E qeshura që çarmatosi perënditë

Në një studim mbi dukuritë atipike të veprës së Dritëro Agollit, profesor Shaban Sinani thotë: Shkruar në kushtet e një shoqërie rreptësisht të kontrolluar, për t’u lexuar, si çdo letërsi tjetër, edhe në kushtet e shoqërisë së hapur, letërsia e realizmit socialist nuk mund t’i shmanget pyetjes nëse brenda saj ka njerëz të vërtetë, që zhvillohen në mënyrë të pavarur prej ideologjisë sunduese.

Por, sado e shtruar që në kapërcyell sistemesh, pyetja e profesorit të njohur nuk e ka marë akoma përgjigjen e plotë, sepse disa studiues të letërsisë vazhdojnë t’i qasen asaj me gjykime të errësuara jashtëletrare, duke i barazuar krijuesit mediokër me shkrimtarët me autoritet ndërkombëtar, madje duke i konsideruar këta të fundit si inspirues të dogmave të realizmit socialist.

Natyrisht, askush nuk e mohon të dhënën se, në tërësinë e saj, metoda e realizmit socialist ka qenë direktivë e indoktrinuar pushtetare, që artin e shihte në funksion të armës ideologjike, metodë që favorizoi autorët e partishëm dhe konformistë me mungesë të theksuar talenti, skribomanët që e shfrytëzuan atë si mburojë të shterpësisë. Nuk e mohon kush as të vërtetën se, asokohe, në ballë të luftës me armiqtë e sistemit pati shkrimtarë që me ekspertiza policore çuan pa pikë faji para xhelatëve poetë të rinj si: Vilson Blloshmi, Genc Leka, Havzi Nela… Megjithatë, duhet pranuar se pati dhe krijues që nuk e përfillën artin pragmatik  të imponuar nga lart. Sigurisht, pati dhe disidencë estetike nëpërmjet veprave si Përbindëshi apo Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo, të sfidantëve të kornizave të ngushta të krijimtarisë , gjë që është vërejtur me kohë edhe prej kritikës perëndimore.

*

Romani Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo u botua në vitin 1973, në kohën kur arti kërkonte me ankth makanizmat shprangosës prej çmendurisë së pragmatizmit që mbahej në këmbë nga mizëria e shkrimtarëve, kritikëve dhe studiuesve obortarë, kësaj pararoje të devotshme të luftës së klasave dhe revolucionit të përçudnuar kulturor, të ngritur mbi fatkeqësi krijuesish të njëmendtë, të cilët, sa herë e gjenin udhën e shmangies së shabloneve të imponuara, detyroheshin t’u përgjigjen me autokritika fletë-rrufeve të mashave pushtetare.

Këto pra qenë rrethanat në të cilat u botua romani i Dritëroit, me një çift interesant heronjsh letrarë (shefin dhe vartësin e tij), të cilin akademik Ali Aliu e krahason me çiftin monumental të letërsisë botërore – Don Kishotin dhe Sanço Pançon e Servantesit…

Për njohësit e stalinizmit shqiptar mbetet i pasqarueshëm guximi i autorit, i cili pikërisht në fazën e forcimit të voluntarizmit, nëpërmjet kuadrove të kulturës masive, të ngarkuar për disiplinimin e artit, vuri në lojë parësinë e shtetit, i ndërgjegjshëm se mund ta rrezikojë seriozisht vetveten. Ngritja e tij e hapur kundër zhdanovizmit, eliminon dilemat e lexuesve rreth përvjedhjeve rastësore të goditjeve me të cilat autori e përçmon pushtetin e ngritur mbi mekanizma dhune. Të vetmen gjë që bëri për të shmangur persekutimin e frikshëm, është goditja me këste e ligësive të sistemit, zbutja e sfidës nëpërmjet humorit, kamuflimi i saj si rastësi e izoluar, tiparet prej loloje të shokut Zylo, vënia e tij në pozita qesharake…, janë zbulime që e përcjellin letërsinë nga zanafilla e saj.

Gjithnjë sipas akademik A. Aliut, guximin prometean, ndërmarrjen donkishoteske dhe gati të frikshme…, që preku dukuritë më karakteristike të pushtetit dhe diktaturës komuniste të kohës… e dëshmon vetë autori, që, diku në fillim të romanit, shkruan: Nuk ka asgjë më të keqe se ta vesh njeriun në pozita qesharake. E qeshura e çarmatos njeriun. Aristofani me të qeshurat i çarmatosi perënditë”.

Pa dyshim, kjo shpërfaq qëllimin e vërtetë të shkrimtarit të arritur nëpërmjet homorit dhe të qeshurës, e bën katërcipërisht të qartë ç’perëndi deshi të çarmatosë ai dhe e forcon bindjen se, në kulmin e histerisë staliniste, Dritero Agolli shkroi një vepër të guximshme me tipare disidence, të konsideruar prej shumëkujt ndër më rebelet në gjithë kampin socialist.

​​Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button