Carovska: me krijimin e miqësive, të rinjtë e shndërrojnë Ballkanin Perëndimor në një familje evropiane

Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Mila Carovska, në fjalimin e saj në kuadër të dialogut disa-ditor të Forumit të Prespës në Oteshevë deklaroi se lidhjet midis të rinjve brenda dhe jashtë vendit forcojnë rajonin dhe e përshpejtojnë procesin e integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Lidhja e të rinjve nga rajoni krijon një sinergji e cila e  përshpejton procesin e integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian. Kështu që, institucionet duhet t’i ndihmojnë të rinjtë për të komunikuar më shumë me njëri-tjetrin në mënyrë që të krijojnë miqësi, të ndërtojnë partneritete dhe të shkëmbejnë  praktika dhe përvoja pozitive me njëri-tjetrin. Kjo nënkupton kontribut në forcimin e rajonit si dhe konkurrencën në një aspekt global. Këtë e deklaroi Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Mila Carovska, në fjalimin e saj në forumin rinor, në kuadër të dialogut disa ditor të Forumit të Prespës në Oteshevë, i cili mbahet këto ditë dhe është i organizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme(MPJ).

“Një nga vlerat që po u mësojmë të rinjve në vendin tonë, e cila ka dalë në pah vitet e fundit, është se vetëm përmes aktivizmit dhe unitetit të tyre përbrenda kufijve të vendit të tyre, por edhe duke ndërtuar miqësi dhe partneritete me fqinjët e rajonit dhe në botë në përgjithësi, ata mund të arrijnë qëllimet personale, dhe kështu të ndihmojnë edhe vendin e tyre të ecë përpara”, tha Carovska, duke theksuar se sipas punës së saj disa-vjeçare me të rinjtë, mënyra se si ata mendojnë dhe sillen ndryshon dukshëm dhe se të rinjtë janë gjithmonë e më të gatshëm të bashkëpunojnë me moshatarët e tyre nga vendet e tjera.

Ajo tha se të rinjtë janë të vetëdijshëm që përmes aktivizimit, zgjerimin e rrjetit të kontakteve dhe komunikimit, ata përparojnë më shpejt dhe arrijnë qëllimet e tyre. Prandaj, gjeneratat më të vjetra duhet t’i ndihmojnë të rinjtë në të gjitha mënyrat, që të rinjtë të kenë mundësi që të krijojnë lidhje me njëri tjetrin sa më shumë dhe sa më shpejtë.

“Në këtë mënyrë, ne do të kontribuojmë në pjekjet e tyre  që të rinjtë më shpejtë të bëhen të denjë për të marrë rolet që ne më të vjetrit po i kryejmë aktualisht, dhe për t’i tejkaluar rezultatet dhe sukseset që i kemi arritur”, tha Carovska.

Në forumin e të rinjve mori pjesë ambasadorja e SHBA-ve, Kate Burns, ambasadori i BE-së David Gere, Ministrja e Arsimit e Shqipërisë, Evis Kushi , deputeti Arbër Ademi dhe të tjerë. Ideja e këtij Dialogu të Forumit të Prespës është thellimi i bashkëpunimit dhe shkëmbimi i praktikave dhe përvojave pozitive midis vendeve të Ballkanit Perëndimor në fusha të ndryshme, duke përfshirë aktivizmin e të rinjve, thonë nga Qeveria.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button