Në Ohër po mbahet konferenca ndërkombëtare “Ballkani Perëndimor: pjesa që mungon që Evropa të jetë e plotë”

Në qytetin e Ohrit sot po mbahet dita e parë e konferencës ndërkombëtare “Ballkani Perëndimor: pjesa që mungon që Evropa të jetë e plotë”. Përfaqësues të lartë të ShBA-së, BE-së dhe të rajonit sot, nëpër panele të ndryshme, mes tjerash, diskutuan rreth zhvillimit ekonomik të rajonit, procesit eurointegrues dhe sfidave të tjera me të cilat po përballen shtetet e Ballkanit Perëndimor, transmeton Portalb.mk.

Pjesëmarrësit në diskutimet që u mbajtën gjatë ditës së sotme, porositën se shtetet e Ballkanit Perëndimor, duhet që të fokusohen në përmbushjen e reformave dhe luftës kundër korrupsionit dhe sundimit të së drejtës, në mënyrë që të sigurojnë ardhmëri më të mirë për qytetarët e tyre.

Zëvendëskndihmës Sekretar në Byronë për Punë Evropiane dhe Euro-Aziatike në Departamentin e Shtetit të SHBA-ve, Metju Palmer, gjatë panelit për ekonomi dhe biznes, shprehi shqetësimin e tij për nivelin e korrupsionit në vendet e Ballkanit Perëndimor. Ai e ka theksuar këtë si shkak për ikjen e një numri të madh të qytetarëve nga vendet e tyre. sipas tij, kur politikanët vjedhin qytetarët e tyre, atëherë rritet pabarazia sociale.

“Dekadën e fundit, rajoni ka humbur numër të konsiderueshëm të punëtorëve me kualifikime të larta në vendet e punës ku dikush tjetër mund të jetë i mbi-kualifikuar, por gjenden në vendet ku korrupsioni dhe kapja e shtetit nuk do ta dëmtojnë jetën e tij të përditshme. Përkundër ekonomisë, qytetarët në rajon janë shumë të shqetësuar për sundimin e së drejtës dhe korrupsionit. Kur liderët politik vjedhin nga qytetarët e shtetit të tyre apo e dëmtojnë sundimin e së drejtës dhe pavarësinë e gjyqësorit, rritja ekonomike ngadalësohet, përhapet pabarazia, qasja fillestare ndaj shërbimeve është më i madh, tregjet përjashtohen dhe besimi në qeverinë bie. Reformat nuk duhet të jenë vetëm për ringjalljen e ekonomisë pas Covid- 19, ato gjithashtu në drejtim të përforcimit të institucioneve demokratike që t’i bëjnë më të pavarura, më transparente dhe më të përgjegjshme si të tilla”, deklaroi Palmer.

Duke folur për anëtarësimin e rajonit në BE, Palmer shprehu zhgënjimin e tij që mos fillimin e negociatave për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë në BE, duke thënë se prolongimi i kësaj çështje, dëmton edhe rolin e SHBA-së në rajon.

Në panelin e dedikuar për mediat dhe sektorin civil, ministri shtetëror gjerman i Evropës, Michael Roth, ka shprehur zhgënjimin e tij për mos fillimin e negociata të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë me BE-në.

“Sinqerisht më vjen keq që Këshilli i BE-së nuk miratoi vendim për fillim të negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë për shkak të qëndrimit të një shteti. Çështjet bilaterale, si ajo aktuale me Maqedoninë e Veriut dhe Bullgarinë nuk duhet të jetë pengesë për procesin integrues”, tha ministri gjerman shtetëror i Evropës, Michael Roth.

Edhe profesori universitar dhe njohës i rrethanave në Ballkanin Perëndimor, Florian Bieber, tha se BE nuk e ka përmbushur premtimin e saj ndaj vendeve të rajon.

“Kërkohet implementimi i ligjeve dhe politikës së synimeve dhe përkushtimeve dhe mundemi të shohim se te disa vende ka synime dhe përkushtim, por vendet anëtare duhet më qartë t’u theksohet vendeve të rajonit problemet për të cilat duhet të punojnë”, tha Bieber.

Në kuadër të kësaj konference, është mbajtur edhe një panel “Rruga drejt BE-së: “Çfarë të presësh kur je duke pritur”. Gjatë këtij paneli, eurodeputetja, Tanja Fajon tha se, sot është vështirë të jemi inovativ dhe të themi çka të presim, me që rajoni është në gjendje të keqe, zgjerimi është në gjendje të keqe dhe Bashkimi Evropian është në gjendje të keqe.

Ajo tha se, në vitet e fundit dhamë shumë premtime edhe në raport me anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut dhe është sfidë e madhe besimi në rajon, besimi në institucionet, në atë që e premtojnë.

“Dëshiroj dhe shpresoj se Komisioni dhe institucionet e BE-së do ta kuptojnë se zgjerimi është jashtëzakonisht proces i rëndësishëm dhe ajo që ndodh në vitet e fundit është egoiste dhe nacionalizëm i rrezikshëm i cili na ndan dhe kjo gjithashtu është edhe rrezik për Ballkanin Perëndimor. Kështu që ambiciet e mia janë se, kryesimi i Sllovenisë së paku deri në fund të këtij viti do të kenë sukses ta bëjnë atë që premtuan dhe do të kenë rezultate dhe kjo vlen edhe për qeveritë e tjera të BE-së dhe nuk varet vetëm prej Qeverisë së Sllovenisë, të hapen negociatat për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërinë, por edhe për liberalizimin e vizave të Kosovës dhe të bëjnë disa hapa në negociatat me vendet e tjera të rajonit”, deklaroi Fajon.

Ndërkaq, ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Mila Carovska, në fjalimin e saj në forumin rinor, deklaroi se lidhja e të rinjve nga rajoni krijon një sinergji e cila e  përshpejton procesin e integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian. Kështu që, institucionet duhet t’i ndihmojnë të rinjtë për të komunikuar më shumë me njëri-tjetrin në mënyrë që të krijojnë miqësi, të ndërtojnë partneritete dhe të shkëmbejnë  praktika dhe përvoja pozitive me njëri-tjetrin. Kjo nënkupton kontribut në forcimin e rajonit si dhe konkurrencën në një aspekt global.

Konferenca ndërkombëtare do të vazhdojë me aktivitete edhe gjatë pasdites së sotme, ndërsa aktivitetet do të vazhdojnë edhe nesër në Oteshevë.

Në këtë aktivitete do të marrin pjesë dy presidentë të shteteve, i Sllovenisë dhe i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq dhe Borut Pahor katër kryeministra nga rajoni, Edi Rama, Zoran Tegeltija, Ana Bërnabiq dhe Albin Kurti. Ndihmës Sekretari Shtetëror për çështje Evropiane dhe Çështje Euro-Aziatike në Departamentin e Shtetit të SHBA-ve, Filip Riker dhe zëvendëskndihmës Sekretar në Byronë për Punë Evropiane dhe Euro-Aziatike në Departamentin e Shtetit të SHBA-ve, Metju Palmer, do të jenë pjesë e Konferencës, ndërsa nga BE-ja do të marrin pjesë Komisari Johanes Han, përfaqësuesi  special i BE-së për Ballkanin Perëndimor, Mirosllav Llajçak, Anxhelina Ajnhorst nga Shërbimi për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, si dhe disa deputetë nga Parlamenti Evropian.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button