 vaksina ‘Astrazeneka’ Maqedonisë së Veriut, po aq doza priten edhe nga vaksina ‘Sputnik’
Në kuadë të parimit të solidaritetit të BE-së, Kroacia sot do t’i dhurojë Maqedonisë së Veriut 10.000 doza të vaksinës Astrazeneka. Kur jemi te donacionet edhe Rusia njoftoi shpërndarjen e 10.000 vaksinave Sputnik javën e ardhshme, transmeton Portalb.mk.
Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe tha se vaksinat janë të sigurta dhe se asnjë ilaç nuk do të futet në treg pa miratimin e Agjencisë së Barnave.
“Qytetarët duhet të jenë të qetë. Ne aplikojmë me dokumentacionin e duhur që është i nevojshëm për importin e ndonjë ilaçit dhe ai arrin para se vaksinat të mbërrijnë në Agjencinë e Barnave, kështu që bëhet fjalë për një proces administrativ”, tha ministri i Shëndetësisë Filipçe.
Në fund të qershorit gjithashtu, Maqedonia mori sasinë e parë prej 500 mijë vaksinave Sinovak kundër virusit korona.
Ministri i Shëndetësisë në Maqedoninë e Veriut, Venko Filipçe, sqaroi që këto vaksina janë blerë, ndërsa falënderoi shtetin kinez për realizimin e shërbimeve në kohë.
Vaksinat kineze të pranuara janë të kompanisë “Sinovak”, të cilat duhet të merren në dy doza, me një dallim kohor prej 14 deri 28 ditë.